Arti i gdhendjes me ashkla shpirti

Kultura

Arti i gdhendjes me ashkla shpirti

Nga: Ramë ORACA Më: 2 dhjetor 2025 Në ora: 11:26
Foto ilustrim

Kjo krijuese letrare së fundmi na solli në dritë një libër tepër të veçantë, me poezi të realizuara mjeshtërisht. Ajne Ibërhysaj çdo varg e ka gdhendur si filigran në mozaikun e shtigjeve të krijimtarisë së saj letrare. Në vazhdimësi kjo autore motivohet nga reflektimet e rrethanave jetësore. Ajo shkruan me pasion dhe i artikulon ato në strukturime poetike duke i akorduar në formën më të mirë metaforike në artin e saj.

Ajne Ibërhysaj gjurmon shtigjeve që ajo i ka përzgjedhur për vete, kjo vazhdon që t`i dhurojë lexuesit dhe opinionin letrar frymëzimet, idetë dhe preokupimet e saja jetësore. Nisur nga ky konstatim edhe shkrimin tim e titullova: /ARTI I GDHENDJES ME ASHKLA SHPIRTI/. Në linjën e saj artistike te kjo autore frymon vargu lirik që nga Troja, Itaka, Rruga e Qumështit, Kashta e Kumtrit e deri te Elbasani, Shkumbini pikëtakime të vargëzuara, herë në formate të lira krijuese, herë përmes ndjeshmërisë së lartë emocionale, të cilat e lartësojnë autoren e këtij libri në nivel të dukshëm letrar. Libri /GRAVURË ME NGJYRAT E KOHËS / nga brendia e gjithë përmbajtjes na jep, figuracionin poetik, i cili nuk është vetëm mjet i poetizimit të jetës në art, por në radhë të parë na jep gjuhën e veçantë poetike. Strukturimi i përmbajtjes poetike të kësaj autoreje do vëmendje të posaçme, sepse vargu i saj, përveç idesë dhe qëllimit, ajo e thjeshtëzon misionin e saj përmes krijimtarisë letrare në të kuptuarin e vet specifik për lexuesin e saj. Këtë lloj gjetje letrare e gjejmë te kjo autore në secilën poezi si një porosi paqeje nën strehën e shpirtit. Psh. Në poezinë /SYRI PRET RREZE SHPRESE/ ajo shprehet:

“Një ditë, qiellin do ta bëjmë mozaik gjethesh,

kurorë fjalësh e dritë mbi qerpik”.

Në këto dy vargje të shkëputura nga poezia kushtuar motrës së saj, poetja niset nga imazhi real për të përgjithësuar ide dhe kuptime për më të dashurën e saj për të cilën shkruan me aq përmallim. Subjekti lirik është prezent dhe regjistrohet në gjithë opusin krijues të poetes Ajne. Modeli i strukturimit artistik të jetës në art nuk është i lehtë për t`u realizuar. Duhet ta kuptojmë kodin e saj poetik dhe vlerat artistike të poezisë dhe ndikimin estetik për lexuesin e frymëzuar nga poezia në përgjithësi. Prandaj kërkimi i këtij modeli është preokupim i pandalshëm deri në shterje. Poezia e kësaj autoreje në këtë vëllim poetik është krijuar sipas strukturës dinamike të valëve të jetës. Në poezinë me të cilën e ka emërtuar dhe librin /GRAVURË ME NGJYRAT E KOHËS/, autorja shprehet:

“E zeza i merr krahët e bardhë,

e bardha mbështjell trupin.

Le të bien ngjyrat e shpirtit

mbi qiellin e pafund të shpresës”.

Krijimtaria letrare e kësaj autoreje nuk mund që të vlerësohet aq sa duhet pa u thelluar në botën e brendshme të artit të saj krijues, e cila, duke u shërbyer me mjete të poetikës ajo i shkrin ato në mënyrën e të shprehurit të saj, duke i pasuruar me elemente të reja letrare. Arti i gdhendjes me ngjyra të mbledhura nëpër kohë për të krijuar mozaikun e saj përmes vargjeve që burojnë nga currilat e shpirtit është vet autoportreti i autores. Psh. Në poezinë Anja ajo shprehet:

“Të guximshmit janë fitues të puthjeve hajdute,

vetëm frikacakët bëjnë luftë.

Të gjithë në qiell të zhveshur jemi”.

Rrethanat të cilat i krijon autorja brenda tekstit letrar ato mund të lexohen dhe të interpretohen në variante të shumta, ku teksti nuk është më i lexueshëm, por bëhet pjesë e jetës që prapë kthehet në art. Nisur nga kjo e kemi edhe një dëshmi të plotë të vlerës së lartë artistike duke e pasuruar gjuhën letrare me figura emblemë që nga: Penelopa, Diana, Helena, Shën Mëria, Zeusi, Prometheu, Juda, Poseidoni e deri te autoportreti i saj me identitet krijues. Kjo autore me aq ndjesi imagjinare e motivuar nga jeta e gjen fillin e porosisë që vargu i saj të bëhet i dobishëm dhe t`u shërbejë lexuesve si frymëzim për t`i dhënë kuptim jetës. Pothuajse gjithë librin e përshkon shumëkuptimësia e thjeshtësisë së shprehjes letrare në poezi. Autorja gjurmon të kaluarën dhe të sotmen për ta arkivuar në kujtesën tonë. Në faqe 34 të librit kemi poezinë: ZANI YT ASHT FRYMA IME! Citojmë:

“O kam me t’dashtë, pasha atë Diell!

Deri n’amshim kam me t’dashtë!

Zani yt asht fryma ime!

Nëse ka me pasë nevojë

edhe vdekjes kam me i nxjerr gjak në sy”.

Autorja Ibërhysaj përmes vargut poetike i bie në fije kodit të shpirtit, jetës, dashurisë, vetmisë, shpresës përmes figurave letrare të cilat e begatojnë gjithë leksikun gjuhësor dhe metaforikë të poezisë së saj. Duke qenë e tillë deri në dorëzim të vetvetes ajo i jep shpirt veprës së vet e cila mund të komunikoi me të gjitha breznitë, me të gjitha periudhat historike si frymëzim edhe për shkrimtarë të tjerë. E gjithë përmbajtja dhe forma e këtij libri ngërthen në vete jetën dhe imagjinatën e saj krijuese, me gjithë përvojën e saj hulumtuese për gjetje të reja krijuese. Kjo autore krijon një poetikë me veçori origjinale stilistike duke ua vënë vargjeve vulën e vet. Shenja krejt të veçanta në këtë libër paraqesin edhe mesazhet frymëzuese që reflektojnë për të ardhmen për ta gjetur shtegun e lirisë së vërtet. Në faqe 102, kemi këto vargje, justifikuese te poezia: SHPIRT.

“Për ku vrapon me aq vrull?

Kush po të ndjek ndër deje, o shpirt?

Eja të bredhim luginave të blerta,

mbushma kupën e qiellit me lotin tënd!”

Në shumicën e poezive të kësaj natyre autorja arrin që të shtjelloi aq bukur përmbajtjen kuptimore dhe simbolikën e veprës së saj, sepse ajo di të zgjedhë aso pamjesh dhe detaje realiste që kanë fuqi të mëdha shprehëse dhe rrezatime të gjëra semantike. Ajo në vazhdimësi është në kërkim të formave dhe mjeteve shprehëse poetike edhe më këtë lloj të lirikës ajo i ofron lexuesit frymëzimin e saj krijues. Mjetet artistike të cilat i krijon kjo autore, në shumicën e rasteve janë: metafora, apostrofi dhe simbole tjera letrare me të cilat krijon figura të qëndrueshme letrare. Rima, është një nga figurat më të bukura në këtë përmbledhje të përdorura me aq mjeshtri, autorja përmes metrikës së vargut bart elemente të veçanta kreative. Në faqe 111, kemi këto vargje.

“Fryma ime e kapërthyer,

të pret e ndalur nën gërmadhë,

të ngrohësh tokën e shpirtit tim.

Zjarrin e saj ta mbash të gjallë.”

Në gjithë vargun e saj poetik vërehet funksioni produktiv i modelit të poezisë lirike e cila e identifikon këtë autore, kjo është e veçanta e saj e cila nga e njëjta temë realizon kode të ndryshme, që paraqesin kuptime të ndryshme dhe plotësojnë njëra-tjetrën.. Puna e saj në vazhdimësi si krijuese letrare sjell vlera dhe struktura të reja figurative dhe ritmike të vargut. Bota e poetes Ajne Ibërhysaj, është shumëngjyrëshe. Toni, gjithherë pedant, i rregullt, e sidomos ajo mbetet besnike ndaj standardit gjuhësor. Dua të them, që Ajna është e kujdesshme në kultivimin e vargut, të cilin e ka për mision ta çojë drejt ruajtjes së normave gjuhësore. Leksiku dhe figurat kontekstuale lidhen me shqetësimin, vetminë, lëndimin, klithjen, melankolinë, dhembjen, po edhe shpresën për një kohë më të mirë ku pashmangshëm shihen referencat autobiografike, historike, sociale dhe natyrisht ato estetike. Duke ecur temave të shtigjeve të dhembjes, vargjet mbushen kujtime, heshtje e ëndrra, sa të zorshme aq edhe dëftuese për kohën e gravuar me ashkla shpirti. Në këtë dyvargësh poetja shprehet:

“Jeta është vetëm frymë,

që përbiron nëpër trupin tënd.”

Krahas simboleve, metaforave të bukura, krahasimeve interesante, vargjet kanë edhe reflekse ironie, konstrukte frazeologjike e të urtësive popullore dhe poezia, si e tillë, receptohet nga shtresat e ndryshme të lexuesve dhe kjo ka shumë rëndësi për rrugëtimin e një poezie ndër breza dhe shtresa lexuesish. Sa për ilustrim po sjell këtu dy vargje të poezisë: /NË SYTË E MI MUND TË SHKRUASH VARGJE/.

“Heshtja e zhurmshme

Akull e zjarr në sytë e mi.”

Vargjet janë përplot figura stilistike që u japin kuptim e domethënie gjithë poezive. Autorja Ibërhysaj në gjithë poezitë e librit në përgjithësi, duke renditur brengat ajo kërkon një reflektim për kohën e humbur, kthjellim për të parë e ndjerë realitetin, zgjim nga përgjumja për ruajtje të kujtesës, marrje të përgje­gjësisë për t’i dhënë shpresë e dritë të sotmes e të ardhmes. Libri /GRAVURË ME NGJYRAT E KOHËS/ i Ajne Ibërhysaj të cilin e ka botuar Shtëpia Botuese ONUFRI-Tiranë, 2024 i redaktuar dhe sistemuar me kujdes është një prurje krejt e veçantë. Kjo autore na dëshmon me vulën e saj krijuese një identitet të mirëfilltë artistik. Duket që poezia për Ajnën është një mision, siç edhe e thonë vargjet: Kryefjala e gjitha dhembjeve të gravuara me ngjyra shpirti është poezia.

Pa mëdyshje, si një ndër lexuesit e parë të kësaj përmbledhje, konstatoj se libri i Ajne Ibërhysaj është një dhuratë e posaçme për lexuesit e zgjedhur. Rolan Barti teksa flet për kritikën letrare, ndër të tjera, thotë: “Ta për­mbledhësh veprën në të shtjelluarën është shterpësi për shkak se për të nuk ka çka të thuhet ma shumë se autori, e funksioni i veprës nuk është t’ua mbyll gojën lexuesve…”

Në këtë kuptim, po e mbyll këtu shtjellimin tim për t’ua lënë fjalën lexuesve dhe studiuesve të tjerë. Shëndet e prurje të reja Ajna! Suksese!

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat