Ne e flijuam jetën për liri,
tani atdheun e çliruam
nga shumë vuajtje dhe mizori.
E dinim, para se ta falnim jetën,
se ju do t’ju lënim pas,
për ta gëzuar lirinë
dhe për ta ndërtuar shtetin,
Kosovën martire gjithandej —
lindje, perëndim, veri e jug.
Ju themi se na keni zhgënjyer,
sepse mbi interesat e kombit dhe shtetit
i keni vënë interesat tuaja,
të pushtetit dhe të gjepit,
duke e lënë në gjysmë rruge
ndërtimin e shtetit.
Kosova ka vuajtur shumë,
vazhdon edhe sot të vuajë,
kur i sheh politikanët e saj
duke luftuar njëri-tjetrin
në dëm të kombit dhe shtetit.
Amanetin mos e harroni!
Qeverisjen e vendit,
kurrë, kurrë të korruptuarve,
as atyre që e kanë tradhtuar
dhe e tradhtojnë interesin e Kosovës,
mos ua besoni!
Dt. 27.11.2025, Hannover – Gjermani.