Një gjest i rrallë që vlerësohet si shembull për t’u ndjekur, ish-profesori i Universitetit të Prishtinës, Avni Skeja, ka dhuruar një koleksion prej afro 5 mijë librash për Bibliotekën Universitare, një pasuri e akumuluar gjatë më shumë se katër dekadave në arsim.
“Profesori Skeja më kontaktoi pak pas marrjes së mandatit tim dhe më tregoi për një fond librash që e kishte ndërtuar ndër vite. Ishin rreth 5 mijë ekzemplarë, të mbledhur me përkushtim gjatë gjithë karrierës së tij. Vendimi për t’i dhuruar ato Universitetit të Prishtinës është një akt që shkon përtej simbolikës. Është një kontribut real për dijen dhe zhvillimin e këtij vendi,” ka thënë Arben Hajrullahu, rektori i Universitetit të Prishtinës.
Sipas profesorit Skeja, qëndrimi pas librave është më shumë se një koleksion personal, është trashëgimi për studentët dhe stafin akademik.
“Pas mbi 45 vjetëve si pedagog në këtë universitet, është nder i veçantë që kthehem me një donacion të tillë. Këta libra përfaqësojnë jo vetëm punën time, por edhe kontributet e shumë kolegëve me të cilët kam bashkëpunuar ndër vite,” ka thënë ai.
Librat përfshijnë fusha si ekonomia, drejtësia, psikologjia, gjuha angleze, shkencat politike e kompjuterike, një pjesë e madhe e tyre në gjuhën angleze dhe me origjinë nga Shtetet e Bashkuara.