Në lartësitë qiellore

Kultura

Në lartësitë qiellore

Nga: Engjëll I. Berisha Më: 19 prill 2025 Në ora: 11:18
Engjëll I. Berisha

1. (VULLNETMIRË MBI TOKË)

E gjithë rrjedha e ligjërimit është relative

si flakë që digjet mbi ekzistencën

si dritë kurrë e pa shuar, kurrë e humbur

mbi krijesa që vijnë e zhdukën

krijesa të dobëta me mendje njerëzore

vullnetmirë mbi tokë

dielli gjendet në hemisferë

zbret në tokë për ne, me vullnesë

ta shohim vetveten

se si trupin e shmangim

e bashkë me shpirtin kthehemi andej

në hemisferë

nga larg, si me frymë vjen vullnesa

ngjizet në ne si diell që ngroh

sa vullnetmirë mbi tokë,
me shpirtin që kalon çdo hije, çdo errësirë
me butësi mikluese, me zemër pastërtie
Hyj mbjell dashuri në çdo hap të thyer

në dilemat e jetës shkëmbi
ka nevojë për butësi dhe dritë të çiltër
secili kërkon krahun ku të mbështesë

të kaloj tej stuhive që ndodhin shpesh

një fjalë e ngrohtë,

në mes të ftohtësisë, sjell ngushëllim

me këtë Dritë,
toka do të shkëlqej.

2. (PO TË FALËNDEROJMË)

Hirësi, të falënderojmë
për diellin që ngrihet

për çdo shi që bie
në stinët që jetojmë

na rrëmbejnë me fjalën
me zemrat plot

thesare të pashtershme me buzëqeshje

për çdo ndihmë të heshtur
për dashurinë që s’ka mbaruar kurrë

po të falënderojmë, për gjithçka
më shumë për ty,
për këtë udhëtim të bekuar.

3. (MËKATET E BOTËS)

Kaq e thellë errësira, ku fshihet mëkati

bota e madhe, edhe më e madhe pesha e tij

përhapet pa frikë, pa mëshirë

në dyluftim me shpirtin
mbytet në vetveten me perde mbyllur

mëkati ka emër

tradhti, gënjeshtër, dhimbje në heshtje

kanë fytyrë të dyfishtë

kanë zhurmë e klithma të jargët

kanë urrejtje, zemërim
nuk dihet se ku lindin, as ku vdesin

mëkatarët
shpërthejnë në lakmi

gjithmonë ka një mundësi

një shpresë të re

ta çlirojmë shpirtin.

4. (KËRKIM MËSHIRE)

Në këtë botë ku çalojmë
ndjejmë dhembje dhe frikë
meditojmë në heshtje, e mbajmë frymën

me mëshirën tënde për zemrat e thyera
për ata që humbin shpresën dhe ndalën së besuari
për ata që janë të lodhur
për ata që janë të vetëm, të thyer
ki mëshirë

për ata që nuk kuptojnë

nuk shohin

nuk ndjejnë

nuk kanë forcë

ki mëshirë o Hyj

për ata që u digjet zemra

shterojnë nga braktisja

jepu shpresë

bëj që dashuria të mbizotërojë mbi gjithçka.

5. (BESOJMË)

Rrugët edhe mund të mbyllen, të ngushtohen
sytë mund të mos e shohin dritën e duhur

hapat mund të na mashtrojnë

ndjenjat mund të bijën në tundim

edhe pse trupi shkatërrohet

gjithçka na duket e largët, e pa prekur

prapë besojmë, na e dikton zemra
një forcë që na udhëzon

gjithmonë dielli lind pas errësirës

edhe pas natës së gjatë vjen mëngjesi

çdo plagë e shëron një dashuri

çdo trishtim ka një shpresë.

sa të vërteta mbesin të paprekura

sapo ti mbyll sytë njeriu e mbulojmë në tokë

gjithmonë pas një fundi shpërthen një jetë

përmes gëzimeve dhe dhimbjeve

nne besojmë.

6. (KRYQËZIMI)

Tre në tre, gozhdët në duar

kryqëzohet fjala në errësirën e vdekjes

deri te dielën kur të ringjallet jeta

do të mbërrijë mbi varret e ëndrrave

të rilindim bashkë

derisa të zbardhet agimi

dalin shpirtrat e ngujuar në dritë të re

kur ta kërkosh fillin e gjenezës

sa i fortë bëhet guri mbi ty

tokë e qiell rrinë pezull e ne dridhemi

njerëzia jeton përsëri me fajin

si zjarri me flakën

pa e ditur himnin e pafajësisë

nga mëngjesi kur bien tri rreze

përtej gurit të varrit kumti i ardhjes

tre në tre

fjala u bë dritë

e drita s’ka mbarim

ringjallet shpresa

me mohimin e pohimin

se u shemb tundimi në ballin e tiranisë
 

Çfarë është vdekja!

Mbi plagë bëjnë rojë me shtizë

nën brinjë plaga ime

dhimbja jote

nën kamxhikun e fatit të njerëzimit

fshikullimat shërohen ditën e tretë

Ringjallja liri e pa kufi.

Prill, 2025.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat