Gjelat e llamarinës sillen
nga të fryjë era në shkrepa.
Sipër oxhakut të shtëpisë,
rrinë si dordoleci n’vreshta.
Mbi oxhak e kanë vendin,
jo mes njerëzve mbi tokë.
Era vet ua thur mendimin,
E ua fshinë kujtesën n’kokë.
Ata s’këndojnë për agim,
as për dritë e për shpresë.
Këta janë gjela llamarine,
që këndojnë për interes.
Sot lidhen për qeverinë,
nesër i ngjiten si arnicë,
e pasnesër nuk i dihet
kujt i rrasen n’prapanicë.
S’kanë shtyllë kurrizore,
as dinjitet dhe as kulturë,
u pëlqen pa farë dallimi,
çdo pushtet e çdo flamur.
Oh, gjela prej llamarine,
jeni pjellë e hipokrizisë,
pa ju s’do ta dinim kurrë
nga fryn era e tradhtisë.
Por kujdes nga veprimet,
llamarina ndryshket pis
dhe një ditë do të nxini
mbi oxhakun e shtëpisë!