Fallxhorët politikë

Kultura

Fallxhorët politikë

Nga: Sevdail Hyseni Më: 1 tetor 2025 Në ora: 16:18
Foto ilustrim

Në skenën e madhe të teatrit partiak,
dalin aktorët me kostume për merak,
me duar që fluturojnë si zogj në erë,
dhe vetulla të ngritura, si n’premierë.

Aktrojnë me dirigjime e stile politike,
me buzëqeshje plastike, lëvizje ritmike,
në pasqyrë ushtrojnë me gjest, me fjalë,
si fallxhorja që sjell filxhanin ngadalë.

- “Shiko, o popull, ja ku fatin ta pashë!
Ti kërkon shpëtimin si në kashelashë!” -
Por, karshi perdes dhe atij tymi politik,
nuk ka përmbajtje, veç boshllëk komik.

Janë marioneta me fijet e trasha karrote,
shtyhen e kthehen me komandën robote.
E quajnë veten “rok’n’roll” të vërtetë,
këndojnë të kthehen përsëri në pushtet.

E populli, i lodhur nga premtimet boshe,
sillet e mbështillet rrotull, qoshe m’qoshe!
Tek i shohin fallxhorët politikë me “nam”,
që me veprimet e tyre, përlyejnë dynjanë!

Por një ditë filxhani thyhet copë në gur,
e fallxhorët mbeten lakuriq si karikaturë,
atëherë populli merr frymë e qesh lirisht,
nga lojërat e politikës “tallava” me bisht!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat