Nesër fillon edicioni i tretë i Festivalit të Këngës

Kultura

Nesër fillon edicioni i tretë i Festivalit të Këngës

Më: 5 nëntor 2025 Në ora: 21:11
Gjatë provave të fundit, i shoqëruar nga drejtori i Festivalit, Rilind Gërvalla, në vizitë ishte edhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku

Nesër mbrëma fillon edicioni i tretë i festivalit të këngës. Tri net radhazi në skenë do të ngjiten artistë të njohur si dhe talente të reja, ndërkohë që tashmë dihet se në garë janë 20 këngë nga artistë edhe përtej kufijve. Përgatitjet janë drejt përmbylljes ndërkohë që interesimi për këtë ngjarje të rëndësishme kulturore në vend, është tejet i madh.

Përgatitjet për nisjen e Festivalit të Këngës po shkojnë drejt përmbylljes. Dhe gjithçka pothuajse është gati për të nisur treditorin e kësaj ngjarjeje që ka mbledhur artistë e artdashës edhe përtej kufijve.

Gjatë provave të fundit, i shoqëruar nga drejtori i Festivalit, Rilind Gërvalla, në vizitë ishte edhe ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku.

Një bashkëpunim mes RTK-së dhe Ministrisë së Kulturës e ka bërë më të lehtë rrugën e këtij festivali.

“ Ky rikthim i Festivalit të Këngës, kjo mirëmbajtje e traditës së Akordeve të Kosovës është edhe një kontribut i jashtëzakonshëm për skenën tonë muzikore, për krijuesit dhe përformuesit. Kjo është platforma besoj më e rëndësishme ”, tha ministri në detyrë i Kulturës, Hajrullah Çeku.

“ Gjithçka që do të shihnim këto tri net janë të gjitha të përgatitura nga punëtorët e RTK-së, nga dizajni, grafika,  skena dhe motivi që ja kemi dhënë skenografisë e cila është një gërshetim edhe i traditës, por edhe i modernes “,  Rilind Gërvalla, drejtor i RTK-TV-së.

Më 6,7 dhe 8 nëntor, Radiotelevizioni i Kosovës mban për herë të tretë Festivalin e Këngës, ku pritet të përformojnë 20 këngë nga artistë të të gjitha trevave shqiptare.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat