Fiksioni dhe narrativa e rrëfimit

Kultura

Fiksioni dhe narrativa e rrëfimit

Nga: Shefqet Dibrani Më: 28 maj 2025 Në ora: 22:33
Kopertina e librit

Në librin e shtatë “HIQE MASKËN TA SHOH BUZËQESHJEN”, poetesha Erinë Rrahmani e zhvillon edhe më tej imagjinatën e nisur në pozinë po me këtë titull, botuar në librin e peste të saj, faqe 23-25. Ky libër përbmban vjersha të bukura dhe artistike. Një kopertinë e bukur dhe me ngjyra të përzgjedhura, përveç dukjes reflekton pozitivitet, gjthsesi titulli i librit është intrigues dhe cytë lexuesin për të kuptuar më saktë mesazhin që përqon maska e cila mbulon buzëqeshjen. Është thënë se maska duhet të hiqet për tu parë fytyra e secilit, për tu dukur pamja e fytyrës e jo për ta mbuluar atë. Me sa duke, në poezinë e këtij libri, nuk është ky një problem, poetesha ironizon me aspektet psikologjike që sillte maska, e maskat e të të gjitha llojeve jo aq për tu fshehur se sa për tu mbrojtur. “HIQE MASKËN TA SHOH BUZËQESHJEN”, është edhe vjersha e parë e kësaj përmbledhje me vjersha, e cila siç e theksuam, si poezi është e botuar edhe në librin e pestë të autorës..

Hiqe maskën pak

Se shumë ka në botë

Dikush mendon ndryshe

E tjetër gjë thotë

Faqe 5.

Nëse kthehemi pakëz në retrospektivë, do të shohim se vjersha në fjalë i takonte shëmtisë botërore, atëherë kur “maska” ishte detyrim ligjor, jo për tu fshehur por për tu mbrojtur[1]. “Buzëqeshja ime” thotë ajo “Tënden s’po e sheh/ Unë të fal pa fund/ e ti po e fsheh”, (po aty, faqe 6). Erina, e kta pasur këtë hall, me shëmtinë e njeriut nuk pajtohej, prandaj kërkesa e saj, edhe në këtë vjershë, nuk ka të bëjë me fytyrën, por ka të bëjë me buzëqeshjen. Prandaj në strofën e pestë, ajo shprehet:

Fjalët që ke thënë

Mos t’i dëgjoftë kush

Vallë nuk e dëgjove

Që ka rënë virus.

Vjersha, HIQE MASKËN TA SHOH BUZËQESHJEN, faqe 5-7.

Në këtë vjershë poetesha ka ngacmuar mendjen e lexuesve të vegjel për të cilët është i dedikuar ky libër. Pra çfarë roli paska maska në vjershat e Erinë Rrahmanit, e cila si poeteshë me shumë dashuri e shkruan poezinë për fëmije. E qartë, ajo ka imagjinatë të thellë me shumë prirje në vjershërime dedikuar fëmijëve dhe të rinjëve.

Simboli i buzëqeshjes nuk ishte vetëm motiv i vjershës së parë, nga e cila merrë titullin edhe libri, por simboli i buzëqeshjes është motivi i saj i ndërtuar edhe në disa vjersha të këtij libri. Sipas poeteshës buzëqeshja e cila shpeshherë mungon, madje edhe pa pasur ndonjë arsye. Andaj Erina, është poetesha e fiksionit dhe vargut të mirë e mjaftë artistik. Në vjershën “Ditëlindja e buzëqeshjes”, (faqe 8-11), si dhe në disa të tjera “buzëqeshja”, është motivi kryesor i këtij libri. Ja si shprehet ajo:

Buzqeshja

Kështu e ka

Bëhet tjetër

Me shaka

Buza në gaz

A po të shkon

Ty që librin

Po lexon

Ti qesh një herë

Tjetrit ia ngjet

Nga një që qeshet

Bëhen dy vetë

Faqe 9-10

Buzëqeshja, (në gramatikë është folje), por “Buzëqeshja familjare”, (faqe12-15), gjithnjë dhe përherë është e mirëpritur dhe nuk e di si do të dukej familja që nuk buzëqesh?! Të gjithë miqtë e poeteshës ia njohin asaj intuitën e thellë, dhe aftësinë për të portretizuar veset dhe karakteristikat e njeriut, në vetëm pak vargje.

Gjyshi im

Nuk qesh aspak

Gati na bëri merak

Ai:

Tha jam serioz

Më pëlqen

Të rri nervozzzzzz

Po aty, faqe 12-13.

Shpeshherë vjershat, përkatësisht mesazhi i saj nuk kuptohet pa i rënë në fund librit, vjershës a strofës, sepse në vargun e fundit shprehet ai mesazh i cili shpeshherë duket si një fabulë, e cila tregohet si këshillë a porosi që iu dedikohet të vegjlive, por për të mësuar e për tu përmirësuar ia vlenë këtë libër ta lexojnë edhe të rriturit, pse jo edhe pleqtë, sepse dita-ditës Erinë Rrahmani po bëhet një emër i dashur në kultivimin e poezisë për fëmijë, siç shprehet ajo në strofën e fundit me tre vargje të kësaj vjershe: “Qesh e mos përqesh/ Qesh sa zemra thotë/ Ndryshe nuk sillet kjo botë”, (po aty, faqe 15). Pastaj vjershë e bukur, e këndshme dhe vjershë që të bënë me buzëqeshur është “gaz në kopshtin zoologjik”, shprehja “gaz”, ka kuptimin e “gallatës”, dhe vërtetë “gallatë” ka ndodhur nga kafshët që nuk flasin, veçmas kur “Macja u duk sikur qau/ E lëshoi veç një mjau/ Edhe qeni la nam/ T’qeshurën e kish’ me ham”, e pastaj “Pula kakarisi tha/ Si t’qesh kush nuk ma tha/ Krakëllin një sorrë/ Cicëron një zog në dorë/ Blegërin një dele/ Mjaullin një kotele”, (faqe 16-17), padyshim në vjershë është krijuar kori i animalëve të cilët jetojnë në “Kopshtin Zoologjik të kësaj vjershe”, me një lirizëm kaq të mrekullueshëm. Pastaj Erinë Rrahmani rrëfen për “Buzëqeshjen e shpirtit”, “Buzëqeshjen ketrushqe”, ndërsa në vjershën “Buzëqeshje me shkas”, sidomos “Kur përqesh/ Dikë në sy/ Të vjen dita edhe ty”, (faqe 34), vjershë në të cilën ajo është kritike kundër përqeshjes (bullizimit), kurse në strofën vijuese jep këshillë sidomos “Kur dikush/ S’të qesh me gëzim/ Ndoshta po t’jep/ Një mësim”, (po aty faqe 34).

Sigurisht të gjithë kemi përjetuar se, pas shijimit të një buzëqeshjeje sa të dëfruar jemi, dhe sa shpejt përshtatemi me fytyrën e tjetrit kur na buzëqesh, edhe kur ai ose ajo nuk shpalos vetëm emocionet të cilat pasqyrojnë karakterin etik dhe dinjitetin e individit, figurativisht e shprehur në vjershën “Buzëqeshjet që marrim hua”, sepse “Buzëqeshjet/ Këtë punë kanë/ Cep më cep/ Buzëve ju ranë”, (faqe 40-41), duke dhënë këshillën për të “Mos u bë vetjak”, pasi hipotetikisht, po mos qeshe pasojat janë?! Erinë Rrahmani, nuk merret aq me zbërthimin e mënyrave të buzëqeshjes në aspektin shkencor të saj, por ajo vetëm dëshironte të hiqej maska, (imagjinoni kohën e pandemisë Covid-19), për ta parë buzqeshjen e njerëzve që i takonte. Edhe për poeteshën buzqeshja është sjellje moderne që praktikohet kudo nëpër vendet me kulturë të përparuar. Mimika e njeriut që buzëqesh, shpreh një efekt pozitiv, prandaj është e shëndetshme të ruhet buzëqeshja dhe sa më shumë të shqiptohen shprehje pozitive të cilat mund ta bëjnë edhe tjetrin për të buzëqeshur. Shpjegimi i mimikës në vjershat e Erinës, përshtaten kudo, madje për këtë poeteshë edhe Atdheu mund të buzëqesh, prandaj ajo sugjeron se si duhet dashur atdheun edhe atëherë kur askush në të sheh.

KURË BUZËQESH ATDHEU

U ndala në semafor

E kuqe, ditë e diel

Po pse s’u jap këmbëve

Para kush s’më del!

U ndala,

Se kështu duhet Atdheu!

Faqe 46.

Sjellja në rrugë e në qytet është edukatë, ajo shprehet në respektim të shenjave të komunikacionit, jo vetëm për shoferët por edhe për qytetarin i cili respekton semaforin, ndërsa pastertinë nuk mund ta mbajnë vetëm punonjësit e organizatës, por më tepër këtë kujdes duhet ta kenë vet qytetarët për t’mos i hudhur mbeturinat kudo, siç shprehet ajo në vargjet në vijim:

Rrugës s’pat njeri

Unë prap mbajta në dorë

Një qese mbeturinash

S’e hodha në tokë

S’e hodha

Se kështu duhet Atdheu

Faqe 46-47.

Po ashtu, ajo sygjeron se zyrtari dhe polici duhet jo vetëm përshëndetur por edhe për t’u respektuar, madje edhe atëherë kur ai mund t’i ngrysi sytë, siç shprehet në vazhdim të kësaj vjershe.

Në komunikacion

Më ndali polici

I thashë tungjatjeta

Edhe pse, sytë i ngrysi

E përshëndeta

Se kështu duhet Atdheu

Në shtëpi qeshë vetëm

Kur erdhi fatura

Ndonëse më shkoi mendja

Unë prapë nuk e hodha.

S’e hodha

Se kështu duhet Atdheu

*

Një rreze rrezëllitëse

Më erdhi mëngjesit

Si duket të falat

I shkuan Atdheut!...

Faqe 46-48.

Si duhet Atdheu, është vjershë edukative me porosi të qarta, e cila tregon se nëse të gjitha detyrat i kryejm në kohë e me rregull, dhe do të sillemi të gjithë mirë, atëherë edhe “të falat” do t’i shkojnë Atdheut, që d.m.th. reflektimi i qytetarëve ndaj vendit dhe atdheut do të shpërblehet herdokurdo, sidomos me mirëqenien e shoqërisë, me shërbime korrekte, me pastërti e gjelbërime dhe me një infrastrukturë të mbajtur mirë, po sidomos kur smira dhe zilia, zënkat dhe ngatërresat në mes qytearëve do të zëvendësohen me mirësjellje dhe buzëqeshe!

Se imagjinata e kësaj poeteshe shkon përtej çdo mundësie dhe parashikimi që mund ta thotë mendja jonë. Ajo simbolikën për “buzqeshje” e ka shtjelluar në të gjitha trajtat e mundshme të saj. Dhe këtë e thotë artistikisht edhe në “Vjershën që mbanë erë”:

I mora erë vjershës,

Në pranverë - qershi

Në verë – shalqi

Në vjeshtë – kanellë

Në dimër kungull Misri

Faqe 56.

Kjo imagjinatë kaq e bukur, nuk mund të parashikohet. Pastaj poetesha vjershën e saj e paska lënë në sirtarë sepse nuk i është dukur aq e bukur?! Por në vitin 2020, kur do ta nxjerr nga sirtari, ajo befas i mbanë erë alkooli e dezinfektuesi, që d.m.th. edhe vjersha paska përjetuar pandeminë Covid-19, e cila si fiksion lidhet me maskën që u trajtua në fillim të këtij shënimi kritik, kurse poetesha vjershën e paska lënë përseri në sirtar, sigurisht me mesazhin për të ruajtur kujtesen për ngjarje dhe etapa nga të cilat, nëse don, shoqëria ka çfarë të mësoj.

Vjershës nuk ia mata kurrë

Se a pati temperaturë

E lashë prapë në sirtar

Si kujtim i një viti të vrarë.

Faqe 58.

Buzëqeshja kurdoherë shprehë gëzim, shprehë kënaqësi në një moment të caktuar. Ajo është shenjë e mirësjelljes, është mënyrë e komunikimit njerëzor, dhe kudo në botë pëlqehen buzëqeshjet spontane dhe të pavetëdijshme, sepse ato shprehin tamam gëzimin dhe mirësjelljen e merituar, që do të pasqyronin përjetimet e personit, ndjenja që vështirë improvizojnë dhe fshehin buzqeshjen si emocion autentik.

Së këndejmi edhe libri “HIQE MASKËN TA SHOH BUZËQESHJEN”, i Erina Rrahmanit, është në vazhden e mendimit që shpreha për nocionin e buzëqeshjes, simboli dhe simbalika kryesore e këtij libri me vjersha të bukura pa dyshim është “buzëqeshja” e sheshtuar dhe trajtuar sipas imagjinatës së poeteshës, dhe kurdoherë duke i ruajtur aspektet shkencore që trajtojnë format, mënyrat dhe mundësitë shprehëse për buzëqeshjen, e cila historikisht është pjesë e natyrës njerëzore, e shprehur edhe në vargje “Rozi lulëzon buzëqeshjen”; ku Lule Roza e kësaj vjershe shpreh pikëllim pse ajo nuk mund të lozë, pse ajo kambët i paska në dhé, por imagjinata e poeteshës është më e zhvilluar: “Më thanë/ Dheu ty të rritë / Vinë të marrin/ Erë fëmijët”, (faqe 63).

Shpeshherë vjershat e Erinës, lexohen si përralla, po aq duken se janë fabula, njëkohësisht zgjojnë kureshtjen e lexuesit, sepse spikatë një imagjinatë tejet e zhvilluar që e ka kjo poeteshë, relativisht e re, e cila tashmë është një emër mjaftë i profilizuar në fushën e letërsisë për fëmijë me prioritet në zhanrin e poezisë.

Siç e kam theksuar edhe më parë, sipas imagjinatës së saj çdo gjë flet, çdo gjë proteston ose krekoset sipas motivit të vjershës dhe kjo ndikon në zhvillimin e imagjinatës tek moshat të cilave iu dedikohet libri, së këndejmi nga unë ja edhe një dedikim ndryshe, në vend të komplimentit për imagjinatën kaq të zhvilluar që posedon poetesha Erinë Rrahmani.

Te Erina

Gjithçka flet

Secili send ka gojën e vet

E sipas saj

Bota paska vesh

Tha një herë duke qesh

 Hahaha...

Buzëqeshi një fëmijë

Gabim e ke moj Erinë

Se gjyshi më ka thënë mua

Sy ka vetëm Fusha

Që se fsheh dot gusha

Veç në pyll

Mundesh me u fshehë

Kujdes hënës se të njehë...

(sh.d.)

Letërsia për fëmijë, sidomos kjo që krijohet në Kosovë, duket si prodhimtari deficitare, sepse më pak kemi poetë e poetesha që kanë pasion kryesor letërsinë për fëmijë, siç e theksova, “me përparsi në zhanrin e poezisë”, i cili është pasioni kryesor i Erinë Rrahmanit, e cila shpeshherë duket se është një vazhdimësi hipotetike e përrallave dhe tregimeve gojore, e cila edhe pse i takon një brezi të ri, me sukses i ka integruar të gjitha vetitë karakteristike që e përbëjnë letërsinë për fëmijë, në të cilën as Kosova nuk është pa traditë. Jam shumë i vetëdijshëm se edhe letërsia për fëmijë ka pasur emra të spikatur, sikurse edhe përrallat, fabulat e legjendat tjera, të cilat janë pjesë e letërsisë gojore edhe në truallin tonë, edhe ato janë rrëfyer e treguar mjaftueshëm, por tek vjershat e Erinë Rrahmanit shohim këndvështrimin specifik, krejt falë imagjinatës kaq të zhvilluar, për të treguar përralla të kohës moderne, me elemente dhe me mundësitë shumë më të zhvilluara se sa prodhojnë mjetet teknike të Intelegjencës Artificiale.

E, kur jemi te vjershat e Erinë Rrahmanit, detyrohem ta ritheksoj se nuk janë këthim mbrapa, janë vetëm fije të imagjinatës, të cilat janë parë në dritë të re, dhe janë zhvilluar në frymën e letërsisë moderne për fëmijë, sikurse edhe mënyra e vjershërimit i përketë frymës moderne, sepse vjershërimi është afinitet krijues i saj, pasiqë jam i sigurt, jo secili krijues a krijuese mund të rrëfejë një ngjarje fantastike në këtë mënyrë.

Si shembull janë vargjet: “Hera e parë që shijova lajthi/ Që rima bukur u rri”, (vjersha VJERSHA ME ERË LAJTHI, faqe 67-68). Po ashtu në një vjershë tjetër edhe shalqini krekoset që ka fara: “Një boston me fara/ Me turinj përpara/ Betohem tha n’çdo flegër/ Fjalën e bëjë vepër”, (faqe 69). Psikologjia e fjalës së shkruar në vjershat e saj, gjithnjë kanë synim edukativ dhe ndikues, edhe vjersha në fjalë e ka enigmën e saj.

Poetesha pyet:

Po si quhesh ti?

Se unë t’di si shalqi

Apo sa herë don

Emrin e ndërron?

Shalqini përgjigjet:

Mos ma ke inatin

Të tillë e kam fatin

Shalqi zemrën e kam

Lëkurën boston

Nga këto dy strofa do të zbulojmë enigmen e fabulës e cila strukturohet në formën e “kash e lashit”, për të provuar mendjen e fëmijëve se kush ia qëllon ose sekushi do të gjejë ndonjë frut tjetër që ka dy emra. Këtë enigmë e zbulon poetesha në strofën vijuese.

S’je unik o shok

Ka fruta me bollëk

Një Luleshtrydhe njoh

Dredhëz i thonë kudo

Debati në mes frutave do të përbyllet vetëm sipas imagjinatës që ka poetesha e cila fëmijëve ua lë gojen hapur kur një “Bostan babaxhani/ I hipi aeroplanit” dhe pastaj “Pemët që i zunë vëng/ I shtrydhëm i bëmë lëng”, (vjersha NJË FLEGËR SHALQI NË PLANETIN E RI, faqe 69-72). Pa asnjë dyshim letërsia për fëmijë është burim i dijes dhe është një intrpretim figurativ i frymës magjike, e cila tashmë është shndërruar në pasion krijues për këtë poeteshë e cila edhe në vjershën “Dhimbje planetare”, thotë se “Ndjej vuajtje planetare/ Ti më thua s’ka ngrohje globale?!/ Pyjet, m’i presin/ Çdo ditë njerëz të mirë më vdesin”, (faqe 74-75). Por dialogu i imagjinuar në mes Diellit dhe Tokës, ka një enigmë, ashtu siç shpreht poetesha në vargun e saj: “Më 22 prill do të bëjë dhuratë/ Rreze të kuqërremta gjithë ditën e gjatë”, pastaj Dielli do të flas: “Unë nuk jam doktor, toka ime e mirë/ Diagnozën tënde ta gjej e kam vështirë”, (faqe 77), dhe pasi buzëqeshja është simbolikë e librit, dhe vjershat iu kushtohen fëmijëve, poetesha në mënyrë magjike përmbyll vjershën me një porosi për Tokën: “Meqë je atdheu për kaq shumë fëmijë/ Të qeshurën e tyre ta kesh terapi”, (po aty, faqe 77).

Qasja fiktive, veçmas kur në vjershat e Erinë Rrahmanit është e përfshirë kryesisht fantazia që i mundësuaka këtë trillim mjaft realist, përmes të të cilit ajo zhvillon misterin e tërë imagjinatës duke iu bërë fiksion, kurse buzëqeshja do t’i shndërrohet në simbol i trillimit letrar.

Madje kjo poeteshë në funksion të imagjinatës ka një narrativë jofiktive, zakonisht kur ndodhitë e mundshme shkruhen me këtë stil humori që i bënë edhe të rriturit për të buzqeshur, të rinjtë dhe fëmijet gjithësesi. P.sh. “Ujku karshi/ Ia kupton frikën/ Ma zbukurove/ Ekspozitën”, duke mbyllur vjershën dhe librinë me vargjet: “S’jam si ujqit/ Nëpër fushë/ Arma ime/ Është veç kjo brushë”, (nga vjersha NJË QENGJ NË PËLHURË, faqe 83-84).

Me një fjalë, vjershat për fëmijë dhe të vegjlit të Erina Rrahmanit, priren për gjuhën e thjeshtë, kryesisht dominon strofa me katër vargje dhe me rimë mjaftë të përsosur, si dhe me një theks të veçantë në fiksion dhe me simbolin si narrativë të rrëfimit, prandaj vjershat e saj jo vetëm këto në librin, “HIQE MASKËN TA SHOH BUZËQESHJEN”, por kurdoherë, do të mbetën vlerë e këndshme e Letërsisë Shqipe për Fëmijë, këtu tek ne në Kosovë, dhe përgjithësisht në hapësirën kombëtare.


[1] Në vitin 2020 kur u shkrua kjo vjershë, bota përballej me një virus të papritur dhe në përmasa botërore. Covid-19 është pandemia e cila na ka bërë që të ruajm distancën që të mos infektohemi, të mbajmë maskë dhe të dezinfektojmë duart vazhdimisht. Është ky shënimi i vetë autorës në librin e pestë, “QYTETI PENTAGRAM“, faqe 25. Po ashtu është edhe poresia, Kujdes: Kjo vjershë lexohet pa maskë, por mund të mbajë erë dezinfektuesi!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat