Mendova se do të takoheshim të mërkurën në orën 12:30, si zakonisht, ashtu siç ishim takuar për plot 26 vjet. Por ti nuk erdhe. Në vend të takimit, sot mora lajmin më të rëndë: lajmin për ndarjen tënde nga jeta. U tronditëm të gjithë – shokët dhe miqtë e tu. Llapi dhe Gollaku të deshën dhe të respektuan pafund. Të deshi rinia, të deshën intelektualët, të deshën burrat e odave dhe të kullave, sepse ishe njeri që asnjëherë nuk i theve idealet e tua. Në vitet 1967–1968 ishe ndër personalitetet më të respektuara të Llapit. Ishte koha kur intelektualët e kësaj ane të propozuan për deputet të Asamblesë Komunale të Podujevës.
Atëherë pritej që të bëheshe edhe më i madh në krye të politikës lokale. Por ti, edhe pse kishe perspektivë dhe rrugë të hapura, nuk i shkele kurrë idealet e tua. Në vitin 1968 ishe organizatori kryesor i demonstratave për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, për Kosovën Republikë. U qëndrove besnik idealeve edhe atëherë kur u burgose dhe vuajte në qelitë e errëta të burgjeve të ish-Jugosllavisë, vetëm për idealin dhe interesin e popullit dhe të atdheut. Veprimtaria jote dhe kapitali yt politik e letrar nuk u ndalën kurrë. Idealet e tua u mishëruan me fillimin e lëvizjes gjithëpopullore për liri, pavarësi dhe Republikën e Kosovës. Ato u dëshmuan edhe gjatë punës sate si gazetar i Rilindjes, e më vonë si redaktor i fejtoneve në gazetën Rilindja, duke lënë gjurmë të thella në informim, media dhe opinionin publik.
Poashtu me idealet tua u zgjodhe anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe deputet i Parlamentit të Republikës së Kosovës. I qëndrove besnik parimeve të LDK-së dhe figurës historike të dr. Ibrahim Rugovës në të gjitha fazat e zhvillimit të saj. Veprimtaria jote shumëdimensionale la gjurmë të thella edhe në krye të Komisionit të Pavarur të Mediave të Kosovës, si gazetar dhe redaktor në Qendrën Informative (SHIK). Po ashtu, trashëgimia jote letrare mbetet e çmuar: pesë romane të botuara, të cilat janë lexuar me kënaqësi dhe do të lexohen edhe nga gjeneratat që do të vijnë pas nesh.
Na ike, Adil Pireva. Na varfërove të gjithëve – e sidomos mua, Ramadan Paqaradën dhe shumë shokë të tjerë që të deshën, të respektuan dhe të admiruan gjatë gjithë jetës. Ishe dhe do të mbetesh përgjithmonë në mendjet dhe zemrat tona, si model i intelektualit që ia kushtoi tërë jetën atdheut dhe popullit të Kosovës.
Jemi krenarë me ty, burri i burrave të Llapit.
Të qoftë i lehtë dheu i tokës së Kosovës. Emri yt dhe shkuarja jote në amshim do të bëjnë dritë përherë edhe mbi varrezat e vendlindjes sate, Pirevës legjendare.