Hasan Prishtina

Kultura

Hasan Prishtina

Feti Tunuzliu Nga Feti Tunuzliu Më 11 maj 2025 Në ora: 14:00
Hasan Prishtina

Ka futur nën sqetull shqiptarinë

dhe një copë truall ilirik të Ballkanit t’trazuar  

e n’palc të misionit: Kosovën e Shqipërinë,

ndërsa n’kokë i mbinin ide për t’i përbashkuar.

N’barkushe ndjente rrahje ritmike

dhe zemra iu nda n’dysh për: komb e mëmëdhe,

i xixëlloi një shkëndi shprese fisnike,   

t’reflektoi  brenda një harte mbi at dhe.

Për çlirim e bashkim u besatua haptazi,

e nëpër flaka kryengritëse qe me pushkë n’faqe,

me shpatulla t’ngrohta u përkul para flamurit kuqezi

për arsimin amtar nëpër vilajete e qarqe.

Ndonëse prej kohësh zhytej etshëm drejt cakut

dhe shkrinte pasuri kundër zgjedheve t’huaja hane -

mërgimtarit që digjej për gurët e sokakut,  

prej motesh iu lidh jeta nyjë gordiane.

Po. Ai ishte shtyllë që s’bëhej dot urë

as kur e vërshonin sulmet e mallkuar,

o, katër herë ia morën masën, bënë katrahurë,

derisa gjaksori e shoi duke e  kurthuar !

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat