Qyteti ngjante gjithmonë i njëjtë në mëngjes: trotuare të lagura nga vesa e natës, karrige bosh të kafenesë përballë shkollës dhe një lloj zhurme që vinte nga brenda njerëzve, jo nga rrugët.
Elioni nuk kishte menduar kurrë se do ta ndiente diçka të tillë. Ishte nga ata djem që rrinin në fund të klasës, që flisnin pak dhe dëgjonin gjithçka. Librat i donte, por ndjenjave u frikësohej. Jo sepse s’kishte, por sepse nuk dinte si t’i administronte, si të mos i thyente.
Ndërsa Arlinda, me flokët që i binin pak mbi sy dhe hapat i kishte gjithnjë pak të shpejtë, si të donte të mbërrinte diku që s’e dinte. Kishte një buzëqeshje që nuk e shpërndante me kujdes, por që linte gjurmë kur shfaqej.
Ishin takuar bashkë në olimpiadën e letërsisë e pas saj Elioni, që për atë ditë… ajo ditë ishte ndryshe, e kishte ftuar që të pinin një kafe. E pas këmbënguljes së tij, Elioni dhe Arlinda kishin përfunduar ulur në të njëjtën tryezë, në të njëjtin cep të kafenesë që zakonisht shërbente si strehë për studentë të përgjumur.
Në fillim, heshtja ishte e sikletshme. Por heshtja ndër ta nuk zgjati shumë. Ajo i kishte bërë një pyetje pa shumë rëndësi dhe ai i ishte përgjigjur. Por nuk ishte përgjigjja që i mbeti asaj në mendje. Ishte mënyra si ai e kishte parë. Një vështrim i thellë, i përmbajtur, si të donte të thoshte më shumë sesa i lejohej.
Ai çast më duket se s’kishte emër. Atje, në një cep të vogël të kafenesë përballë shkollës, ku gotat fëshfërinin nga pakujdesia e adoleshencës dhe zhurmat ishin si një perde për të fshehur emocionet, ai dhe ajo rrinin pranë njëri-tjetrit.
Në fakt, në dukje nuk ndodhte asgjë... megjithatë gjithçka po ndodhte.
Ai nuk dinte nga të fillonte apo si të fliste. Çdo fjalë që i vinte në mendje i tingëllonte e gabuar. Por po ajo dorë që i dridhej nga një ndjenjë që nuk e kishte provuar kurrë më parë, nuk dinte ku ta vendoste. E lëvizi ngadalë dhe e vendosi mbi kofshën e saj, të çliruar nga pala e fustanit.
Vështrimi i saj pyetës u ndal në vështrimin e ëmbël të tij, ndërsa ajo dorë që ishte vendosur pa leje mbi kofshën e saj, e kishte përshkruar me një drithërim që përshkoi nga koka te këmbët.
Në atë prekje pa fjalë, si të kishte lindur një ëndërr, edhe pse asnjëri nuk foli, dukej sikur zemrat e tyre kishin folur, që dridheshin për disa çaste duke vështruar sy më sy, si të donin të kuptonin atë që po ndodhte mes tyre.
Lokali pothuajse ishte boshatisur, shokët e tyre kishin shkuar në mësim, por ata ishin harruar aty – po harronin mësimin, sepse në fund të fundit shkolla ishte për të mësuar diçka të re, dhe brenda tyre po mësonin atë që nuk mund të thuhej me fjalë - një ndjenjë të re që u fliste së brendshmi dhe i bënte të përjetonin atë ndjesi që të trondit kur zemra flet.
Ai i përkuli ngadalë kokën dhe, pa mundur të rezistonte më tej, buzët e tij plot epsh i mbështeti mbi buzët e saj që shponin flakë epshi. Ajo puthje e kishte ndjekur kudo – e ndiente në koridoret e shkollës ndërsa ecte shkujdesur me librat e ngjeshur në gjoks, sikur donte të ndalonte ritmin e zemrës që rrihte aq fort.
Ecte dhe nuk kuptonte çfarë kishte mësuar atë ditë. Nuk kujtonte as titullin apo kapitullin e ndonjë lënde mësimi dhe nuk dinte pse e hutonte dhe i shkëpuste mendimet ai moment, ajo puthje si një besim i brishtë.
Ajo ecte ashtu, e humbur në ato mendime që i shkëpuste herë pas here ai moment, si të ndiente frymëmarrjen e tij të ngrohtë dhe ledhatimin e tij që e kishte kudo me vete, diku brenda saj, aty në një cep të zemrës.
Ai i kishte prekur një pjesë të shpirtit që as vetë nuk e dinte se ekzistonte. Në një fletore të saj, pas një ushtrimi të matematikës, kishte shkruar pa vetëdije:
“Disa çaste nuk lindin për t’u mbajtur mend, por për t’u ndjerë përgjithmonë.”
Ditët kalonin dhe ajo puthje, ai çast i pashuar, vazhdonte të qëndronte në mendjen e tyre si një melodi që nuk shuhet. Asgjë nuk ishte thënë me zë, por gjithçka ishte ndjerë thellë brenda zemrës.
Ata ishin në klasa të ndryshme, edhe pse në të njëjtin vit të gjimnazit, por nuk u jepej mundësia të flisnin shumë. Megjithatë, në çdo vështrim, çdo buzëqeshje apo çdo sy të shkelur, kishte një gjuhë të re që ata po mësonin – një gjuhë që fliste së brendshmi dhe që i ftonte në një dëshirë dhe besim për të qenë pranë njëri-tjetrit.
Vetë ata i kishin mësuar njëri-tjetrit, kishin ushqyer te njëri-tjetri atë ëndërr të bukur që gjithnjë e më shumë bëhej e pashqitshme, më e fortë, më e bukur.
Gjithçka dukej se po ecte në rrjedhën e vet, derisa një ditë, në korridorin bosh të shkollës, Arlinda – sapo doli nga mësimi – e pa Elionin me njërën prej vajzave të shkollës. I flisnin njëri-tjetrit me një fjalor të zgjedhur e mjaft poetik, të mbushur me fjalë plot dashuri.
Nuk kishte pritur dhe nuk kishte dashur të dëgjonte fundin e bisedës; iku me hapa të shpejtë drejt daljes së shkollës. Por as vetë nuk e kuptoi pse ishte përlotur dhe kishte filluar të dridhej ashtu. Donte të ikte sa më parë, të zhdukej, edhe pse nuk dinte ku donte të shkonte.
Ajo që kishte parë në fundin e korridorit e kishte tronditur pa masë, aq sa as të nesërmen nuk shkoi në shkollë. Madje, as një ditë më pas. Telefonin e kishte fikur dhe vetëm qante.
Elioni kishte qëndruar gjatë atë pasdite në shkollë, pasi po përgatiste një shfaqje teatrale që së shpejti do të jepej në qytet. Atij i ishte ngarkuar roli i Romeos, ndërsa shoqja e tij e klasës luante Xhuljetën. Kjo gjë i merrte shumë kohë, aq sa pothuajse kishte harruar gjithçka tjetër. Kurse për Arlindën kishte menduar se nuk po e shihte ngaqë ishte e ngarkuar, ose oraret nuk përkonin që të takoheshin, edhe pse zemra e tij nuk flinte – rrinte me të, në çdo fjalë e mendim të tij, në çdo fjalë dhe interpretim që bënte në skenë gjatë përgatitjes teatrale.
Ditët kalonin, por mungesa e saj nuk i ngjante asnjë boshllëku tjetër. Elioni shëtiste i vetëm në oborrin e shkollës, ulej në vendin e zakonshëm të kafenesë, por gjithçka dukej pa ngjyrë.
E kishte kuptuar se kishte ndodhur diçka, por kurrsesi nuk ia merrte mendja çfarë. Nuk e imagjinonte. Ato tri ditë që ajo kishte munguar në shkollë kishin qenë për të tmerr dhe një vetmi mbytëse, që sikur po i merrte frymën.
Kishte rendur drejt klasës së saj, por aty nuk ishte askush. U ndal te banka e saj. E hapi sirtarin e tavolinës ku ajo kishte lënë një bllok shënimesh. E hapi dhe pa disa gjëra shpejt, por nuk kishte kohë pasi niste prova gjenerale. Kështu që, pasi e vendosi bllokun në vendin e vet, nxori ftesën për ta ftuar atë të merrte pjesë në shfaqje dhe u largua drejt Pallatit të Kulturës së qytetit.
Pas përfundimit të provës gjenerale - siç e kishin cilësuar provën e fundit para shfaqjes - ai mori telefonin dhe formoi numrin e saj. Më së shumti për të dëgjuar zërin e saj, për të folur me të, por edhe për ta ftuar në shfaqjen që do të jepej të premten pasdite.
Por u befasua nga përgjigjja e saj:
- Ti nuk më pe kurrë siç të pashë unë.
Por u befasua nga përgjigjja e saj:
- Ti nuk më pe kurrë ashtu siç të pashë unë.
Dhe pastaj... heshtje. Ajo e kishte fikur telefonin. Pa një fjalë tjetër.
Ai ndjeu sikur gjithçka kishte humbur. Por pse?
Ishte dita e shfaqjes kur Arlinda u shfaq sërish në shkollë. E kishte dëgjuar se pasdite do të jepej ajo shfaqje. Por nuk i kishte dhënë rëndësi. Të paktën, kështu kishte thënë vetes.
Elioni s'e dinte nëse ajo kishte parë ftesën e tij. Ishte i shqetësuar, i trazuar – kërkonte me ngulm një përgjigje: ku kishte gabuar? Çfarë kishte bërë që ajo ta largonte me aq ftohtësi?
Ariola, ndërkohë, hapi sirtarin për të vendosur librat. Por aty, sipër bllokut të saj, ra në sy një ftesë. E kapi me dorë për ta shqyer... por sytë iu ndalën në titull:
“Romeo dhe Xhuljeta – në interpretimin e Elion...”
Një emocion i papritur i përshkoi trupin. Me ftesën në dorë, doli me nxitim nga klasa. Nuk e dinte çfarë kërkonte – një rrugë, një ndjesë, një vend ku të fillonte nga e para.
“Nuk dua të jem një kapitull i mbyllur për ty... nëse ende dëshiron të më pranosh.”
Minutat rridhnin, por mungesa e tij i dukej si një zbrazëti që nuk mbushej më me asgjë. Ajo e kishte kuptuar: kishte folur pa menduar, kishte vepruar nga dyshimi... dhe e kishte lënduar. Elioni nuk kishte qenë as i ftohtë, as i largët – vetëm i pasigurt. Dhe kishte dashur të tingëllonte i fortë.
Por fjalët e saj, si guri në ujë të qetë, kishin krijuar një dallgë që tani nuk mund të ndalej. Ai ishte larguar, pa ditur të vërtetën e asaj që ndodhte në zemrën e saj.
“Por s’mund të harroj atë çast... kur më pe si askush tjetër.”
Ajo e kishte kuptuar se kishte mësuar diçka. Tani ishte radha e saj ta ndreqte.
Kur mbaroi mësimi, ajo po priste fillimin e shfaqjes. E vetme, në një cep të kafenesë, kujtonte si ai, pa thënë asnjë fjalë, i kishte dhuruar ndjesinë më të thellë që kishte njohur ndonjëherë.
Hapi bllokun, dhe në një fletë të bardhë, shkroi me dorë të dridhur:
“Të dua, Elion.”
Dy pika loti rrodhën pa u ndalur. U ngrit dhe u drejtua për nga Pallati i Kulturës. Në mes të zhurmës rinore, u fut mes turmës dhe kërkoi një vend. Pa hezitim, zgjodhi rreshtin e parë, pranë skenës.
Regjisori jepte udhëzimet e fundit. I afrohet Elionit dhe i flet me zë të ulët, por i ashpër:
- Nuk kuptoj ç’të ndodhi në provën gjenerale. Ishte dobët. Të lutem, përqendrohu. Tani është koha jote.
- Elion! - u dëgjua një zë nga salla.
Ai u kthye menjëherë. E pa. Ajo po qëndronte atje – më e vërtetë se kurrë.
Pa thënë asgjë, i zgjati një letër. Në të, me shkronja të kuqe, shkruhej:
“Të dua, Elion.”
Një zemër e vogël, dhe poshtë saj:
“Suksese.”
Ai deshi të thoshte diçka, por ajo u zhduk mes rreshtave, për të zënë vendin e saj. A thua po fluturonte prej ndjenjës që e mbante pezull?
Salla ra në heshtje. Në skenë, Romeo dhe Xhuljeta.
Kur Elioni u shfaq, shpërtheu një stuhi duartrokitjesh:
- Elion! Elion!
Ajo qau. Tashmë e dinte: prania e saj kishte qenë e domosdoshme.
U ngrit nga vendi dhe, pas perdes, hyri në prapaskenë. Ai po ndërrohej, kur ajo u shfaq në derë.
Sytë e tyre u takuan. Nuk kishte nevojë për fjalë. Ai e tërhoqi për dore dhe e futi brenda.
Nuk ndjente më vetëm dashuri. Ndjente përmbushje. Një ndjenjë që nuk kishte forcë, por pushtet. Jo pushtet mbi trupin e saj – por mbi shpirtin, mbi frymën, mbi gjithë ato fjalë të pathëna që vetëm dashuria mund t’i shndërrojë në kuptim.
Dhe bashkë me të, ai përjetoi atë çast...
...që nuk do të kishte fund.