Këto 7 poezi që po dërgoj, nuk janë të miat. Kam vite që i ruaj, por, ngaqë kanë kaluar gati 7 vjet, them që është gjynah që mos njihen nga lexuesit. Në çmimin tim, janë poezi që vlejnë për mesazhet që sjellin.
Autorja e poezive, Liri Petro Sota nga Fieri, për fat të mirë rron, por e kemi humbur njëri-tjetrin. M’i dha për t’i parë dhe më nuk u pamë. Liri Petro Sota ka qenë mësuese letërsie në shkollën e mesme “Petro Sota” në Fier. Petro Sota është dëshmor dhe e bija dha letërsi mu tek shkolla që mban emrin e babait të saj. Liria rron në Tiranë dhe, paradoksalisht, sado dhe unë rroj në Tiranë, nuk jemi parë prej kohësh. Është sinjifikative ajo poezia e Kadaresë që thotë:
"Jetojmë të dy në një qytet, por rallë shihemi. Sa rrallë."
E sa për vlerën e poezive, po e lë në shijen tuaj.
1. Sandrit
Kujtimit të tim shoqi, të vetmit
Dyzet vjet me ty, nuk janë dhe pak
Që mos të tronditem, kur shkruaj këtë varg
Sot është Shën Valentin, kam ardhur tek varri
Loti prapë i nxehtë më bie nga malli.
Mbi pllakën e varrit, tulipan të kuq e të zi
Ke parë, që së pari, ndieva xhelozi
Se unë tani jam ti dhe ti gjithmonë unë
Nga malli e dhimbja më zuri me shkumë.
O burri im! O shpirti im, i vetëm
Sa dhimbje ndjej për ty! Si ta shtyj jetën?
Je gjysma ime dhe më s'jam e plotë
Vallë, tani që flas, ma ndien dhimbjen dot?!!!
Aleksandër Backa, mësues letërsie, bashkëshorti i Liri Sotës, është ndarë nga jeta.
2. Usta Niazi
Të shoh tek gatuan llaçin me mistri
Ndërsa unë në ballkon shkruaj poezi.
Llap-fshap bën mistria, tek gatuan llaçin
Unë, ndërkaq, mundohem të ndreqë vargun.
Ndërsa punon, ti ndien kënaqësi
Dhe e tregon tek thuaj një melodi
Ndërsa shkruaj, të ndjek me sy
Fare pakuptuar, hyre në poezi.
3. I Vetmuari
Kur je vetëm, as zjarri nuk të ngrohë
Fatin e të vetmit askush nuk e do
I vetëm, i plotë nuk ndjehet as gëzimi
Si mal mbi supe, të vetmit i rri hidhërimi.
I vetëm dhe me dritë, mezi shikon
Si natë kthehet çdo ditë, nëse i vetëm jeton.
Për vete, kurrë nuk dua të jetoj vetëm
Është i mjerë dhe fatkeq, kush vetëm e shkon jetën.
Jeta jetohet, me miq e shokë
Se i vetëm, po jetove, dukesh si ulok.
4. Në Avion
I kam hipur avionit, po shkoj në Amerikë
Sado nuk jam bestyte, por kam dhe pakëz frikë
Se ndodhin, siç dihet, edhe aksidente
Në ndodhtë kështu me mua (epo s'jam e vetme)
Por, në fund të fundit, po lë një amanet:
– Larg burrit tim, mua dheu nuk më tret.
Një foton time aty, jashtë qivurit
Kurse shpirti im, aty: pranë shpirtit të burrit.
5. Bledit
Herë i "pasur", por bujar
Herë i varfër, por shpirtqëruar
Herë punëtor dhe herë "dembel"
Herë "sherrëxhi" dhe herë rebel
Por i nrohtë siç është dhe dielli
Kush, veç teje, more Bledi?
Zemërgjerë si oqean
Sa dashuri në zemër mban.
Ndaj e shkruaj këtë poezi
Për ty, Bledi, "arapçi".
6. Migenës
Ti hyre në shtëpinë tonë
Kur pemët mbetën pa fletë
Erdhe si gëzim e jehonë
Që kumboi dhe shtëpinë tonë e mbushe me jetë.
Ishe dhe je e bukur, plot sharm e nur
Buzëqeshja s'të ndahet nga buza, kurrë
Çdo rrobë që vesh, si e prerë pas trupit
Dhe kurrë nuk t'u nda një ndroje si prej turpit.
Ke një shpirt të bardhë qelibar
Si ç'është i kthiellët një qiell pa re
Dhe u bëre për familjen tonë vlerë e shtuar
Ndaj ne të duam dhe kemi përse?
7. Inesit
Nuk e di a arrij dot të shkruaj për ty mirë
Moj Ines, mos vallë qumësht zanash ke pirë?
Shkruaj kështu dhe vargu nuk më duket i mjaftë
Se vallë a arri të tregoj buzëqeshjen tënde të mjaltë?
Kur i bie violës, ti kthehesh në sirenë
Stuhi duartrokitjesh sa del në skenë.
Pastaj viola përhap fllad mibushur melodi
Në notat e muzikës shndrrohesh në "magji".
Skena e gjithë llamburit plot dritë
Kush të pa ty në koncert dhe nuk u mahnit?