Më 12 nëntor 2025, në sallën e madhe të Bibliotekës Publike të Nju Jorkut – Qendra Stavros Niarchos (SNFL), në kuadër të World Poetry Salon të Limelight Poetry, u zhvillua një nga bisedat më të thella dhe më prekëse të sezonit, poetja shqiptare Luljeta Lleshanaku, dhe përkthyesi i saj argjentinas Patricio Ferrari lexuan, diskutuan dhe “rishkruan” bashkë poezinë para një audience që mbushte sallën plot.
Lleshanaku, vajza e një të burgosuri politik që lindi në kampin e internimit të Tepelenës, solli në Nju Jork, jo vetëm librin e saj më të ri “Negative Space” (në përkthimin e Ferrari-t, botuar nga New Directions dhe Bloodaxe Books), por edhe një kujtesë të gjallë të heshtjes së detyruar shqiptare.
“Poezia ime lind nga ajo që nuk u tha kurrë,” tha ajo, duke shtuar “Nga ajo që prindërit e mi nuk mund ta shqiptonin me zë të lartë as në shtëpi.”
Patricio Ferrari, që jeton mes Parisit dhe Nju Jorkut, e përshkroi përkthimin si “akt dashurie dhe tradhtie të pashmangshme”. Ai nuk e quan veten “përkthyes”, por “bashkëkrijues”. Gjatë këtij aktiviteti, lexuan bashkë poezinë “Fëmijët e natyrës së vdekur” – fillimisht në shqip, pastaj në anglisht – dhe ndaluan te çdo fjalë që ndryshonte kuptimin ose ritmin.
“Shqipja është gjuhë muskulare, e lindur nga dheu dhe nga plaga,” tha Lleshanaku.
“Në anglisht duhet të gjejmë një muskuj tjetër, por që të mos humbasë dhimbjen.” tha Ferrrari në një nga momentet më të fuqishme kur ai lexoi rreshtat e poezisë së Leshanakut : “Ne ishim fëmijë të natyrës së vdekur / që mësonim të hanim heshtjen me lugë”.
Publiku u mbyt në heshtje absolute, në ndërkohë që Lleshanaku, shtoi: “Në kamp, heshtja ishte ushqimi ynë i vetëm i sigurt.”
Biseda kaloi edhe te “negative capability” e Keats-it aftësia për të qëndruar në pasiguri dhe mister pa u munduar të gjesh shpjegime të shpejta. “Kjo është ajo që na shpëtoi,” tha poetja. “Të mos e shpjegojmë dhimbjen, por ta mbajmë brenda vargut, dhe vetes.”
Në fund, Lleshanaku i dhuroi Ferrarit një fjalë të vetme shqip që ende nuk e ka përkthyer kurrë plotësisht: “mërzi”. “Nuk është trishtim, nuk është melankoli, është një lloj zbrazëtie që të ha nga brenda,” shpjegoi ajo.
Ferrari premtoi se do ta mbajë të papërkthyer në edicionin e ardhshëm.
Shkrimtari Uk Lushi që e ndoqi mbrëmë këtë mbrëmje poetike në Bibliotekën Publike të Nju Jorkut – Qendra Stavros Niarchos (SNFL), në kuadër të World Poetry Salon të Limelight Poetry, na tha se :
"Leximi dygjuhësor i Lleshanakut, në shqip dhe anglisht, qe një zgjedhje e gjetur. Gjithashtu muzika e Nava Dunkelman kur leximi ishte anglisht. Leximi pa muzikë në shqip i jepte gjuhës shqipe rastin te dëshmojë muzikalitetin e saj special."
Auditori shumënacional, shihej gjatë krejt evenimentit, ishte i magjepsur.
Më tej Lushi tha se Intervistuesi i Lleshanakut, Patricio Ferrari, një njohës sipran i letrave në shumë gjuhë, qe shumë i përgatitur me dijet për veprat e poetes shqiptare dhe pyetjet që bëri. Lleshanaku, dha përgjigje të mira për poezinë e saj, letërsinë shqiptare dhe historinë e vështirë të Republikës së Shqipërisë.
"Shkurt e trup, krijimtaria e Lleshanakut dhe ajo vetë shkëlqyen në zemrën e Nju Jorkut." u shpreh Uk Lushi.
Vlora Nikçi - Aktore e poete e cila ështe aktiviste për të drejtat e� gruas në Kosovë, si dhe kolumniste, që jeton mes Prishtinës dhe Nju Jorkut, pas kësaj mbrëmje poetike na tha :
"Ishte një mbrëmje magjike të dëgjoje poezitë e Luljetës nën tingujt magjepsës të artistes Nava Dunkelman. Luljeta, përmes poezisë së saj, solli para publikut një Shqipëri të veçantë, ashtu si çdo artist tjetër që frymëzimin e ka te vendlindja. Sonte isha krenare dhe e mallëngjyer"
Si përfundim kjo mbrëmje poetike nuk ishte thjesht një lexim poetik. Ajo shte një akt kujtese, një dëshmi se poezia mund të kalojë oqeanet dhe burgjet, dhe se përkthimi, kur bëhet me dashuri të thellë, mund ta shpëtojë një popull nga harresa.
Nga burgu i Tepelenës te podiumi i bibliotekës së Nju Jorkut, rruga është e gjatë, por vargu i Luljeta Lleshanakut e ka bërë të mundur. Dhe ne, që e dëgjuam, u bëmë dëshmitarë.