Një thirrje për më shumë ndjeshmëri dhe etikë sociale

Kultura

Një thirrje për më shumë ndjeshmëri dhe etikë sociale

Nga: Dashnim Hebibi Më: 29 qershor 2025 Në ora: 11:43
Foto ilustrim

Zürich, 29 qershor 2025 - Sa herë shoh postime me tavolina të mbushura me ushqime, ndjej dhimbje për ata që nuk kanë as të mjaftueshme për të kaluar ditën. Po, është e drejta e gjithsecilit të gëzojë mundësitë që ka, por le të tregojmë pak kujdes etik dhe ndjeshmëri njerëzore. Sepse, për shumë bashkëkombas tanë, këto pamje janë plagë që hapen përditë.

Si kryetar i Shoqatës Humanitare “Lugina e Preshevës” me qendër në Zvicër, e shoh nga afër realitetin e hidhur: njerëz që s’kanë mundësi të blejnë barna, çanta, apo libra për fëmijët e tyre. Jo sepse nuk duan, por sepse nuk munden. Dëshirat janë të mëdha, por mundësitë janë të vogla. Kemi parë e dëgjuar me sytë e veshët tanë halle të rënda që të trondisin shpirtin.

Populli ynë historikisht është dalluar për shpirtmirësinë dhe ndihmën ndaj njëri-tjetrit. Por kohët moderne, sidomos rrjetet sociale, po e zbehin ndjesinë e dhembshurisë, duke e zëvendësuar me krahasim, me mburrje, me një botë që shpesh nuk pasqyron realitetin. Prandaj, kjo është një thirrje për të mos e harruar fytyrën tonë të vërtetë si komb: fytyrën e solidaritetit.

Ka njerëz që mezi e përballojnë jetën, që nuk dalin të kërkojnë ndihmë sepse i mbyt nderi dhe ndërgjegjja. Dhe për këtë, mendoj se ne si popull jemi me shpirt të mirë dhe të gatshëm për të ndihmuar. Por ndonjëherë duhet edhe një fjalë e mirë, një kujtesë e butë, që të na rikthejë te thelbi i njerëzores.

Solidariteti është vepër, jo vetëm fjalë. Është një çati mbi kokën e dikujt, një pako me ushqime, një libër për një fëmijë, një flamur i valëvitur mbi varrin e një heroi. Dhe është ajo ndjenjë që, kur e ushqen në zemër, të bën të ndihesh më njeri.

Shoqata jonë funksionon me një anëtarësi simbolike prej 30 franga në vit. Të gjitha mjetet e dhuruara shkojnë 100% për ata që kanë nevojë, dhe janë të dokumentuara me transparencë. Kemi ndihmuar familje dëshmorësh, studentë, fëmijë jetimë, dhe kemi kujdesur për varret e dëshmorëve – duke ndërruar flamurin kombëtar dy herë në vit, aty ku ata prehen.

Të jemi më të kujdesshëm në atë që ndajmë publikisht dhe më të pranishëm në realitetin e atyre që s’kanë zë, por kanë dhimbje.

Ky është vetëm një mesazh me respekt dhe mirëkuptim, nga një vëlla i juaji që nuk ka asgjë personale me askënd. Vetëm një lutje për më shumë vetëdije. Kënaqësia është çështje personale, po dhembshuria është detyrë njerëzore.

Zoti ju bekoftë të gjithëve! 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat