Në çiflik të vogël, në majë të një shpati,
Jetonte Agai me luks dhe stil burokrati,
Rreth e rrotull lakuriq, pa fije të moralit,
Me verë edhe raki, në kulm të skandalit.
Shërbëtori i shkretë, me rrobat e leckosur,
Mbante tabakanë me fytyrë të katranosur.
Papritur Agai, në krahët e verës e rakisë,
E thirri me britma, punëtorin e çifligarisë:
- Pse ti kështu dukesh, me pamje zhelan,
Sikur vjen nga fronti i luftës me talibanë?
Nesër me dritë, eja për pagesën në dorë,
Merr kostum e kravatë, s’e na bëre horë!
U gëzua shërbëtori, nuk vuri gjumë në sy,
Shkoi te rrobaqepësi me shumë kënaqësi.
U vesh bukur ashtu si në ndonjë festival,
Të nesërmen te Agai, trokiti me ngadalë.
- Hyn! - i thotë Agai - Ç’je veshur si zotëri?
- Erdha për premtimin, që ma dhe si porosi.
- Ik more hajvan! Kam qenë i dehur tapë,
Mos më dil para me këto kostume prapë!