Era e ftohtë e marsit përplaste hidhur degët e zhveshura mbi rrugët e zbrazura të Kosovës. Qielli gri, si pluhur, mbulonte shtëpitë e shkatërruara. Të dëshpëruar, qindra familje lanë pas gjithçka - kasolle, ara, kafshë, kujtime - dhe u nisën drejt kufirit me Shqipërinë, e vetmja shpresë për shpëtim. Fshatrat digjeshin në atë fillim pranvere të përgjakshme, ndërsa njerëzit e pambrojtur rrugëtonin drejt kufirit. Ishin ditë kur në sytë e nënave mbartej një trishtim mijëravjeçar e burrat shtrëngonin dhëmbët të mos e jepnin veten, kur bombat shkreptinin në të katër anët.
Në mes të këtij karvani pa fund, Fatimja, një grua e re nga Prishtina, ecte me hapa të shpejtë duke tërhequr dorën e vogël të djalit të saj, Valonit gjashtëvjeçar, që hidhte hapat me vështirësi, pse balli i digjte dhe sytë i ishin mjegulluar nga ethet. Ecte pak e ndalej, shtrëngonte dhëmbët dhe merrte frymë me mundim.
-Valon, o shpirt… - e inkurajonte e ëma duke e përqafuar, dhe vështrimin e hidhte mbrapa, ku shihte të shoqin që turrevrapi kthehej drejt Kosovës që digjej, për t’u rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. -Vetëm edhe pak, Valon, e mbërrijmë në Shqipëri… duro dhe pak, bir!
Por rruga ishte e gjatë dhe e vështirë, e trupi i vogëlushit dobësohej gjithnjë e më shumë. Do të kishte dashur edhe ajo të ishte atje, në frontin e luftës bashkë me të shoqin, ose të paktën ta kishte atë pranë në këtë moment të vështirë për të birin. Kaluan Kukësin dhe hynë në kthesat e pafundme që dredhojnë drejt Fushë-Arrëzit, ndërsa buza e Valonit ishte bërë si eshkë e thatë dhe sytë e tij të përhumbur e të lodhur tregonin se ai po përkeqësohej.
Ashtu, me të në krah që tashmë ishte bërë i rëndë si plumb, pas disa orësh rrugë, Fatimja me shpirtin që po i fikej u gjunjëzua para spitalit në zemër të Mirditës, dera e të cilit u hap me një trokitje të zhurmshme.
- Ju lutem… djali… më ndihmoni! - bërtiti ajo, edhe pse zëri i saj po shuhej, ndërsa prej dyerve të spitalit rendnin infermieret dhe mjekët që nxitonin ta fusnin brenda.
Doktor Martini, një mesoburrë me sy ku dukej haptazi lodhja, pa shpejt analizat dhe ngriti kokën:
- Duhet gjak. Ose e humbim djalin.
Infermieret hodhën vështrimin tek njëra-tjetra. Grupi i gjakut të tij, një ndër më të rrallët, nuk pranonte gjak tjetër, vetëm të të njëjtit grup. Spitali nuk kishte atë grup gjaku. Dhjetëra donatorë të rreshtuar prisnin të dhuronin gjak për kosovarët që mjekoheshin në atë spital, por asnjë prej tyre nuk kishte gjakun që vlente për atë fëmijë, që tashmë ishte pothuajse në kllapi.
-Njoftoni Tiranën! -foli doktor Martini, edhe pse e dinte mirë se koha nuk mjaftonte, dhe duart i mbështeti mbi tëmtha.
Koha ikte me ritëm të shpejtë e të tjerë kosovarë paraqiteshin në atë spital.
Arbër Gjini, kryeinspektori i Ushqimeve, një burrë rreth të dyzetave, i njohur për korrektësinë e tij në punë dhe që pothuajse gjithë kohën kishte qenë në dispozicion të kosovarëve, kishte gjetur një hapësirë kohe dhe kishte rendur drejt spitalit për të takuar të motrën, infermiere, e për ta pyetur për gjendjen e të ëmës, që i kishin thënë se ishte sëmurë, por ai nuk kishte pasur mundësi të shkonte deri atje.
Fatbardha, motra e tij, sapo e pa, i doli përpara në hyrje të spitalit. Ai e pa të përlotur dhe menjëherë pyeti:
- Çfarë ka ndodhur?
- Ka ardhur një fëmijë kosovar në gjendje të rëndë shëndetësore, duhet gjak për të, por nuk ka. Është vetëm me të ëmën… por fëmija i saj po shuhet!
- Po ka kaq shumë njerëz që presin të dhurojnë gjak, - pyeti ai të motrën.
- Gjaku i tij nuk korrespondon… pranon vetëm grupin e vet, dhe këtu nuk njohim askënd që ka atë grup gjaku!
- Ku është fëmija? - pyeti ai dhe rendi drejt dhomës, ku doktor Martini jepte e merrte me të, duke vëzhguar çdo moment gjendjen e tij shëndetësore.
- Si është, doktor? - pyeti Arbri, i zbehur.
Është… - Është shumë keq, Arbër… - ia ktheu ai, me zë të ulët. - Po vdes.
Ai hodhi vështrimin drejt së ëmës aty në urgjencë që me dënesë veç qante e nuk fliste, pastaj vështrimin e hodhi drejt të motrës dhe iu drejtua doktorit:
- Martin, kam të njëjtin grup gjaku si ky fëmijë. Kam analizat me vete. Filloni menjëherë!
- Arbër, duhet…
- Mjaft, doktor! Duhet gjak, e gjak do të kemi gjithmonë për të shpëtuar jetë. Ai djalë ka një baba që po lufton në front! Unë jam shqiptar, ai është shqiptar. Nuk do të lejoj që të vdesë para syve tanë. Lëre protokollin, doktor, po lidhni tubat menjëherë. Pa mëdyshje!
Doktori e shikoi thellë në sy.
- Shtrihuni. E fillojmë, - foli ai.
Arbri u shtri, ndërsa Fatbardha (e motra) mbante dorën e tij. Jashtë, retë e zeza rrotulloheshin mbi qytet, si re tymi, si plagë të hapura që pikonin mbi tokë.
Ai ndjeu gjilpërën të hynte në damar, ndjeu një rrymë të ftohtë që e trullosi paksa. Mendja i fluturoi: para syve i kaluan skena nga Kosova, nga lufta, nga njerëzit që nuk i njihte, por i ndiente si pjesë të vetes. I mbylli sytë.
- O Zot, ruaje këtë fëmijë… - pëshpëriti.
Ora kalonte ngadalë. Brenda trupit të vogël të Valonit, jeta nisi të ringjallej. Ai hapi sytë dhe pa të ëmën që qante dhe lutej. Doktor Martini i buzëqeshi lehtë, edhe pse buzëqeshja e tij mbarte me vete një lodhje të tejskajshme.
Kur gjithçka përfundoi, një infermier iu afrua Arbërit:
- Ju lutem, mund të regjistroheni për një shpërblim simbolik… është procedurë…
Ai vetëm tundte kokën dhe, si ta kishin fyer, iu drejtua:
- As mos ma përmendni!
Fatimja iu afrua dhe, pasi e falënderoi, e pyeti kush ishte. Ai nxori nga portofoli një kartvizitë dhe ia zgjati asaj, pastaj nxori disa monedha:
- Jepjani këtij vogëlushi, kur të zgjohet, - i tha të motrës.
Fatbardha i lutej që të qëndronte nën kontrollin mjekësor. Po ashtu edhe doktor Martini. Por Arbri tha se do të ngrihej, duhej të shkonte në punë. Kishte shumë njerëz që vinin e duheshin stabilizuar. Doli nga spitali, hodhi një shikim nga qielli ku retë ndërronin formë, dhe u zhduk mes rrugicave të qytetit.
Kaluan vite, e Arbri pothuajse e kishte harruar Valonin dhe nuk kishte më asnjë informacion për të. Lufta mbaroi. Kosova fitoi lirinë. Shqipëria vazhdoi jetën e saj. Kishin kaluar katwrmbwdhejtw vjet, kur postieri e mori në telefon dhe i tha se kishte një letër nga Amerika.
“Përshëndetje, Zotëri,
Jam Valoni. Ju ndoshta nuk më mbani mend, edhe pse më shpëtuat jetën kur isha vetëm gjashtë vjeç, aty në spitalin tuaj në Mirditë. Sot jam student këtu në Amerikë. Falë gjakut tuaj, falë shpirtit tuaj e ndihmës suaj, unë sot jam gjallë. Kam ëndërruar gjithmonë e gjithnjë të komunikoj e të ju takoj. Do të vij në Shqipëri së shpejti e dua t’ju takoj. Do të doja t’ju përqafoja, si njeriun që më dha mundësinë të jetoj.”
Arbri uli letrën mbi tryezë. Zemra i rrahu fort. Sytë iu lagën, jo nga mosha, por nga diçka më e thellë. Jashtë, era frynte butë. Dhe ai e kuptoi: ndonjëherë, jeta ka kuptim pikërisht në ato momente kur jep gjithçka, pa pritur asgjë mbrapsht.
***
Rrugët e Tiranës zhurmonin nga makina, njerëz e turistë, por Arbër Gjini ecte ngadalë, i humbur në mendime, dhe brenda vetes ndjente një emocion të pazakontë. Priste të takonte Valonin, që as nuk e njihte e as nuk e mbante më mend fytyrën, por që një ditë lufte në Kosovë, aty në Mirditë, i kishte shpëtuar jetën.
Letra e Valonit e kishte tronditur dhe i kishte sjellë në kujtesë atë ngjarje të pazakontë në jetën e tij. E kishte mbajtur me ditë të tëra mbi tavolinë, duke e lexuar e rilexuar. Dhe gjithnjë e pushtonin emocionet.
U fut në një kafene të qetë, pranë një peme të madhe ulliri, aty në aeroportin e Rinasit. Ndjeu aromën e kafesë, dëgjoi zhurmën e avionëve që vinin e iknin njëri pas tjetrit dhe shikoi retë që lëviznin ngadalë, sikur për të kujtuar retë e tymta që dikur mbulonin Kosovën.
I përhumbur në këto mendime e kujtime, pranë tavolinës së tij u ndal një djalë rreth të njëzetave, me trup lis, flokë të errët, sy të thellë e plot dritë. Po afrohej. Arbri u ngrit.
- Zoti Arbër? – iu drejtua djali me një buzëqeshje të ndrojtur.
- Po, Valon...? - zëri i Arbërit dridhej.
- Ju kam kërkuar kaq gjatë... - pëshpëriti ai. - Kam ardhur të përqafoj njeriun që më dha jetën, kur babai nuk mundi...
Arbri kishte mbetur si i ngrirë për një çast. Pastaj e përqafoi fort, duke ndjerë si i shkundej zemra në kraharor. Ulën kokën mbi tavolinë. Heshtën pak, pastaj Valoni nisi të fliste:
- Babai im... - tha me zë të ngjirur, - nuk u kthye kurrë. Doli në front sapo na përcolli në kufi. E morëm lajmin kur ishim në Itali. Ai kishte qëndruar për të mbrojtur fshatin... Ai nuk arriti të më shihte më...
Sytë e Valonit u mbushën me lot. Arbri i shtrëngoi dorën.
- Ai të shikon, bir. Gjithmonë. Në çdo frymëmarrje që bën.
- Nëna ime kurrë nuk e kaloi dhimbjen. U mundua të më rrisë me forcë. Kam studiuar, kam punuar fort. Por gjithmonë më mungonte ai boshllëk: mungesa e babait. E dija që, pa gjakun tuaj, unë nuk do të isha as këtu. Ju u bëtë pjesë e jetës sime, pa e ditur. Kam shkruar për ju, ju kam përfytyruar, ju kam ëndërruar... Dhe tani jam këtu. Për të thënë: faleminderit!
Arbri mori frymë thellë. Lotët e tij rrëshqitën poshtë faqeve, pa u fshirë.
- Bir... faleminderit që jetove. Që u bëre ky që je. Asgjë nuk më bën më krenar sesa të shoh ty, sot.
Valoni tregoi si mbërritën në Itali, pastaj në Amerikë, derisa ishte bërë student, plagët emocionale që kurrë nuk u shëruan plotësisht.
Në fund, nxori nga çanta një kuti të vogël. E hapi me kujdes. Brenda ishte njëra nga monedhat që Arbri i kishte lënë kur ishte fëmijë.
- Këtë e kam ruajtur gjithë jetën. E mbaj gjithmonë me vete.
- Unë do të shkoj dhe në Kosovë, tek varri i tim eti... do të të jem shumë mirënjohës nëse ti vjen me mua, – iu drejtua në një moment Valoni Arbërit, i cili nuk kishte mundur t’ia prishte djalit.
Udhëtuan drejt Kosovës. Nga dritarja e makinës, Valoni shikonte fushat, kodrat e njohura vetëm nga rrëfimet e nënës. Aty kishte lindur. Aty, babai i tij kishte luftuar. Nuk kishte qenë që kur kishte ikur atë ditë gjysmë i vdekur drejt Shqipërisë.
Fjalët mungonin. U ndalën dhe zbritën nga makina. Morën dy tufa me lule dhe u drejtuan drejt bustit të të atit të Valonit.
- Sa herë kam ëndërruar këtë moment... - tha Valoni me zë të ulët. - Por kur jam zgjuar, gjithmonë kam hezituar...
- Sot je këtu, bir, - i tha Arbri. - Dhe unë jam me ty. Krenar si yt atë për ty.
U përkulën para bustit me respekt. Pasi vunë buqetat me lule, u drejtuan drejt Prishtinës, ku gjendej, diku në varreza, varri i tij. Një grua e moshuar u afrua dhe tregoi:
- Këtu prehet, biri ime. Nënë Sania e mban gjithmonë të pastër varrin...
Valoni ndjeu gjunjët që i dridheshin. Afrohej ngadalë, me një dorë mbi gjoks.
Kur pa emrin mbi gur: Bekim Ukshini, Hero i Kosovës, sytë iu mbushën me lot. U ul në gjunjë. Vendosi duart mbi dhe.
- Babë... jam unë... jam Valoni yt... - pëshpëriti. - Kam ardhur, më në fund...
Arbri qëndroi pas tij, me sytë e mbushur. Thua se fliste me të atin...
- Më mungove, babë. Të kam ndjerë gjithmonë pranë, por më mungove. E di që më shikon, e di që je krenar… Dhe unë jam krenar për ty. Ti më dhe jetën dy herë: një herë kur më solle në këtë botë, një herë kur zgjodhe të luftosh. Unë dua të jem i denjë për ty…
Pastaj pastroi gurin e varrit me pëllëmbë. Vendosi lulet. U kthye dhe pa Arbërin.
- Ai më dha jetë së dyti, babë… - tha me një zë të butë.
Arbri e përqafoi fort. Dhe aty, mes heshtjes, erës që frynte lehtë mbi kodra, e diellit që perëndonte mbi varret, ata dolën ngadalë nga varrezat.
Në kthim, Valoni u ndal dhe mori një grusht dhe. E futi në një qese të vogël.
- Do ta çoj në Amerikë, - tha. - Që babai im të jetë gjithmonë me mua. Dhe do ta ruaj, për fëmijët e mi… që të dinë kush ishim ne.
Arbri buzëqeshi lehtë.
- E shikon? Për këtë ia vlente çdo pikë gjaku… çdo sakrificë… - mendoi.