Nëntori në Luginë, këtë vit si për çudi,
Na erdhi si mysafir i dasmës me çifteli.
Na mbushi hare me gëzim dhe kulturë,
Këngë e valle “veç shqip” nën flamur.
Në këtë Luginë festive pati diçka të paparë,
Edhe “politikanët” sikur ishin futur në garë:
Kush më shumë të dukej i veshur për bukuri,
Me plis të bardhë n’kokë e flamurin kuq e zi.
U bë nami me aktivitete, gjithandej, në Luginë,
Në këtë festë kombëtare s’e prishi kush terezinë.
Nxënësit kënduan, vallëzuan me flamur në dorë,
Mësuesit na u bënë poetë, e poetët - moderatorë.
Madje disa portale u zgjuan nga gjumi me vrik,
I thurnin lavde Këshilli Kombëtar me taktikë,
Sa për të zhvatur ndonjë projekt n’fund të vitit,
Duke lozur lojën haptazi me misionin e mësitit.
Dhe çuditërisht, Beogradi heshti, si kurrë më parë,
Asnjë pengesë, asnjë “urdhër”, e as gjobë në sirtar.
E luginasit qeshën lehtë me humorin e tyre të artë:
- Hajt more! S’ka lidhje, pas kafes pihet uji i thartë!