Ndodh edhe kështu

Kultura

Ndodh edhe kështu

Nga: Mimoza Dajçi Më: 21 gusht 2025 Në ora: 09:08
Autorja Mimoza Dajçi

Kiços nuk i ndahej shpirti nga Shqipëria, të shkonte e të shikonte prindërit e tij. Nënën e kishte lënë të sëmurë, pas tre vitesh ardhje në Amerikë e kishte lënë edhe i ati. Kaluan tre vite, gati katër, por akoma ishte i papunë. Vetëm kur e njoftonin, hidhej e prekte ndonjë punë me dorë, por punë e rrogë fikse nuk kishte. Në këto kushte nuk mbulonte dot shpenzimet mujore, jo më të merrte rrugën për në Shqipëri.

Kristofer gjatë, shkurt Kiço si njihej nga rrethi shoqëror, kishte fituar llotarinë amerikane, sëbashku me gruan, vajzën pesë vjeç e djalin më të rritur u nisën për në Amerikë. Jeta iu bë e vështirë, nuk po gjenin punë as ai as e shoqja, por edhe pse ishte në pikë të hallit, prindërve në Shqipëri nuk i tregonte, nuk donte t'i mërziste. Shpesh mblidhte edhe shishe në kazanët e plehrave, i shiste për mbijetesë. Se ku mësoi edhe një avaz, një e dy shikonte llogarinë e tij bankare.

- Eh, ç'e shikon o i uruar, e ke bërë ves, sikur ke futur gjë aty brenda - e ngacmonte e shoqja.

- Si dihet grua, e mbush shejtani nganjëherë - aq besim kishte Kiçoja tek karta e kreditit.

Një vëlla e kishte në Itali me gjithë familje, një tjetër në Shqipëri, dy motrat e martuara dhe mirë ekonomikisht në Greqi. "Eh, si erdhi kjo kohë u shpërndamë si zogjtë e korbit nëpër botë" ngushëllonte veten Kiçoja sa herë fliste me të tij-të në telefon.

Kishte dëgjuar se rastësisht nëpër llogaritë bankare njerëzia kishin gjetur dollarë të hedhura gabimisht tek karta e tyre e kreditit. Aty i mbante shpresat edhe Kiçoja, burim tjetër nuk kishte. S'thonë kot shpresa "vdes" e fundit. Kur hyri vjeshta mendoi t'i hidhte edhe një sy asaj të flamosure kartë, papritur brofi më këmbë: "Fitore grua, fitore" e nuk e lëshonte kartën e bankës nga dora.

- Ç'ke kështu more burrë - pyeti ajo e habitur.

- $3.500 napolona grua, $3500 napolona.

- Ku i gjete, ti je dhe i papunë?

- Më do Perëndia grua, më do, s'i kam bërë keq askujt.

- Hë, mo edhe ti, më trego si qëndron e vërteta.

- Dikush grua ka hedhur para në llogarinë time bankare, tani do t'i them djalit të më presë biletën, një kostum, dhurata për çiliminjët e vëllezërve, e motrave dhe drejt e në Shqipëri.

- Gjë që s'bëhet - i tha gruaja.

- Si s'bëhet, nuk e shikon grua, plot $3.500 dollarë.

- Aman të keqen Kiço mos na hap telashe, boll vuajtëm 50 vite në komunizëm, të vuajmë tani edhe këtu që të marrësh ato para.

- Do t'i marr grua, do të shkoj të përqafoj nga malli nënën time, do të shkoj edhe tek varri i babait. Të hidhem njëherë sipër varrit të tij, pastaj qameti të bëhet...

- Po si flet kështu more Kiço?

- Po më ikën truri grua, sikur i prisja këto para dhe ja ku më erdhën në derë si me porosi. Shyqyr Zotit ti i ke prindërit këtu, tek yt vëlla i shikon përditë. U merrova për ata prindër, për atë nënë që na rriti me pesëqind halle.

- Nuk bëhet baba, quhet shkelje ligji, vjedhje - u hodh e tha djali.

- Oh, po do ma blesh biletën ti, apo si e ke hallin - iu kthye Kiçoja - Apo të shkoj vetë e ta blej tek Luigji.

- Po kush do t'i lajë këto para more burrë, ti më shumë pa punë, se me punë. Unë me një copë punë sa për të thënë, duke larë rrobat e botës në lavanteri. Vetëm kjo rrogë e djalit po na mban gjallë.

- Nesër do të marr një pagesë ekstra nga pronari i kompanisë mama, i kishte pëlqyer shumë puna ime si përkthyes, e do t'i blej babait biletën.

Bëri ç'bëri e shoqja dhe Kiçoja u nis, me kostum të ri, biletën në xhep, dhuratat për nipërit e mbesat, e fluturonte si fëmijë. Nuk kishte faj, kishte gati katër vite pa parë nënën e lodhur e të rraskapitur nga jeta dhe i ati që i iku pa i lënë as amanetet e fundit.

Vëllai që jetonte në Itali i thoshte pse nuk vjen të shikosh prindërit. Motrat po ashtu i thonin ti s'ke mall për prindërit, shikon vetëm rehatinë e terezinë e familjes tënde, nuk pyet për këta pleq. Përveç prindërve, motrat e vëllezërit e dinin shumë mirë gjendjen e rëndë ekonomike ku ndodhej vëllai i tyre më i vogël në SHBA me gjithë familje, por "heshtin" që prindërit e tyre të krijonin një urrejtje patologjike për të, si e si ta përjashtonin nga trashëgimia e dëmshpërblimit të burgut politik të babait.

Zemra e shpirti i tij e dinte sa vuante për të vizituar e parë prindërit, po me çfarë parash të udhëtonte Kiçoja i gjorë në Shqipëri, ndërkohë që shumë netë i kishin ngrysur me qiri, nuk kishin me se të paguanin as energjinë elektrike... Pronari i pallatit ku jetonin fillimisht në Bronx e kishte hedhur në gjyq pasi nuk ishte në gjendje të paguante qeranë e apartamentit ku banonin.

I kishte nxjerrë familjarisht në rrugë të madhe, megjithëse pak muaj kishin që kishin mbërritur në Amerikë. Ku donte t'ia dinte pronari, ai donte paratë. Apo nuk ishte edhe borë e ftohët i madh. I kishte ndryshuar edhe bravën e derës. Ditë më parë i kishte dërguar edhe Marshallin e zonës për t'i nxjerrë jashtë, aq i pashpirt u tregua me këtë familje. Dhjetë vite qëndroi emri i Kiços në internet si debitor ndaj pronarit të pallatit, por këtë gjë ai nuk e dinte, një mbesë e tij që jetonte edhe ajo në Amerikë i tha një ditë:

- Këtu jeni shumë ngushtë, të bleni edhe ju një shtëpi apo apartament më të gjerë, Greta u rrit e Johni shkon në Kolegj, duan edhe ata dhomën e tyre.

- Po me çfarë parash të blejmë një banesë më tē madhe moj mbesë - u hodh e tha Kiçoja.

- Si mua dajo, me kredi.

- Po kredin kush do t'a shlyejë?

- Eh, po do rregulloheni dajo me punë ngadalë, ngadalë si të gjithë.

- Po ç'punë moj bijë, puna hiç gjëkundi, s'po na ndihmon njeri të gjej të paktën një punë me rrogë fikse, sa të paguajmë shpenzimet mujore.

Nejse, shkuan panë apartamentin që i sugjeroi mbesa. E pëlqyen, për bukuri dy dhoma e një kuzhinë me ballkon. Kiçoja filloi të ëndërronte me sy hapur sikur pinte kafen e mëngjesit me Dallëndyshen në ballkon. Ah, po se bën të mirë kafen Dyshja ime i tha mbesës. Ndërsa djali të mësojë në kompjuter në dhomën tjetër.

Me padurim prisnin të hynin në banesën e re. Bie telefoni.

- Hë more bir, kush ishte?

- Nuk bëhet baba - i tha i mërzitur djali.

- Kush?

- Apartamenti i ri.

- Pse?

- Pronari i pallatit paska hyrë në internet, ka kërkuar emrin tënd dhe llogarinë tënde bankare, ka parë që nuk ke asnjë cent në bankë dhe që ke qenë debitor ndaj ish pronarit të vjetër të apartamentit në Bronx, pasi nuk ke qenë i rregullt me pagesat mujore. Për dhjetë vite nuk ke të drejtë të blesh jo vetëm apartament e shtëpi, por as makinë e as diçka tjetër të shtrenjtë.

- O bo bo, ç'na gjeti - tha i tronditur Kiçoja dhe u mbyll në dhomën e gjumit. Dy ditë e dy net nuk doli që andej. Nuk gjeti derman as nga ilaçet për tensionin e lartë që e shtruan me urgjencë në spital.

Kur shkoi në Shqipëri, kujtoi se përveç nënës të gjithë do t'a prisnin me mall, por më së shumti e shikonin nga duart. Por dhe dajua nuk i'a la thatë, dikujt i dha lodra, dikujt para. Nuk e dinin ata se dajua i kishte lekët e botës ato.

Mirë boll, u krye edhe ajo punë, kur Kiçoja u kthye në Amerikë, në vend të kafesë gruaja i vuri përpara zarfet me letrat e bankës, ku i kërkonin paratë. Do ti, ajo rrugë ishte me bereqet, dikush i ofroi punë në një fabrikë qelqi në Bronx. I lumtur ai, e shoqja dhe i biri bënë ç'bënë me të ardhurat mujore paguan qeranë, shlyen edhe kredinë bankare. Por të paktën iu mbush zemra mal që puthi e përqafoi nënën e tij me mall, u hodh e qau me dënesë tek varri i babait, gëzoi edhe nipërit e mbesat me paratë e botës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat