​Chopin Piano Fest Prishtina sjellë emocione të veçanta për adhuruesit e muzikës klasike

Kultura

​Chopin Piano Fest Prishtina sjellë emocione të veçanta për adhuruesit e muzikës klasike

Më: 9 maj 2025 Në ora: 10:48
Foto ilustrim

Është hapur edicioni i 15-të i festivalit ndërkombëtar “Chopin Piano Fest Prishtina”, duke sjellë emocione të veçanta për adhuruesit e muzikës klasike në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare të Prishtinës.

Ky edicion u hap me magjinë e tingujve të pianos nga duart e pianistes së njohur polake, Maria Gabryś-Heyke.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se Chopin Fest është tashmë një traditë e konsoliduar që pasqyron hapjen tonë ndaj botës, pasionin për muzikën dhe përkushtimin për cilësi. Ai potencoi se ky festival mbështet talentet e reja, promovon trashëgiminë muzikore si dhe nxit diplomacinë përmes artit.

“Chopin Fest, një festë e pianos por edhe e bashkimit shoqëror, edukimit artistik dhe diplomacisë kulturore. Emri i festivalit mban emrin e Frederik Chopen, një prej emrave më unifikues në historinë e pianizmit botëror. Pianoja nuk është vetën një instrument muzikor. Ajo është një mjet fisnikërie, disipline e krijimtarie…Chopen Fest në Kosovë është tashmë një traditë e konsoliduar. Ajo pasqyron hapjen tonë ndaj botës, pasionin për muzikën dhe përkushtimin për cilësi...Kjo është një dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vendit që Kosova po fiton në hartën kulturore globale. Ky festival është më shume se një histori koncertesh. Është një ekosistem i gjallë kulturor që mbështet talent të rinj, promovon trashëgiminë muzikore, dokumenton krijimtarinë dhe nxit diplomacinë përmes artit”, tha Kurti.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadori Aivo Orav tha se bashkëpunimi mes BE-së në Kosovë dhe Chopin Piano Fest ka qenë i shkëlqyeshëm dhe është bërë një partneritet tradicional.

Orav theksoi se BE ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë kulturën e Kosovës, derisa përmend se muzikantët dhe artistët kosovarë kanë arritur suksese të mëdha në skenën kulturore evropiane dhe botërore.

“Nuk është vetëm Dita e Evropës ajo kur mendojmë për kulturën e madhe që Evropa i ka dhënë botës. Ato janë ditë të përditshme kur mund të mendojmë për këtë, por jam shumë i lumtur që në prag të Ditës së Evropës do të kemi mundësinë të dëgjojmë muzikën e mrekullueshme të Chopin…Bashkëpunimi mes Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Chopin Piano Fest ka qenë i shkëlqyeshëm dhe është bërë një partneritet tradicional. Ky bashkëpunim thekson rëndësinë e thellë të shkëmbimit kulturor dhe bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Muzikantët dhe artistët nga Kosova kanë arritur lartësi të mëdha në skenën kulturore evropiane dhe botërore, dhe Bashkimi Evropian ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë kulturën e Kosovës”, potencoi ambasadori Orav.

Agnieszka Kowalska nga Ministria e Punëve të Jashtme të Polonisë u shpreh e lumtur se hapja e festivalit Chopin Piano Fest Prishtina u bë me performancën e pianistes së njohur polake, Maria Gabrysz-Heyke.

“Duke e shfrytëzuar këtë mundësi, dëshiroj të theksoj se Polonia e njeh dhe e mbështet plotësisht aspiratën e Kosovës për integrim evropian dhe se zgjerimi i BE-së do të jetë i plotë vetëm kur të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor t’i bashkohen. Duke e thënë këtë, jemi të nderuar dhe krenarë që Shoqata Chopin e Kosovës vendosi ta hapë festivalin Chopin Piano Fest Prishtina 2025 me një performancë të pianistes së njohur polake, profesoreshës Maria Gabrysz-Heyke nga Universiteti i Muzikës Fryderyk Chopin në Varshavë…Zonja dhe zotërinj, shpresoj që koncerti sonte jo vetëm që do të jetë një nga kulmet e edicionit të 15-të të Chopin Piano Fest Prishtina, por gjithashtu do t’ju ndihmojë të zhytni veten në një nga pasuritë kulturore të Polonisë – muzikën e kompozitorit dhe pianistit tonë të madh, Fryderyk Chopin”, tha Kowalska.

Ky organizim do të përmbajë një program të pasur dhe të larmishëm, duke përfshirë vepra nga repertori klasik dhe ai bashkëkohor. Në edicionin e 15-të të këtij festivali do të performojnë mbi 25 artistë nga vende të ndryshme përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Francën, Austrinë, Rumaninë, Lituaninë, Italinë, SHBA-në dhe Kubën.

Gjatë këtij edicioni janë paraparë 15 koncerte, duke përfshirë edhe bashkëpunimin tradicional me Filarmoninë e Kosovës, që do të udhëhiqet nga dirigjenti Peter Valentovich dhe ku do të paraqitet si soliste pianistja e njohur Sofya Gulyak. Më 9 qershor 2025, festivali do të përmbyllet me një koncert të veçantë nga pianisti i shquar britanik, Peter Donohoe.

Të gjitha koncertet, përjashtuar atë me Filarmoninë e Kosovës, do të mbahen në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare. Ndërsa koncerti me Filarmoninë do të mbahet në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat