Ishte një mëngjes që ajo do ta mbante mend gjithë jetën, jo për dritën e diellit, as për aromën e luleve të pranverës, por për britmat. Pa trupin e të atit të përplasej përdhe, ndërsa gjaku përhapej mbi dysheme si një liqen i ngrohtë. E hutuar, vrapoi drejt tij për ta përqafuar për herë të fundit. Ishte vetëm katër vjeçe.
Një paramilitar serb, i ftohtë si hekuri i prerë, e ngriti në ajër dhe thuajse e flaku mbi karrocerinë e një autotraktori të mbushur me njerëz - kryesisht gra dhe fëmijë - që kishin marrë rrugën e mërgimit për t’u larguar nga Kosova. Për nënën e saj askush nuk dinte çfarë kishte ndodhur, si kishte vdekur; veç shalli i saj, që atë ditë Nora e kishte rreth qafës, mbeti si një relike e gjallë e atyre ditëve të zeza.
Në atë karroceri, Iliri, vetëm tre vjet më i madh, dëgjonte ende zërat e vëllezërve që nuk i kishte më: pasi ua kishin marrë jetën, mbi trupat e tyre u kishin hedhur librat, i kishin vënë zjarr shtëpisë dhe e kishin lënë atë të vetëm. Vetëm ai kishte shpëtuar nga shtëpia, sepse fati kishte dashur ta mbante gjallë, edhe pse gjithçka u dogj para syve të tij e ishte bër tym e hi.
Kosova digjej. Të gjithë rendnin drejt Shqipërisë, të ndjekur nga hija e barbarisë që përhapej si një duhi e zezë. Nora dhe Iliri qanin; e qara e tyre jehonte thellë, por askush nuk mund t’i ngushëllonte. Dhe kështu, të mbetur jetim, mbërritën në Kukës. Aty, rrjedha e jetës mori udhë të ndryshme: autoritetet shqiptare e dërguan vajzën për në Tiranë, ku një familje e mirë e priti, e lau, e veshi dhe e vuri të flinte. Ajo nuk e lëshonte nga dora shallin e së ëmës. “Është i mamit,” pëshpëriste, duke rënë në gjumë të thellë, me lot që i rridhnin në faqe.
Edhe Iliri gjeti strehë te një familje tjetër shqiptare. Dhe kështu, dy shpirtra që kishin qenë pranë në dhimbje, u ndanë - pa e ditur se një ditë, rrugët do t’i çonin sërish drejt njëri-tjetrit. Rrugët e tyre u ndanë - nuk u takuan më, deri kur u bënë studentë.
Askush në Kosovë nuk dinte më për ta. Vajza u harrua si një gjethe e shkëputur nga dega - askush nuk e kërkoi, sepse askush nuk kishte mbetur. Atin ia kishin vrarë, nënën ia kishte përpirë nata e zezë e luftës. Ajo u kujtua e humbur, dhe askush nuk mori më ndonjë lajm për të. Çifti i ri shqiptar e rriti vajzën si të ishte e tyrja, e çoi në shkollë bashkë me fëmijët e vet. Shalli i bardhë qëndronte i palosur si një relike në dollap, por për Norën ishte gjithmonë kujtimi më i shtrenjtë: e vendoste nën jastëk dhe, ndonjëherë, e përqafonte sikur të ishte e ëma.
Nora rritej, bëhej një vajzë e bukur dhe e zgjuar, por e heshtur. Shpesh rrinte vetëm, pa folur, dhe netëve e përqafonte shallin e palosur të së ëmës. Nuk ishin të pakta netët kur flinte me të nën jastëk.
Iliri gjithashtu ishte bërë një djalë shtatgjatë, me sy të kaltër, biond dhe inteligjent, falë ngrohtësisë dhe kujdesit të atij çifti shqiptar, që tashmë ishte plakur, por që kishte bërë gjithçka për të. E kishin çuar në universitet, kujdeseshin për të si të ishte biri i tyre.
Një mëngjes vjeshte, ndërsa ecte mendueshëm para korpusit qendror të universitetit, vështrimi i tij, bashkë me atë të Norës, u ndal te njëri-tjetri. Një drithërimë e pazakontë iu përshkoi trupin. E njihte atë vështrim… përpiqej të kujtonte ku e kishte parë. I dukej sikur ai vështrim e kishte ndjekur gjatë gjithë jetës.
Ajo vajzë e bukur dhe e hijshme, me shallin e saj rreth qafës, ia trazoi shpirtin djaloshar. Një hutim i pazakontë e pushtoi. Ishte i përhumbur mes kujtimeve dhe një ndjenje të re. Kështu nisi ai vit shkollor: ai, student në vitin e tretë, dhe ajo, sapo kishte nisur studimet.
Në mëngjes, pasi përshëndetej me dy prindërit që e kishin rritur, ai vraponte drejt universitetit dhe priste ta shihte tek ecte për t’u futur në auditor. Një ditë i doli përpara dhe, pasi e përshëndeti, e ftoi për një kafe.
Ajo hezitoi fillimisht, por nuk mundi t’i bënte ballë vështrimit të tij të ëmbël, fisnikërisë mashkullore dhe edukatës së tij të rrallë. E kështu, pak nga pak, mes tyre nisi një ndjenjë e ëmbël dhe e thellë. Tani ai ishte bërë më i gjallë, më i vrullshëm, dhe lumturia e tij nuk kaloi pa u vënë re nga prindërit. Edhe ajo, sikur ishte zbukuruar, i kishte rënë një hije magjie e ëmbëlsi.
Ndjenja e tyre u bë e fortë dhe ata e shihnin njëri-tjetrin si dhuratën më të çmuar të jetës. Një ditë, Iliri e pyeti për shallin që ajo mbante shpesh. Ajo nisi të dridhej dhe, me sy të përlotur, i tregoi për mëngjesin kur i kishin vrarë të atin dhe shallin që kishte mbetur i vetmi kujtim nga e ëma. Teksa fliste, Ilirit iu drodh trupi; ai vështrim, ata sy… i ringjallën kujtimin e asaj karrocerie të mbushur me njerëz. Iu kujtua ajo pranverë e vitit 1999, shtëpia që digjej, trupat e vëllezërve, librat mbi ta dhe flakët që përpinë gjithçka.
Historia e përbashkët forcoi lidhjen e tyre edhe më shumë. Tani i lidhte jo vetëm dashuria, por edhe rrënjët e përbashkëta të dhimbjes.
Ajo përfundoi studimet dhe të dy u stabilizuan në punë. Një ditë, vendosën të shkonin në Kosovë për të kërkuar varret e të dashurve të tyre. Rrugët i çuan në Mejë, në "Lëndinën e Mejës," ku ishin varrosur pa emra e gurë baballarët, nënat, vëllezërit… një fushë dheu që mbante në barkun e saj qindra zëra të mbytur.
Kur mbërritën, Nora ndjeu sikur toka vetë rënkonte nën këmbët e saj. U mbështet në krahun e Ilirit, që të mos binte. Ai e mbante fort, edhe pse edhe vetë dridhej.
- Këtu… këtu i kanë hedhur… - pëshpëriti ajo.
- Po… edhe vëllezërit e mi këtu janë… - iu përgjigj Iliri me zë të shuar.
U ulën në gjunjë. Nuk dinin ku të luteshin, ku të vendosnin një lule, ku të qanin. Sepse aty ishin të gjithë, dhe njëkohësisht asnjëri.
Iliri nxori një letër të vogël me emrat e të atit dhe vëllezërve. Nora nxori shallin, deshi ta linte aty, por Iliri i tha:
- Jo, atë do ta mbajmë… është ura që të lidh me nënën.
Vendosën tufat e luleve mbi dhe, si një prekje, një kujtim, një lutje. Ajo kuptoi se, sado që lufta ua kishte marrë gjithçka, nuk mund t’u merrte dot kujtimet. Dhe me Ilirin pranë, jeta e saj nuk ishte më rrënojë, por një fillim i ri.
Makina mori udhën për në Tiranë. Ajo qëndronte pranë dritares, duke ndjekur rrugën bosh që shkëlqente në dritën e hënës.
- Ilir… - pëshpëriti ajo.
Edhe ai kishte humbur në mendime.
- Tani do të kthehemi shpesh këtu… - foli ai si për t’iu përgjigjur psherëtimës së saj dhe e përqafoi.
Në makinë mbretëronte një heshtje që nuk kishte nevojë për fjalë. Ishte udhëtimi i përbashkët që i lidhte më shumë sesa çdo gjë tjetër në jetë.
Po atë natë, kur u kthyen në Tiranë, Iliri i tha se nuk do të shkonte më në shtëpinë e saj. Donte ta prezantonte si nusen e tij para prindërve që e kishin rritur si fëmijën e tyre.