Gjama e Thethit

Kultura

Gjama e Thethit

Nga: Gjon Marku Më: 17 korrik 2025 Në ora: 17:36
Autori Gjon Marku

Ç’është kjo ditë, ju pyes Thethjan,

Pse sot bjeshkët po lëshojnë gjamë?

Thethi në gjamë, por pa kufoma,

Shëmbën kulla e trandën oda.

Tyne e mjegull nisi drejt qiellit,

Po kujt ja zunë dritën e diellit?

Mund e djersë e rrëzune përdhe,

Thue ndër male kishin ra rrefe.

Prej kah erdhi kjo gjamë e zezë?

Pse me ju prish burrni e besë?

Thue shkjau erdhi me taborre,

Lot e gjamë në këto oborre.

Pse po duan me prish burrninë,

Me nxjerr në hanë nanën e fëminë?

Pse po duan me trondit tokën,

Me çuditë morë tanë Europën?

Në ato bjeshkë me orë e zana,

Pse vajtojnë morë ato nana?

Burrat të besës e sa fisnikë,

Brez pas brezi me traditë.

Edhe zana me lot tu i qa,

Po përgjigjet përmbi një va:

Me pas ndeshë sot morë ndonjë shkja,

Besa, toka me gjak ishte la.

S’duruan krajla e s’duruan mbret,

S’ka ma zi, e haj medet!

Turret shteti me polici,

Me shemb kullë e me shemb ship.

Me ja shemb themelet shpísë,

Ah medet, në asht të Shqipërisë!

Në trojet e të parëve, si gjithherë,

Kanë jetue me djersë përherë.

Sofrën shtruar me bukë e nder,

Me burrni, me besë ngaherë,

E Zoti në qiell ka mbet me i pa:

Djersa juej, besa, ka me i vra.

 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat