Don Gjergj Berisha (1947 - 2002)
Sëcili njeri ka nevojë të ndjejë atë që ka bërë diçka në jetë dhe është nevojë e domosdoshme që t’a ndjejmë të gjithë vlerësimin e asaj që dimë të bëjmë jo vetëm për vete por edhe për të tjerët.
Të jeni atdhetar i mirë, jeni edhe fetar i mirë, apo nuk je fetar i mirë, nëse nuk je atdhetarë i denjë, kështu do të filloja portretin e priftit dhe atdhetarit don Gjergj Berisha, i cili gjatë luftës 1999, u doli përballë ushtrisë dhe paramilitarëve serb në hymje të fshatit Balldrin(Doblibare) duke qëndruar në gjunjë para tyre, të cilin e detyruan të ecën ashtu i gjunjëzuar më se 50 metra para kolonës së hekurt, ndërsa prifti duke i lutur ata, që mos të hynë në fshat për t’a dëmtuar popullatën e pafajshme.
Realiteti i kësaj ngjarje është sjellë nga popullata e vendit dhe sytë e tyre para kësaj tragjedie të mundshme, të cilët i kishte kapluar frika dhe shqetësimi, që ishte më afër se kurrë deri te një ç’farosje masive, kur rreshti i tankëve dhe ushtarëve e paramilitarëve serb kishte marrë drejtimin që qonte prej rrugës Gjakovë- Klinë-Prishtinë, që ndahet nga kodra e fshatit Meqe, në drejtim të fshatit Ballëdrin(Doblibare).
Ishte një rast i veçantë për të kuptuar se jeta nuk priste shumë, në fakt ishin fëmijët, gratë dhe pleqtë, me ç’rast ishte i mbushur tërë fshati me popullatë nga pjesët tjera të vendit, ku sëcila shtëpi e fshatit kishte pranuar me dhjetra e njerëz e më shumë, të ardhur nga komuna e Klinës, nga anadrini, dhe nga pjesa e Drenicës, në veçanti kisha Katolike e fshatit ishte e tëra e mbushur me fëmijë, gra dhe pleq, duke zënë vend në këtë tempull fetar, njerëz pa dallim feje dhe përkatësie.
Fshati Balldrin (Doblibare) gjindet në rajonin e Dushkajës, gjegjësisht shtrihet në perëndim të rrjedhës së djathtë të lumit Drini Bardhë, dhe në lindje shtrihet me qytetin e Gjakovës, ndërsa në verilindje kufizohet me fshatin Meqe, në veri me fshatin Vraniq dhe në jug me fshatin (Bërdosanë) apo Bardhoshan.
Janë disa karakteristika që e veqojnë këtë fshat, sepse përveq që bënë pjesë në vendbanimet rrafshinore të periudhës romake, ka edhe disa dokumente të shkruara në Defteret e Sangjakut dhe Shkodrës, të vitit 1582, kur ky fshat kishte vetëm 18 shtëpi, dhe ishte nën udhëheqjen e Pejës, ndërsa sot i ka më se 400 shtëpi të banuara me shqiptarë, dhe bënë pjesë një ndër fshatrat e mëdha të qytetit të Gjakovës, me që ekzistojnë edhe disa shënime të tjera që i takojnë këtij fshati, të cilat janë të ruajtura në regjistrat e Kishës së Zymit, të regjistruara që nga viti 1842 dhe deri në vitin 1918.
Karakteristike tjetër e këtij fshati është se, në bazë të gjurmëve arkeologjike ky lokalitet i takon një vendbanimi të lashtë ilir, me ç’rast në juglindje të fshatit është ruajtur ende toponimi „Qereminët“, apo arat “Qeremidane”, që do të thotë se këto troje kanë qenë vendbanime ilire, ndërsa sot ato troje janë ara punuese dhe sa herë punohen këto ara, dalin objekte, apo qeremine të mbetura të kohës antike të periudhës ilire.
Këtu në këtë fshat e tërë popullata i takon konfesionit katolik shqiptar, por ekziston edhe një familje e konfesionit shqiptarë-musliman, ajo e Shehit të Doblibarës, apo Shejh Mehmetit, ku jeton stërnipi i tij Sheh Ceni, i cili jeton së bashku me familje dhe shërben në këtë Tyrbe, ku gjindet edhe Teqja.
Motivi i ndërtimit të Tyrbës në Doblibare, është ruajtur si gojëdhënë, kur kishte vdekur një njeri i mirë, i quajtur Sahit Deda nga Krusha e Vogël dhe kufomën e tij e vendosin në një qerre, për t’a varrosur dikun sipas ritit fetar, por kur ishin ardhë në hymje të fshatit Doblibare, kufoma ka lëshuar gjak dhe sipas traditës fetare në këtë vend ndërtohet Tyrbja, e cila gjindet edhe sot në këtë fshat. Mirëpo, në udhëtim e sipër qerrja që barte kufomën demolohet dhe shkatërrohet në fshatin Bec, me ç’rast aty e varrosin Sahit Dedën, në ç’vend ndërtohet Tyrbja, kushtuar këtij përsoni në fjalë, e cila gjindet edhe sot, me emrin Tyrbja e Sahit Dedës.
Në fshatin Balldrin (Doblibare), kishte pasë edhe më herët një kishë edhe sipas dëshmive dhe arkivave, gjatë gropimëve të thëmeleve në vendin e quajtur Kodra e Shehut, janë gjetur kryqe me mbishkrime të vjetra romake, që dëshmojnë ekzistimin e kishës para mesjetës, por pushtimet osmane dhe sllave e bënë të vetën, dhe për zbulimët arkeologjike të mëtutjeshme u angazhue përsonalisht prifti i këtij fshati don Gjergj Berisha, por pas vdekjes së tij ato shënime u asgjësuan dhe keqpërdorën nga përsona të pandërgjeshëm.
Don Gjergj Berisha shërbeu në disa vende të ndryshme të Kosovës, i cili ishte jo vetëm një prift i kishës katolike, që predikonte fjalët e zotit, por ai ishte dhe një meshtar i zellshëm, një edukator i mirëfilltë, poashtu edhe një atdhetar i denjë, të cilin nuk e trembën as tytat e pushtuesit serb.
Don Gjergj Berisha, lindi më 18.o8.1947, në fshatin Tereziaj (famullia e Stublles), prej një familje fisnike dhe atdhetare, ku shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa gjimnazin klasik në Pazin dhe studimet filozofike-teologjike në Gjakovo të Kroacisë. Shërbeu si meshtar një kohë të shkurtër në Katedralën e Prizrenit, mandej në Kishën e Zllakuqanit, afro tri vite, në vendin ku kishte shërbyer edhe At Shtjefën Gjeqovi.
Mandej, urdhëri ipeshkëvnor e drejton në famullinë e Becit, aty ku kishte shërbyer edhe axha i tij don Pjetër Berisha, një prift dhe atdhetar i devotshëm, i cili ishte burgosë për çështje kombëtare. Dhe prej vitit 1981, deri në ndërrimin e jetës së tij, në shkurt të vitit 2002, don Gjergj Berisha, shërbeu në fshatin Balldrin (Doblibare).
Atdhetarizmi i priftit!
Ishte viti 1999, viti i luftës së tmershme në Kosovë. Prifti don Gjergj Berisha, qëndronte së bashku me popullin në këtë fshat, i cili kujdesej për strehimin e tyre, për ushqime dhe veshmbathje, duke rënë shpeshherë përballë kërcnimeve dhe tytave të ushtarave e paramilitareve serb. Kisha e fshatit ishte plot e përplot me fëmijë, gra dhe pleq, të cilët ishin nga trevat e ndryshme të rajonit, pa dallime fetare e kombëtare.
Disa herë prifti u kërcnua nga pushteti serb dhe shumë herë qëndroj para tytave të tyre, që mund të ekzekutohej pa mëshirë, duke i dhënë urdhër priftit, që ta largonte popullatën nga Kisha, posaqërisht të besimit musliman, ose do të vrasim ty dhe ata të gjithë që i ke grumbulluar në Kishë. Por, don Gjergjit, as që i shko në mendje t’a bëjë një gjë të tillë, duke ju thënë vrastarëve serb, ju mua mund të më vritni, ata janë të pafajshëm dhe këtë popull do ta mbrojë pa dallim.
Vetëm në këtë mënyrë njeriu mund të tregonte ndjejnjën atdhetare pa e kursyer vetën, duke parë jetën dhe vuajtjen që ka pësuar populli shqiptarë, i cili gjindej në momentet e shkatërrimit dhe asgjësimit të përgjithshëm, nga projekti që kishte planifikuar regjimi serb, i quajtur plani „Patkua“, që e kishte domëthënjën jo të mbrojtjes së konfesionit katolik, siq e përshkruanin disa shqipfolës në opinion, por në përfundim të misionit të tyre fashizoid, të asgjësojnë çdo qenje shqiptare pa dallim, sepse shqiptarët para tyre ishin të njejtë.
Energjia dhe vullneti i don Gjergj Berishës, edhe pas luftës vazhdoi pa u ndalur, sepse tani nevojat ishin edhe më të mëdha për popullatën, të cilëve lufta u kishte shkatërruar e djegur pronat dhe shtëpiat e tyre, duke mbetur pa strehë dhe pa bukë.
Don Gjergji, vepronte dhe korespondonte me shumë Organizata të huaja Ndërkombëtare, që arritën pas luftës në Kosovë, pasaqërisht me Karitasin Zvicërran dhe përmes tyre e ndihmoi popullatën ku ishte më e nevojshme, sidomos në ndërtimin dhe riparimin e strehimit të tyre, si dhe me ushqime e veshmbathje, duke mos dalluar dhe menjanuar ndonjë familje, pa marrë parasysh se cilit konfesion i takon, duke i ndihmuar edhe shumë familje të varfëra nga fshati Cërmjan, Rakovinë dhe të tjera familje që kishin nevojë urgjente në riparimin dhe ndërtimin e shtëpiave të tyre.
Në fshatin Balldrin(Doblibare) me iniciativën e Don Gjergjit dhe ndihmën e Karitasit italian, ndërtohet Ambulanca mjekësore, ndërsa përmes Karitasit zvicërran, ndërtohet ura disa metërshe dhe moderne mbi lumin e fshatit, duke i bashkuar dy pjesët e fshatit dhe shkollën fillore si një tërësi e përbashkët dhe funksionale e këtij vendi.
Ashtu me ndihmën e këtyre organizatave humanitare të huaja, don Gjergji realizoi edhe shumë projekte të tjera, duke ndërtuar dhe objektin e fëmijëve parashkollor në oborrin e Kishës, njëherazi organizoi për të rinjët e këtij regjioni edhe kurse të ndryshme të gjuhëve të huaja për nevojat dhe shërbimet e të rinjëve si një nevojë e tyre elementare.
Prifti don Gjergj Berisha, edhe pse pati mundime të mëdha e kërcnime të llojëve të ndryshme nga pushteti aktual dhe bashkëpunëtor shqipfolës të vendit, ky njeri nuk u përkul para tyre edhe atëherë kur u munduan tinëzisht ta asgjësojnë, duke qëndruar i pa lëkundur dhe i kalitur si meshtar dhe predikator i fjalës së zotit, edukator dhe humanitar, e mbi të gjitha i pa mposhtur dhe guximtar, që sakrifikoi për popullin dhe vendin e vet.
Don Gjergj Berisha, ishte jo vetëm një prift, që ishte betuar në rrugën dhe urdhërimet e zotit, por edhe një atdhetar i devotshëm dhe i pa shoq, deri në sakrifikimin e jetës për popullin e vet dhe për atdhe, duke u larguar nga kjo jetë një ditë në vetmi, vetëm të madhin zot e kishte dëshmitar, duke ia dorëzuar frymën e fundit, duke i lënë popullit dhe vendit një kujtim dhe një vepër të pa shoqe, kur dy burra të fshatit, Gjoka dhe Preni, e gjetën në shtratin e vet në gjumë të përjetshëm, i cili në mënyrë të mrekullueshme ishte përgaditë vetë për vdekje, që do të thotë, ky prift dhe atdhetar i devotshëm në qenjen dhe shpirtin e vet nuk e kishte brengë vdekjen, por e kishte brengë lirinë e popullit të vet dhe ardhmërinë e këtij populli.