Atdhetari i njohur dhe poeti Isa Mjeku publikon librin e dytë në dy gjuhë

Kultura

Atdhetari i njohur dhe poeti Isa Mjeku publikon librin e dytë në dy gjuhë

Më: 19 gusht 2025 Në ora: 10:30
Foto ilustrim

"Poezia e tij është shpërthim i dhembjes dhe dashurisë... Poeti e sheh mërgimin jo vetëm si dhimbje, por si gjendje që i jep forcë krijimit letrar. Kjo thekson se vargu lind aty ku zemra dhe gjuha ndihen të shtrënguara" – kështu do ta përkufizonim edhe ne si kritikë letrarë, teksa duhet t’i lexojmë vargjet e poetit dhe atdhetarit Isa Mjeku.

Tashmë ai sapo ka në tregun letrar një tjetër libër të tij, këtë herë ardhur në gjuhën mëmë, të cilën ai e flet aq bukur, dhe në gjuhën e dytë të jetës së tij në mërgim – atë gjermane. "Babai dhe Nëna si dielli e hëna" (Vater und Mutter wie Sonne und Mond) është titulli i librit të tij të dytë me poezi, që posa ta shohësh kopertinën dhe titullin të nxit ta shfletosh e ta lexosh çdo fjalë të shkruar në të.

Vendlindja, babai e nëna, lufta, emigrimi, heronjtë e rënë, malli – çdo gjë që nga lindja e deri në pleqëri larg vendlindjes gjendet e gdhendur bukur në vargjet e poetit në këtë libër, i cili duket një best seller real me përjetime e aspak gojëdhëna.

Më poshtë po ju sjellim poezinë e tij hapëse të këtij libri, derisa ta keni atë në duart tuaja:

Pikturën për nënën, për babain

Herët në agim fillova të pikturoj

Rrezet e para kur dielli i lëshonte,

Pikturën e bukur bëra për nënën,

Kujtimi në shpirtin tim valëvonte.

Pikturën e bëra edhe për babain,

Në kopsht, ke shteku i avlisë,

Lapsin në dorë, në tavolinë përmbi,

Piktura e bukur, ngjyra bardh e zi.

Një nostalgji e kohës së kaluar,

Pikturën për nënën, për babain,

Humba qëndrimin, lotët vërshuan,

U mbusha me vaj, lotët rrjedhin ngadalë.

Disi i heshtur ishte qetësia,

Një zë i ëmbël, zë bilbili mbi çati,

Sikur më thoshte: “Bukur piktura”,

U qetësova disi, këngës ia mora.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat