Trendi i radhës në skenën politike të Kosovës, tanimë, mbetet moskonstituimi i institucioneve shtetërore. Të përzgjedhurit e qytetarëve janë duke luajtur një dramë politike me tri akte. Pas dy tentativa për ta votuar qeverinë, nuk u arritë ndonjë mundësi e mirë për t'u dhënë fund këtyre papajtueshmërive. Prej përfundimit të zgjedhjeve dhe anomalive të ndodhura gjatë numërimit të votave të tyre, e deri tani te neglizhenca e sajuar kot, në këto ditët e fundit, për formimin e qeverisë së Kosovës, janë zhvilluar ankesa e mospajtime koalicionesh të shumta. Gjë që ka ndikuar shumë keq në pritjen e qytetarëve për sistemimin adekuat të qeverisë. Nga kjo gjendje e krijuar, më në fund ka ardhur koha për t'u marrë vendime serioze. Deputeti më i vjetër i parlamentit të Kosovës, Avni Dehari
pas moskordimit dhe mospajtimit të deputetëve, për ta konsoliduar qeverinë e ardhshme, apeloi sipas rendit të krijuar, që ditën e shtunë klasa politike të mblidheshin edhe një herë për të vendosur që të bëjnë themelimin e qeverisë së re. Por ky takim i radhës rezultoi në mos arritjen e votave të duhura, për ta zgjedhur kryeparlamentaren, Albulena Haxhiun, të propozuar dy herë nga VV. Pra, deputetët e të gjitha partive duhet që, pas dyzetetetë orëve të caktuara, të mblidhen edhe një herë. Tani për tani të përzgjedhurit e qytetarëve nuk kanë fuqi politike të çlirohen nga ngërçi politik. Opozita e bashkuar në sabotim dhe keqtrajtim të rendit politik, nuk kanë fuqi kreative të konsolidojnë grupin parlamentar. Edhe pse partia fituse ka mandat në krijimin e qeverisë, mbase numrat janë të fituara, siç përfolet nga antarët VV-ës, bashkë me integrimin e NISMËS në të. Por edhe më tutje procedurat bëhen pengesë e themelimit të qeverisë. Edhe opozita, me dallueshmëritë e mëdha midis tyre, nuk i kanë numrat e duhur për të marrë funksionin qeverisjes së vendit. Ata kanë fërkime të mëdha dhe mospajtime, sepse para programeve të tyre alternative, kanë synimet e tyre karrieriste të prapambetura, që nuk sjellin risi e bindje të mjaftueshme që kërkon popullata. Kjo shihet qartë nga mandatet që kanë marrë. Gjendja e tyre është për të të ardhur keq, mbase bëjnë inate të panevojshme dhe tendencioze për të mos e formuar qeverinë dhe tërë kjo kundërthënie shkon në dëm të demokracisë së Kosovës. Sipas roleve dhe aktrimit që luajnë (bëjnë) përfaqësuesit e qytetarëve, nuk marrin vendime serioze në këtë teatër politik, ku performanca politike dhe teksti i demokracisë pluraliste, nuk është mësuar akoma sa duhet përmendësh. Është lejuar të bëhet një “dramë” e vërtetë me tri akte, ku nuk mund të arrihet një pajtueshmëri e sinqerë, në themelimin e qeverisë. Pas kaq vitesh të sistemit të instaluar pluralist, në dialogun e tyre të shfaqur, kundërshtues, vihen interesat personale të politikës së monologizuar të individëve, që në qëllimin e tyre kryesor manifestohet interesi i marrjes së pushtetit pa merita.
Në këtë teatër apokaliptik luhen role të shumta kundërthënëse në dëm të qyretarëve dhe shtetit. Edhe pse VV i ka numrat e deputetëve për themelimin e qeverisë, opozita, me të gjitha forcat e saja saboton që të mos zgjidhet ky ngërç politik. Ndoshta opozita bën edhe manevrime tjera strategjike, duke blerë edhe kandidatë të pakicave, që VV të mos e ketë numrin e duhur për të themeluar qeverinë. Në këto situata të rënda politike për shtetin, vetëm NISMA e Fatmir Limajt, ka treguar pjekuri apo seriozitet politik, për të marrë përgjegjësi, kur është në pyetje shteti dhe interesat e qytetarëve të Kosovës. Ndoshta numrat e tyre do të bëhen argument kyç, për t'u themeluar më në fund qeveria. Mendoj se në këtë ngërç politik ka edhe individë që gjenden në partitë opozitare, e që nuk janë të kënaqur me pozicionin dhe vendimet e partive të tyre opozitare dhe mund të kalojnë te partia më e madhe VV. Situata për të mos kishte ardhur deri te kjo gjendje kaotike politike, njëra prej partive më të mëdhat opozitare, e treta LDK sipas numrit të deputetëve, është dashur ta pranoj ofertën për bashkëqeverisje. Ajo do ta kishte bërë hapin më të mirë politik poqë se pranonte një ofertë të tillë. Përndryshe qytetarët në zgjedhjet e ardhshme mund ta dënojnë keq këtë strukturë udhëheqëse të paharmonizuar të individëve, nëse në të ardhmen nuk bëjnë reforma dhe ndryshime partiake radikale.
Qytetarët janë të lodhur me këto inate personale dhe të pakuptimta që bëhen në dëm të tyre. Pas themelimit të qeverisë, duhet tërësisht të ndryshojë shtimingu i qasjes politke në Kosovë. Dikasteret e ndryshme qeverisëse duhet të marrin një intensitet të ri pune, që të vihen bazat faktike të ndryshimit dhe realizimit të programeve të premtuara gjatë fushatës elektorale. Ndryshimin populli duhet deri në fund të verës ta ndjejë, duke i realizuar projekt e premtuara dhe të përfolura. Qytetarët nuk kanë dëshirë që në Parlamentin e tyre të luhen komedi e tragjedi, por të zhvillohet një dramë e vërtetë kreative, ku do të merren përgjegjësi serioze që do t'i ndryshojnë anomalitë e shumta të vendit. Duke nisur kryesisht nga investimet ekonomike deri te punësimet adekuate të qytetarëve. Të zgjedhen dhe përzgjidhen njerëzit më të suksesshëm të vendit, për ta rimëkëmbur infrastrukturën dhe resurset e ndryshme ekonomike që kanë mbetur deri tani pa u realizuar. Qeveria e ardhshme e ka detyrë parësore që të vjelin investues të jashtëm seriozë, ndërsa me prioritet të jenë bashkatdhetarët tanë të suksesshëm në diasporë. Madje të gjitha projektet që janë nisur, duhet të realizohen dhe përfundohen me afate të caktuara.
Kurtin e akuzojnë për bllokadë të kuvendit, mbase faji nuk është te ai, por te të gjithë nga pak, sepse të dy palët, pozitë dhe opozitë, janë duke kontribuar në stërgjatjen e panevojshme të themelimit të qeverisë. Opozitarët me çdo kusht duan që kjo qeveri të mos formohet. Edhe pse nuk i kanë numrat e duhur për të qeverisur ata, krijojnë llojllojshmëri skenaresh. E të mos flasim më për kundërshtitë politike që kanë midis vetes. Nuk ka dëm më të madh se sa kur të përzgjedhurit e popullit për hirë të interesave personale anashkalojnë perspektivën e një populli. Ndaj nga këto role të dukshme të politikanëve, qytetarët mund të mësojnë shumë dhe në të ardhmen do të kenë edhe më shumë kujdes e përgjegjësi se kujt duhet t'i japin votën.