Në një cep të harruar të botës, aty ku pyjet e Amazonës flasin në gjuhë të heshtura që vetëm erërat i kuptojnë, Marini pa një djalë. Jo në realitet, por në një dokumentar të vjetër, në një ekran të vogël, kur nata kishte zbritur pa zhurmë.
E quajtën Tuar. Ishte në moshën e tij, por kishte diçka ndryshe -sy që nuk shikonin botën për ta kuptuar, por për ta dëgjuar. Ai jetonte mes një fisi që nuk njihte orë, nuk mat kohën me ditë a me vite, por me rrënjë, degë e yje. Aty, burrëria nuk lind nga fjalët, por nga një natë e vetme. Natë e shenjtë, kur djaloshi duhet të dëgjojë pyllin - jo me veshët, por me shpirtin.
Marini ndjeu diçka. Një thirrje të heshtur. Në atë çast, ai ishte tashmë atje.
Zjarri gufonte në mes të rrethit si zemra e pyllit - ngrohtësi që rri pezull midis frymës dhe hirit.Rreth tij, pleqtë rinin të heshtur. Nuk flisnin, nuk jepnin urdhra. Kënga e natës nuk këndohej me zë, por me frymë, me tym, me dritë të dridhur.
Tuar qëndronte ulur, me një degë të gjelbër të Pemës së Jetës në dorë. Një shenjë. Jo për t’u parë, por për t’u ndjerë. Në heshtje, ai e mori Marinin për dore. Dhe pa i pyetur askush, pa e kërkuar askush, të dy u ngritën dhe ecën drejt pyllit, drejt asaj që nuk ka emër.
Asnjë udhëzim. Asnjë fjalë. Vetëm zhurma e hapave në dhe. Toka dukej si të merrte frymë nën ta.
Pema e Shenjtë priti. E vjetër sa vetë nata, trungu i saj ishte i ngrohtë dhe i gjallë. Tuar e preku. Heshti. Dhe zëri erdhi -jo si tingull, por si dridhje që ngrihej nga rrënjët e dheut, kalonte në dorën e tij, ngjitej në kraharor dhe pushonte në zemër.
“Ti je rrënjë e re, Tuar,
por në ty jeton e vjetra.
Mbroje pyllin.
Dëgjo heshtjen.
Mos thuaj asnjë fjalë që nuk është e domosdoshme.”
Tuar u kthye. Ia zgjati degën Marinit.
-Preke. Dëgjo.
Marini afroi duart. Trungu ishte i ngrohtë, si shpatulla e një gjyshi që nuk është më. Por në prekje, një ftohtësi e mprehtë i përshkoi kockat. Një zë i ashpër, i largët, si guri në shpat të malit, i tha:
“Ati yt, atje në Bjeshkët e Namuna, pret pa ndalur. Pemët bien njëra pas tjetrës. Dhe një ditë, toka do të qajë për heshtjen që s’folët.”
Marini hapi sytë. U largua ngadalë nga pema, duke ndjerë se një pjesë e tij kishte mbetur aty - si fletë në një degë tjetër.
Të nesërmen, ata zbritën në fshatin e vogël. Fisi priste në heshtje. Askush nuk duartrokiste. Nuk flitej. Sytë i ndiqnin, me respektin e heshtur që u ruhet atyre që janë ndryshuar nga diçka që nuk kuptohet.
As Tuar, as Marini nuk folën.
Por diçka kishte ndodhur.
Sepse tani të dy e dinin:
Zëri më i vërtetë është ai që lind nga brenda.
Ai që nuk tingëllon në vesh, por që dridhet në shpirt.
Thuhet se Marini u kthye nga Amazonia. Ose ndoshta u zgjua nga një ëndërr që nuk kishte filluar kurrë. Në mëngjes, pa babain e tij në verandë, me cigaren e zakonshme në dorë, me sharrën në krah.
- Babi, - tha, - mos e presim më pyllin.
- Pse?
- Sepse mund ta dëgjosh. Por vetëm nëse hesht. Dhe vetëm nga brenda.
Babai nuk foli. Vetëm e vështroi, si për herë të parë.
Marinit iu duk se pleqtë atje, në atë fshat të largët të Amazonës, ulën kokat. Ndërsa fëmijët e ndiqnin me sytë që dëgjonin më shumë se veshët.
Fëmijët sytë.
Pylli mori një premtim. Dhe e mbajti.
Emri i Tuarit - një djalë që dëgjoi - u bë frymë që endet nëpër degë, në çdo zhurmë që s’është zhurmë, në çdo gjethe që dridhet pa emër, pa shkak.