​Sopranoja me famë botërore zbarkon në Prishtinë

Kultura

​Sopranoja me famë botërore zbarkon në Prishtinë

Më: 7 qershor 2025 Në ora: 15:02
Ermonela Jaho

Kosova duhet ta ketë shtëpinë e operës që të gjithë artistët të kenë të ardhmen e tyre, u tha në një konferencë për media një ditë para gala-koncertit madhështor nga opera dhe Filarmonia e Kosovës, me sopranon e famshme botërore Ermonela Jaho në Prishtinë.

Sopranoja Ermonela Jaho përkujtoi se Kosova ka shumë talente, por të cilave iu mungojnë kushtet e nevojshme, raporton KosovaPress.

Jaho: Kosova ka nevojë për shtëpie opere

“Ka kaq shumë dashuri e energji pozitive cilësia është rritur dhe ky koncert ka treguar punën që kemi bëtë të gjithë që meritojnë shtëpinë ku japin më të mirën, të cilës do t’ia kishte zili e gjithë bota. Një shtëpi opere që do të kurorëzonte dhe kulturën e Kosovës, do të mblidhte të gjithë këta talente. Pata takim me artistët e rinj në fakultet, kështu që unë vij si artiste, por edhe me një detyrim shpirtëror moral që të bëjmë të mundur që ku një shtëpi opere të ndërtohet, sepse është e domosdoshme”, tha Jaho.

Abigeila Voshtina, koncert mjeshtër, u shpreh se mjeshtrit e rinj të operës duhet ta kenë shtëpinë e operës dhe mos të largohen si Voshtina e Jaho, pasi që atyre nuk iu është dhënë mundësia ta përfaqësojnë vendin tonë.

Voshtina: Nuk është e drejtë që në vitin 2025 të marrim valixhen

“Ne kemi parë që shqiptarët janë në gjendje për të bërë gjithçka për t’u përshtatur me rregullat e çdo shteti dhe nuk zbresim dot në shtëpinë tonë. Idealin e keni të gjithë, kështu që ju lutem do të jetë një udhëtim me të cilin me të vërtetë do të mendoni se pse nuk e keni bërë më parë këtë. Kosova duhet ta ketë shtëpinë e operës që të gjithë artistët të kenë të ardhmen e tyre. Nuk është e drejtë që në vitin 2025 të marrim valixhen dhe të bëjnë të njëjtën gjë që unë dhe Ermonela e bëme”, tha Voshtina.

Kryesuesja e bordit të operës Rreze Kryeziu tha se prania e Jahos në këtë koncert po bashkon njerëzit.

Kryeziu: Ermonela Jaho ka tejkaluar kufijtë me fuqinë e saj të artit

“Ermonela na ka dhënë një mësim tjetër dhe kthese jo vetëm për komunitetin, por të gjithë shoqërinë tonë. Ky është një moment historik ardhja e Ermonelës, nuk po flas vetëm për institucionet por në emër të gjithë qytetarëve të Kosovës. Nuk është dhe nuk prezanton vetëm një emër të madh botëror. Ajo ka dëshmuar përmes fuqisë të artit të saj ka tejkaluar kufijtë dhe po bashkon njerëzit dhe këtë po e bën edhe te ne”, tha Kryeziu.

Nesër, nga ora 20:30 në sheshin “Skënderbeu në Prishtinë, do të mbahet koncerti gala nga opera dhe filarmonia e Kosovës me sopranon Ermonela Jaho e maestro Jakopo Sipari di Pescasseroli.

E lindur në Shqipëri, Ermonela Jaho studioi kanto në Konservatorin e Tiranës dhe në Akademinë Kombëtare të Shën Cecilisë, Romë. Ajo jeton në Nju Jork. Repertori i saj varion nga baroku në epokën e Verismos dhe Bel Canto. Ajo performon në skenat kryesore ndërkombëtare dhe është e njohur për performancat e saj të Violetta Valery (La Traviata), Madama Butterfly, Suor Angelica (Il Trittico) dhe Adriana Lecouvreur.

Në vitin 2023, ajo u nominua "Artiste e Vitit" në Çmimet Ndërkombëtare të Muzikës Klasike (ICMA) dhe regjistrimi i saj i Turandot, i publikuar nga Warner Classics / Erato, është përzgjedhur për regjistrimin më të mirë të Operas nga revista Gramophone. Ajo gjithashtu fitoi çmimin e muzikës vokale ICMA 2021 me albumin e saj "Anima Rara". Si ambasadore e Opera Rara, ajo është e angazhuar për të rizbuluar operat e harruara të shekujve 19 dhe 20. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat