Promovohet libri “Gjyqtar dhe avokat në kohë të vështira”

Kultura

Promovohet libri “Gjyqtar dhe avokat në kohë të vështira”

Më: 20 shtator 2023 Në ora: 16:35
Pamje nga promovimi

“Gjyqtar dhe avokat në kohë të vështira” është libri i cili është promovuar sot nga autori Hasan Hoti. Autori në librin e tij parqet përkushtimin për ta ushtruar profesionin e avokatit me profesionalizëm dhe etikë profesionale, rreziqet e natyrave të ndryshme, duke përfshirë edhe rrezikun e jetës kur mbronin çështje me natyrë politike.

Në ceremoninë e promovimit, recensenti Shemsedin Pira, derisa tregoi detaje për librin, tha se “Gjyqtar dhe avokat në kohë të vështira”, është i vetmi i këtij lloji për kohen më të rëndë të okupimit serb.

“Ky libër është fryt i punës tejet të palodhshme të autorit Hasan Hoti, i cili i dhuroi një përmbledhje të ngjeshur proceseve gjyqësore në periudhat e ndryshme kohore. Brumi dhe burimi i këtij libri është subjekti njeri, i vjelë nga proceset e ndryshme gjyqësore duke i trajtuar nga një vlerësim shumë i veçantë specifik, duke mos i kthyer as magurat proceset e mbajtura gjyqësore, por duke paraqitur në mënyrë objektive. Autori i është qasur me vullnet të pashtershëm hulumtimeve të dokumentacionit në gjykata dhe institucione të tjera shtetërore dhe kontaktet me ish-klientët kur rrethanat kanë nisur një gjë të tillë. Gjatë procesit autori ka dëshmuar guxim intelektual që asnjëherë nuk i ka munguar, i cili në thellësi ka respektuar kontinuitetin e vlerave të gjykimit dhe me besnikëri ka theksuar përmbajtjen e procesuar. Libri është i rëndësisë së veçantë, i vetmi i këtij lloji për kohën më të rëndë të okupimit serb. Autori në mënyrë të detajuar dhe profesionale, me gjuhë dhe metodologji të përshtatshme juridike e shkencore, deri në detaje përshkruan rastet më të rëndësishme në të gjitha sfidat dhe vështirësitë e asaj kohe për klientët e tij dhe vet atë”, tha Pira.

Ndërkaq, vet autori i këtij libri, Hasan Hoti ka treguar si ka ardhur deri tek ideja për shkrimin e këtij libri.

“Libri, edhe pse kam tentuar t’i iki, mos të marrë formë shumë voluminoze, me pas hapësirë për më shumë raste karakteristike, se kam menduar se e meritojnë të jenë objekt i këtij libri. Në atë kohë kur kam qenë unë gjyqtar kam pas më pak se 35 vjet, 13 vjet edhe në prokurori dhe në gjykatë, si e kam menduar misionin e gjyqtarit, e që e mendoj sërish, se nuk ka mision më të mirë në këtë botë reale sesa me qenë gjyqtar. Gjyqtar do të thotë prej momentit kur t’i e çel zyrën e kabinetit çdo ditë, muaj, vjet derisa të përfundosh karrierën, e lan drejtësinë mes dy palëve, qofshin civile, apo shteti i cili akuzon dikë dhe pala tjetër që merr pjesë...Ka qenë një e mirë që derisa nuk erdhi Millosheviqi të na fshijë gjithë çfarë kemi pas përpara si menduam na që na shtiru për tokë, kemi pas mundësinë të punojmë për vete, derisa është bërë ‘89 dhe ‘90. Në atë kohë unë kam qenë veç avokat pesëvjeçar përpos gjykatave, dhe kemi qenë të privilegjuar sepse e vetmja kategori e jurisprudencës, ishte të cilët Millosheviqi, regjimi i tij nuk kishte mundësi të thotë fshiva gjyqtarët, por, avokatët ishin kategoria e vetme për t’i ndihmuar shqiptarët që ishin lënë. Në atë kohë në cilësinë e avokatit ka qenë shumë e rëndë”, tha Hoti.

Hoti gjithashtu tha se një ndër shkaktarët kryesor për shkrimin e kësaj vepre, kanë qenë miqtë e tij.

Se ky libër duhet të lexohet nga të gjithë, për të kuptuar atë që ka kaluar populli nga okupimi serb, e tha pedagogu, Halim Hyseni.

“Ky libër duhet të jetë në secilën familje, duhet ta lexojnë, sepse edukimi patriotik nuk bëhet në fakultet, as në shkollë të mesme, por fillon në institucionet parashkollore, kur nxënësit lexojnë, mësojnë çfarë ka përjetuar populli ynë. Po ashtu ky libër duhet të ketë vendin në Fakultetin e Drejtësisë, ku secili student duhet ta lexojë. Nuk mund të jenë as gjykatës, prokuror, e as avokat në qoftë se nuk lexohet ky libër ”, tha Hyseni.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat