Piklat e bukura poetike të Bezhanit…

Kultura

Piklat e bukura poetike të Bezhanit…

Nga: Lulzim Logu Më: 28 prill 2025 Në ora: 18:54
Kopertina e librit

Sapo doli nga shtypi libri i 29-të në rradhë i poetit Tahir Bezhan, botim i Blini Bk -Gjakovë, një ngjarje vertet e rëndësishme në jetën dhe krijimtarinë letrare të tij.

Libri poetik “ Pikla nga qielli” i Bezhanit shënon një avancim të dukshëm në stilin e tij të veçantë, ku pejsazhi metaforik dhe simbolika unike në trajtimin e kohës dhe dukurive të saj përbëjnë të vertetën e tij ekzistenciale.

Që e kanë vendosur natyrshëm në vendin e tij të merituar si krijues i angazhuar dhe solid, që ka lexues dhe idhtarë të shumtë në mesin e krijuesve bashkëkohorë.

Librin nuk e bën të veçantë numri i tij në rradhën e botimeve të autorit, as konstatimi se poezia e tij vazhdon konsistente në shtratin e njohur të motiveve të tij të shenjta , identiteti si rrënjë dhe vazhdim, fëminia , plagët e luftës , afirmimi i paqes  si dhe trishtimi dhe dhimbja që sjell një realitet i deformuar social dhe politik , sikurse ngarkesa emocionale e vargjeve të tij të sinqerta dhe tejet unike në trajtimin e tyre.

Librin e bën të mirëseardhur dhe befasues angazhimi shpirtëror dhe vuajtja e përditshmërisë sociale përmes përjetimit të vertetë prej njeriu dhe poeti i cili jeton çdo çast me brengat dhe përsiatjet e lexuesit dhe bashkëkohësve të tij, duke synuar në mënyrë spontane, por aq të besueshme, të jetë një çast zëdhënësi i tyre, të gëzojë, vuajë dhe protestojë me ta, të trishtohet apo lumturohet  si dhe të ndjejë deri në qelizë ndikimin kaotik të një bote të pasigurtë . Por edhe të përcjellë në mesin e tyre etjen e pashmanshme të shpresës dhe siluetën e dritës në fund të tunelit të së ardhmes…

Poeti ndodhet në çdo moment mes njerëve dhe natyrës, gjithmonë ka përbuzur ‘’kullën e fildishtë’’ ku shpesh herë ngujohen poetët e epokave të veçanta dhe nga maja e saj dërgojnë mesazhe patetike, duke mbetur vetë aq larg realitetit dhe njeriut, pjesë e tij, përkundrazi  Bezhani , duke kaluar gjithë jetën në ballë të shkulmeve dhe kontadiktave të saj sjell para lexuesit fragmente reale jetësore, me nuanca të qarta sinjifikative të vlerësimit dhe qëndrimit prej qytetari përherë të angazhuar të vendit të tij, i cili poezinë e ngarkon me të verteta jetësore.

Poezia ka vazhdimisht intensitet emocional, figuracion funksional të ligjërimit të tij poetik, ballafaqim të fateve njerëzore me fatin personal të poetit, qasje të pandalshme drejt natyrës dhe përdorimit simbolik dhe metaforik të saj me angazhimin fizik dhe shpirtëror të tij pikërisht kah e ardhmja e vendlindjes si nocion i dashur dhe një ‘’piklë’’ e kombit të tij:

‘’Vargje të urta përkundin ëndrrat e fjetura

E trembshëm zgjohen zogjtë e ngujimit

Në dritare sodis yjet si vallëzojnë

Dhe rrëshqas thellësive të ditës së egër…’’

Tahir Bezhani duke qënë në kulmin e krijimtarisë së tij poetike në mënyrë të natyrshme orientohet nga tematika e ditës, bash aty ku i dhemb kombit të vet dhe ditës së tij të rradhës, ka maturi dhe pjekuri në qasjen e tij aktuale nga realiteti jetësor, duke identifikuar dhe  duke u ndalur në plagët sociale dhe shfaqjet e mezidukshme të frikës dhe pasigurisë, që pashmangshëm mund të kërcënojnë befas rrugën e së ardhmes evropiane”:

‘’ Kurrë nuk dita të dalloj

Kthimin prej beteje

Etur prej betejave për jetë

Liri dhe uri më mbajtën lidhë

Pas vdekjes

Trupi i nemitun në dy jetë…’’

Kujtimet e tij të shumta dhe të heshtura bëjnë që poeti ta ndjejë gjithmonë veten si ‘’të pjesëtuar në të gjitha kohët’’ dhe njëkohësisht të mbetet ‘’skllav’’ i sjelljes së tij komplekse përballë një shoqërie me ritme të frikshme ndryshimesh, ku padyshim raporti i ndjeshëm midis tradicionales akoma të fortë dhe nevojës për ridimensionim social mbetet një sfidë konstante e kohës, qoftë në jetë, por edhe në krijimtari.

Poeti vazhdimisht ja ka dalë të jetë vigjilent dhe të lexojë siç duhet trajektoren e jetës dhe të përshtasë poezinë e tij që të jetë adekuate dhe ta ruajë freskinë e duhur tek lexuesi shpeshherë kaotik dhe tronditur nga kanosjet teknologjike dhe humbjet e vëmendjes ndaj leximit në përgjithësi dhe kësaj gjinie letrare në veçanti:

Kohëve zezonash të nemitura

Në pasqyrë shikoj vetveten

Lexoj do vija lavrash të motive

E do shpate të të molisura ofshajnë…

Pikturë e Pikasos dukem nga larg

I zbukuruar me dashuri  të dhimbshme

I pjesëtuar në të gjitha kohët…

Dhimbja, mungesat e ndjeshme të njerëve tanë të shtrenjtë të humbura rrjedhave historike, vetmia e moshës dhe goditjet e shendetit të pasigurtë, për gjithësecilin prej nesh ushqejnë çdo minutë nostalgjinë dhe ethet e trishtimit të pandalshëm, fati i poetit që shkarkon rrufetë dhe ngarkesat e tyre në struktura vargjesh të rënda, por aq të qënësishme në dialogun e kërkuar midis tij dhe kohës, midis së shkuarës dhe të ardhmes , midis kerkesës për liri dhe tronditjes që sjell përpjekja për kufizimin apo largqoftë humbjen e saj.

Struktura e vargut në poezitë e Bezhanit, për shkak të ekperiencës poetike dhe lëvrimit koherent të formave të ndryshme të saj, duke gjetur dhe ruajtur bashkëkohësinë e tyre në risitë e sotme të zhvillimeve  të letersisë mbetet jashtëzakonisht e qendrueshme dhe kësisoj mban dhe reflekton natyrshëm krejt tensionin shpirtëror dhe emocional të shkrirë brenda tyre.

Shndrruar në një pasqyrë besnike ndaj kohës dhe fatit modern dhe global të njeriut të shekullit të mbramë ku çdo lexues mund të zbulojë, gjejë dhe kuptojë një apo më shumë fragmente nga mënyra e tij e jetës dhe përballjes me botën:

‘’ Loti në pellg shpirti

Ushqehet me dhimbjen e zemrës

Shërohet në flakën e dashurisë

Plagëve u shpall duel

Pastaj ndal rrugëtimin

Atje ku puthen pendimet

Në malin Olimp përjetësimi…

Fatlume Gjakova që ka një poet si Bezhani, fatlum  komuniteti i krijuesve nga mbarë Malësia e Gjakovës dhe krejt Kosova, i ndjeshëm, fin, i drejtërdrejtë, polemizues dhe përplot risi në motivet dhe trajtat e lëvruara, me një stil vertet unik dhe ritëm bashkëkohor të pikëtakimit kronologjik me lexuesin e sotëm:

‘’ Tatëpjetave mbushem frymë, pëlcas

Kryqëzoreve të rrugëve

Gjurmët e lëndimeve buzëqeshin me kohën

O zot kaj të shkojë qenia…

 

Tropojë, 28/04/2025

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat