Gëzuar festat e nëntorit!

Kultura

Gëzuar festat e nëntorit!

Nga: Përparim Hysi Më: 27 nëntor 2025 Në ora: 07:44
Autori Përparim Hysi

1. Është nëntor dhe kemi festa

Është NËNTOR dhe kemi festa,

S'kemi një, po kemi dy.

Ja kështu përcillet vjeshta

Veç këtu, në SHQIPËRI!

Festa e madhe e PAVARËSISË

Mu në datën njëzet e tetë. *

Një ditë pas, ajo e LIRISË. **

U derdh gjak dhe u flijuan jetë.

Mu në VLORË u ngrit FLAMURI,

Është FLAMURI I PAVARËSISË.

E valëviti ISMAIL BURRI,

Balli i lartë i trimërisë.

S'qe i vetëm ISMAILI,

Bashkë me të burra të tjerë:

ISA BOLETINI e LUIGJI, ***

Që të gjithë burra me vlerë.

BABA I KOMBIT – ISMAIL QEMALI,

VLORA – NËNA E PAVARËSISË.

Për këta, këto vargje malli

Mes nesh jetojnë përjetësisht.

* 28 Nëntor 1912 – Dita e Pavarësisë

** 29 Nëntor 1944 – Dita e Çlirimit nga pushtuesit nazi-fashistë

*** Isa Boletini nga Kosova; Luigj Gurakuqi – bashkëluftëtar i Ismail Qemalit.

2. Ismail Qemalit

ISMAIL QEMALI! ISMAIL KANINA!

Po të ndjek Sulltani (zihet vetëtima?!)

Ti more gjeminë dhe çave nëpër dete,

The: “Shqipërinë do ta shpall më vete!”

Dhe kishe me vete gjithë vendosmërinë.

S'prite “lepe-peqe”, s'pyete për Turqinë.

Nëpër kacabujra deri në MBRETËRI,

Ti seç luftove veç për PAVARËSI.

Dhe mes brohoritjesh, mu në të bukurën Vlorë,

Shpalle PAVARËSINË me flamur në dorë.

Seç të fekste nuri, dritë mjekra e bardhë…

O BABAI I KOMBIT, KRYEATDHETAR!

3. Dita e Çlirimit (29 nëntor 1944)

Askush nuk na e fali lirinë;

Për lirinë u derdh gjak.

Për dëshmorët e shkruaj poezinë;

Të më falin në s’arrij me timin varg.

Gjaku i tyre mbetet i valë

Nëpër faqet e historisë.

Qenë të rinj a të moshuar,

Mu në piedestal lavdie.

Nëse dikush zë nëpërkëmbë

Gjithë ç’luftuan për liri,

Unë atë veç e nëmë

Dhe e quaj vetëm shpirtzi.

Jam i ftohtë si historia,

I paanshëm si gjyqtar.

Me gjakun e tyre u fitua liria;

Vepra e tyre nuk peshohet as me ar.

4. GANIMETE TËRBESHI*

17 pranvera ndofta nuk janë pak;

Ganimete e bukur, trimëreshë pa cak.

Si burrneshë Kosove rron në histori;

Fare pa u tutur fale jetën për liri.

Urreje pushtuesit siç urren shqiptari;

Si të vije në dasmë shkove tek litari.

Heroizmi yt – model, frymëzim;

Me lot edhe sot përcjell vargun tim.

* E varën nazistët gjermanë (prej nga këndohet edhe kënga: “...në mes të Gjakovës u var një litar...”).

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat