Burri që më del tepër

Kultura

Burri që më del tepër

Nga: Gjon Marku Më: 26 maj 2025 Në ora: 15:07
Foto ilustrim

Ato të dyja u ulën në hijen e fikut të madh, aty ku gratë zakonisht bisedonin me njëra-tjetrën, pinin kafe e shfrynin pak nga jeta e përditshme.

Sapo u ulën, Marta fshiu ballin me cepin e përparesës dhe nisi të fliste me një zë të përzier mes lodhjes dhe përhumbjes.

- Dëgjo, moj motër, a e di ti sa mirë ke bërë që nuk u martove? - tha ajo, duke e vështruar.

Nora qeshi lehtë, me një hutim të brendshëm që ia zbuti fytyrën.

- Pse kështu thua? - pyeti dhe hodhi sytë drejt saj.

Marta hodhi një vështrim nga porta, si për t’u siguruar se askush nuk i dëgjonte.

-Ja, kthehem në shtëpi: djali, mirë boll, vjen prej shkolle, më mbush shpirtin; vajza, e njëjta gjë… po burri? Burri gjithmonë më del tepër. Rri ulur herë në një divan, herë në një tjetër, si mal pa ndjesi. Thotë: “më sill ujë”; pastaj: “ç’kemi për darkë?”; kur sheh lajmet, ulëret: “ç’janë këta fëmijë që bërtasin?”.

E unë? Unë tashmë për të nuk jam më veçse një hije që ngrihet e ulet, me mendje të mbushur si një kazan që nuk e mban më kapakun.

Nora uli sytë. E ndjeu një grimë faji - si çdo grua që nuk pati fëmijë - por për herë të parë ai faj nuk iu duk i saj.

- Po të të dëgjonte dikush, do thoshte që s’je mirënjohëse ndaj Zotit, - foli butë Nora, me një ëmbëlsi të lehtë që mezi dëgjohej.

- Le të thonë ç’të duan. Kam qenë nuse, kam qenë nënë, jam edhe grua… por nuk jam më vetja. Dita më fillon me një kafe të vakët dhe më mbaron me një pjatë që s’ia di shijen. Vetëm kur fëmijët flenë dhe burri më në fund hesht, ndiej një copëz veten time të humbur.

Heshtën të dyja për pak. Në atë heshtje rrinte pezull një marrëveshje e pashprehur, një aleancë që s’kishte nevojë për fjalë.

Pastaj Nora, pasi u mendua disa çaste, nisi tw fliste ngadalë:

- Unë s’kam as burrë, as fëmijë. Kam mbrëmje ku flas me veten pa zë. Dhe nuk kam njeri që të më duket i tepërt.

Marta, që e shihte drejt në sy por që nuk e kishte shumë mendjen te fjalët e Norës, i ngjante vetes sikur shihte para saj një grua që kishte shpëtuar. Ishte e lirë, edhe pse e vetmuar.

- Eh, moj motër… ti mendon se qenka fat të mos kesh njeri që të del tepër në shtëpinë tënde.

Ndoshta biseda e tyre do të kishte vazhduar ashtu siç kishte nisur, por te hyrja e shtëpisë u shfaq burri i Martës, që e thirri me zë të ngjirur: e kërkonte, i duhej diçka. Biseda u pre aty, por në ditët që pasuan, ato dyja nisën ta takonin njëra-tjetrën më shpesh: herë në hijen e fikut, herë në pazaret e përbashkëta, e herë në kuzhinën e ngushtë të Norës, ku gjithçka ishte vendosur me kujdes, sikur çdo send të kishte një vend të shenjtë. Gjithë ajo shtëpi i fliste Martës pa zë: këtu s’ka pasur as burrë që të lëshojë çorapet në dysheme, as fëmijë që të derdhin ujin mbi qilim. Por ka qetësi, ku mund të dëgjosh muzikë të huaj, ngushëlluese, ose të ulesh e të humbesh në mendime, vetëm me veten.

Marta kujtonte shtëpinë e saj, ku rrëmuja sundonte sapo kthehej nga puna e duhej të fillonte nga e para për të sistemuar gjithçka; kujtonte kuzhinën e saj, ku pjatat e papastruara e prisnin si një barrë e rëndë…

Një mbrëmje, pas një çaji të ngrohtë, Marta vështroi murin përballë. Nuk kishte atje as fotografi fëmijësh, as dasmash, por një pikturë të madhe me një pamje të qetë deti. Në anën tjetër, një bibliotekë plot me libra.

- A ke ndonjëherë mall për diçka? – e pyeti me zë të ulët.

Nora, që e kuptoi menjëherë për çfarë po fliste, buzëqeshi me dhembshuri.

- Si nuk kam… por nuk kam keqardhje.

Marta mori frymë thellë, si për të çliruar gjithë peshën e kraharorit.

- Unë kam plot fotografi. Dhe sa herë i shoh, më zë malli për veten time… për atë që isha para se të bëhesha nënë, para se të bëhesha grua.

- Dhe ti mendon se fakti që nuk jam bërë kurrë grua më ka shpëtuar, - foli Nora me zë të ulët. - Por më ka mohuar edhe shumë.

Marta uli kokën, gati si e turpëruar.

- E di çfarë kam frikë? - tha me zë që i dridhej. - Kam frikë se kur fëmijët të ikin, kur burri të bëhet më i heshtur e më i rëndë… unë s’do të jem më askush.

Nora mori dorën e saj dhe ia shtrëngoi lehtë, ngrohtësisht.

- Do jesh ajo që je në këtë çast, - i tha. - Një grua që kërkon të jetojë. Mos harro se ke shumëçka: do kesh nipërit e mbesat e tua. Dhe kjo vlen më shumë se çdo dasmë, se çdo fotografi. Kjo do të të mbushë shpirtin dhe zemrën, nuk do të ta lërë bosh. Do të kesh kohë të shfletosh shënimet e tua, të kujtosh të shkuarën tënde, me gjithë të mirat dhe kujtimet e saj. Do t’u gëzohesh nipërve dhe mbesave, pra të ardhmes dhe trashëgimisë tënde.

Pas asaj nate, Marta sikur ishte bërë tjetër njeri. Kishte nisur të shkruante nëpër blloqe dhe fletore kujtimet e saj. Jo për të botuar, as për t’u lavdëruar. Thjesht për të ruajtur zërin e vet, atë zë që aq shpesh ishte mbuluar nga zërat e të tjerëve.

Kur burri flinte, ajo shkruante. Kur fëmijët shkonin në shkollë, ajo lexonte. Dhe herë pas here shkonte te Nora - jo më për t’u ankuar, por për të ndarë një mendim, një frymë, një copë lirie. Edhe pse burri ishte ende aty, po ai: ende kërkonte ujë, darkë, heshtje. Por nuk i dukej më aq i rëndë. Sepse ajo kishte gjetur një tjetër hapësirë ku mund të merrte frymë, një copë dhomë ku nuk i dilte askush tepër.

Një pasdite të ftohtë dhjetori, ndërsa së bashku me Norën kishin dalë për të blerë çaj mali, Marta vuri re një grua të moshuar që u afrua ngadalë dhe i zgjati Norës dorën. Kishte sytë e mbushur me lot dhe e shikonte me mall. Nora u zbeh. I dha dorën, por nuk foli. Gruaja e puthi lehtë në faqe dhe u largua pa thënë asnjë fjalë.

-          Kush ishte ajo? - e pyeti Marta, kur mbetën vetëm.

-          Nora heshti gjatë. Pastaj, si dikush që heq një barrë të vjetër nga supet, tha me zë të ulët:

-           Ishte motra e nënës sime...

-           Nuk e dija që kishe familje, - foli Marta.

-           Kam. Kam pasur. Por ata më kthyen shpinën. Isha 19 vjeçe kur mbeta shtatzënë me një burrë të martuar.

-          Marta u shtang.

-           Çfarë ndodhi me fëmijën? E hoqe?

-           Jo… e linda. Po ma dhanë për adoptim. Me dhunë. Pa më pyetur. E kisha mbajtur në bark në fshehtësi, pastaj… kur linda, ma morën.

Në sytë e Martës kishte dhembshuri, por edhe një ndjesi tronditjeje që s’e kuptonte mirë.

- Dhe që atëherë… s’u martove?

- Nuk më linte ndërgjegjja. S’munda të filloja një jetë tjetër si të mos kishte ndodhur gjë. Kam jetuar vetëm, por kurrë bosh.

Marta ktheu sytë nga ajo. Bota nuk i dukej më bardhë e zi.

- Dhe unë gjithmonë mendoja se ishe pa asnjë barrë… e pa asnjë problem.

- Të gjithë mendojnë kështu për gratë pa burrë. Që nuk kanë jetuar. Por ne jemi thjesht kapituj që askush s’i ka lexuar dot deri në fund.

Marta u ndje më afër Norës se kurrë. Tani e kuptonte pse shtëpia e saj ishte aq e qetë. Ajo qetësi nuk ishte rehati - ishte një plagë që kishte mësuar të marrë frymë pa bërë zë.

Vitet kaluan. Fëmijët e Martës u rritën, u shpërndanë nëpër botë, dhe shtëpia u bë më e heshtur se kurrë. Burri i saj ende ishte aty, por tani flinte më gjatë, fliste më pak. Tani ishte ajo që pyeste: “A do ujë?”, “A të sjell diçka për të ngrënë?”. Por fjalët nuk peshonin më si më parë. Kishin humbur mprehtësinë. Ndoshta ngaqë ajo vetë kishte ndryshuar.

Në raftin pranë dritares qëndronte një fletore e trashë me kapak lëkure. Ishte e mbushur me shënime, mendime, copëza zemre. Aty rrinte edhe tregimi i parë që kishte shkruar: “Burri që më del tepër”. Çdo herë që e rilexonte, qeshte pak, por me një dhembshuri të ëmbël. Jo për burrin - po për veten që kishte qenë dikur.

Nora, nga ana tjetër, mbeti po ajo grua me shtëpi të pastër dhe jetë të fshehtë. Por nuk ishte më vetëm. Kishte dikë që i trokitte në derë çdo javë, që i sillte lajme të reja, libra të vjetër, çaj të freskët. Ishte Marta.

Një herë, në një nga vizitat e fundit, Marta i tha:

- E di, ndoshta nuk jam bërë kurrë gruaja që ëndërroja të isha… por kur vij te ti, ndjej sikur jam ajo.

Nora e pa dhe qeshi lehtë.

- Dhe unë, kur vjen ti, harroj se çfarë nuk kam pasur.

Eh… - ofshani Marta, -çdo grua ka një dhomë të heshtur brenda vetes, ku shpreson të mos i dali askush tepër.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat