Lakuriqi me kravatë

Kultura

Lakuriqi me kravatë

Sevdail Hyseni Nga Sevdail Hyseni Më 10 maj 2025 Në ora: 16:24
Karikatura

Në shpella të errëta diplomatike,
Jeton lakuriqi raca burokratike.
S’është si ata që i sheh në natyrë,
Po me maskë, syza dhe pa fytyrë.

Fle gjatë ditës, s’do zhurmë fare,
Natën s’del nga dera, për dritare.
Me sy të skuqur, sikur kanibalist,
Fluturon mbi dosje si parashutist.

Kur burimi i vjetër e morali u tha,
Ndërroj dieta: Gjak buxheti s’ka?
Nuk han me lugë e enë porcelani,
Thith kredi dhe tenderë donacioni.

Nuk janë të rrezikshëm me dhëmbë,
Të shterin brenda, si kanceri n’këmbë.
S’vdes njeri prej tyre, si nga migrena,
Por nga frika, stresi e faturat e paqena.

Jeton në vende të errëta e pa dritë,
Me deklarata boshe dhe pa meritë.
Në Europë s’e gjen, atje s’ka vend,
Kontrolli financiar s’e bënë legjendë.

Kujdes natën kur shihni ndonjë hije,
Që ecën pa zhurmë kur errësira bie.
S’është lakuriq i zakonshëm i natës,
Është me kollare lakuriqi i kravatës!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat