Në atë dhjetor

Kultura

Në atë dhjetor

Nga: Neki Lulaj Më: 3 dhjetor 2025 Në ora: 19:20
Neki Lulaj

U mpira i teri në atë  mëngjes në dhjetor

Ku lajmi më erdhi si pushkë habertare 

Pikëllimi si dozë opiumi me pushtoi 

Loti rebeloi nëpër sy përmes qepellave

 

 Sikur më erdhën valët e  tërbuar brenda meje 

Atje tek Rini mes brigjeve ku ndalen anije

Akrepat e orës sikur ndalën pas një beteje

E në varg më dallgëzon krenari e dhimbje.

 

Pushoi  zemra e poetit si në tërmet të pambaruar

Oh ato fjalë ishin si lulishte plot aromë

Befasisht pashë veten time kaq  të ligështuar

Ah që s’ta dhashë lamtumirën nëpër lotë at muaj nëntori?

 

Shafran  i hidhur m’u bë zemra dhe gjoksi

Një shkëmb i rëndë më rëndoi në shpirt  

Ti ike ore mik, mes yjesh atje ku të priti zoti

Ike o Sejdi Berisha si meteor plot dritë

 

Vargjet tua kanë mijëra reze drite

Të kujtoj nëpër  vite bash si bambi hyjnor

Mbete autori i librit "Njeriu “pa“vendlindje.

Mbete si një ëndërr që përherë rrezaton

 

Në Pejë dua të të takoj te "Blini i poetit"

Atje ku gjethet e zverdhura  shfaqen si rrudha

Në tavolinën tonë të lagur loti mbeti 

Dhe librin "Kaq shumë vetmi" e lexoj te rruga

 

Do të më vish nëpër vite me mall si zë mistik

Pastaj  do më ikësh si uji i Lumëbardhit

Diçka e rëndë më është ngujuar në shpirt 

Pse ike pa lamtumirë, o mik me zë profeti. 

 

Vargjet tua ndriçojnë për ne si meteorë

Kulturën e Pejës  pikëllimi e thinj çdo natë 

Ato kurrë s'do ti thajnë tufanet nëpër kohë

As dimri me  plot borë nuk e zbardh.

 

dhjetor 2025

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat