Frika nga vota e mërgatës

Kultura

Frika nga vota e mërgatës

Nga: Asllan Dibrani (Luani) Më: 1 dhjetor 2025 Në ora: 12:30
Foto nga vendi i ngjarjes

Mërgata zgjohet çdo mëngjes

me një copë atdheu nën jastëk—

një zë i largët që rreh si zemra

rri e zgjuar pararoje në kohë e hapësirë

me dhimbje, nder dhe besë të pathyeshme.

Protestë e shqiptarëve emigrantë para Parlamentit Evropian në mbrojtje të interesave të Kosovës. Këtu nuk po shihet asnjë politikan kosovar, asnjë analist kosovar — ata që duan të na e ndalin votën për atdheun tonë të shtrenjtë.

Mos harroni: gjysma e popullit shqiptar jeton jashtë. Prandaj, shumë shpejt duhet të rezervohen vende të posaçme në Kuvendin e Kosovës dhe në Parlamentin e Shqipërisë edhe për Mërgatën. Zëri ynë është pjesë e kombit dhe duhet të përfaqësohet me dinjitet.

Ne zgjohemi me ëndrrën e vendlindjes,

si roje të heshtura të Atdheut në mërgim,

që mbajmë flamurin në zemër,

edhe kur duart na janë të lodhura e të ngrira.

Kosovën e flasim në tryezat e botës

si flamurtarë të paemëruar,

sepse e dimë se kombi mbahet me zë,

kur s’ka kush e mban me shpatë dhe armë .

Dhe ja—në skenë shfaqen ata:

opozitarët e frikës,

analistët e mbështjellë me pasiguri,

që dridhen si gjethet e vjeshtës

sa herë që Mërgata lëviz qerpikët.

Ata u tremben votës sonë

siç trembet nata prej agimit.

E dinë shumë mirë:

Kur Mërgata zgjohet, zgjohet e vërteta.

Kur Mërgata flet, dridhen karriget prej kartoni.

Kur Mërgata voton, bien maskat e mashtrimit.

Sepse ne nuk votojmë me xhepa—

ne votojmë me plagët që na i la historia.

Nuk zgjedhim kush premton më shumë,

por kush ka shkëndijën e dashurisë për popullin.

Kush e mban dritën në sy

e jo terrin në zemër.

Këta që kanë frikë nga vota jonë,

e dinë një të vërtetë të hidhur:

ne nuk jemi vegla patronazhesh,

as turma që blihen me pare.

Ne jemi krahët që punojnë,

zërat që lobojnë,

zemrat që digjen për flamurin.

Jemi stuhia që mban Kosovën gjallë

në hartën morale të botës.

Jemi kujtesa që nuk shuhet.

Jemi besa që nuk tretet.

Jemi rrënja që, edhe në tokë të huaj,

jep fryt për tokën e vet.

Kjo është Mërgata shqiptare

Prandaj, ju që keni frikë

nga vota e Mërgatës—

mbajeni mend mirë:

ne nuk kemi ikur.

Ne veç jemi bërë dritë

që shtrihet nëpër botë

për t’ia ruajtur emrin atdheut me emrin e shenjtë.

Dhe kur të vijë dita e votës,

do të kthehemi si valët që çan gurët,

që s’e ndal dot as frika,

as burokracia,

as hijet që na përbuzin.

jo për inat, por për drejtësi.

Jo për hakmarrje, por për dashuri.

Jo për parti, por për popull.

Sepse kur flet Vota e Mërgatës,

Dridhen Fronët e Vjetër.

Dhe kur dridhen fronet,

aty fillon demokracia.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat