Dritarja e heshtjes

Kultura

Dritarja e heshtjes

Nga: Gjon Marku Më: 10 mars 2026 Në ora: 18:43
Gjon Marku

Ka fëmijë që flasin me zë, dhe ka të tjerë që flasin me dritën e mendimeve të tyre. Bota shpesh i dëgjon vetëm ata që kanë zë, por harron se edhe heshtja mund të jetë një gjuhë e thellë dhe e mbushur me kuptim. Në botën e librave, të imagjinatës dhe të ëndrrave, edhe një shpirt i heshtur mund të ndërtojë ura drejt qiellit të vet. Edhe Ariani ka një udhëtimi të tillë - një udhëtim i qetë, por i ndriçuar nga drita e fjalëve dhe magjia e librave.

Në dhomën e tij të vogël, drita e llambës rrëshqet si një lumë i hollë ari mbi raftet e mbushura me libra që rrinë si roje të heshtura. Ardiani, ulur pranë dritares, mban një libër në duar. Nuk flet. Por brenda tij, fjalët lëvizin dhe vallëzojnë si drita të vogla që përplasen me hijet e murit.

I prek me gisht librat që rrinë aty si roje të heshtura, por faqet e tyre, si krahë zogjsh, duket se fluturojnë drejt qiellit të mendjes së tij.

Hijet në mur rrëshqasin ngadalë, por ato nuk janë vetëm hijet e dhomës; ato bëhen rrugë magjike që shkojnë në botën e brendshme të Ardianit. Sa herë hap një faqe, një portë e fshehtë hapet dhe ngjyrat e librave përzihen me dridhjet e dritës, duke krijuar një qiell të fshehur në mes të heshtjes.

Po sikur një ditë zëri im të shpërthejë nga këto fjalë?

Po sikur fjala ime të mos ketë frikë dhe të fluturojë si zog i lirë? Mendonte me vete, i përhumbur në një ndjesi që nuk mund të përshkruhej.

Edlira, e motra, si të mos donte ta trembte lehtas, kishte hapur derën dhe ishte shfaqur në hyrje të dhomës si një engjëll që tenton të prekë një yll pa e prishur dritën.

Ai ngriti sytë dhe i buzëqeshi, por librin e mbante si të mbronte një thesar të fshehur.

- Ardian… po lexon? - e pyeti e motra.

Ndërsa Valbona, e ëma, erdhi dhe u ul pranë tyre. Fjalët e saj rrjedhin si ujë i ngrohtë mbi gurët e heshtjes.

Ajo ofshani lehtë dhe dorën e kaloi nëpër flokët e të birit.

- E di… unë besoj se ti flet. Vetëm se flet ndryshe - mërmëriti ajo.

Ardiani uli sytë te faqja e hapur e librit. Fjala “ndryshe”, në mendjen e tij, ishte si një ngjyrë që ndriçonte dhomën e tij të brendshme, aty në kraharorin e tij që rrihte me një ritëm tjetër.

Eh, sa do të donte të dinte si të hapte derën… e do t’ua tregonte qiellin që shihte kur mbyllte sytë, ashtu siç mbyllte fjalët brenda vetes, pa mundur t’u jepte udhë e të thoshte atë që ndjente dhe përjetonte.

Edlira, e ndalur te pragu si një engjëll i vogël me krahët e dridhur të dritës, i tha:

- Hajde, kampion, po të presim.

Ardiani nuk lëviz. Pastaj ngre gishtin dhe prek një fjali të vogël në libër. Fjalët shndërrohen në një rrjedhë argjendi dhe ai mendon se e lexoi me zë:

-“Udhëtimi fillon kur nuk heq dorë nga hapi i parë.”

U bw heshtje.

Babai, Iliri, pëshpërit si era mbi një pyll magjik:

- Ndoshta ky është udhëtimi yt, bir. Sa do të doja të të dëgjoja të flisje, të më thoje çfarë mendon.

Ardiani i sheh të tre: babain, nënën dhe motrën. Sytë i ndriçojnë si të kishin marrë flakë nga një yll i largët dhe hijet e dhomës fillojnë të vallëzojnë rreth tyre.

Po… ky është udhëtimi im.

Unë jam në një kështjellë prej heshtjeje.

Muret janë të forta. Ju e quani autizëm.

Por unë nuk jam muret. Unë jam dritarja.

Unë jam dritarja që lejon qiellin dhe yjet të hyjnë brenda.

Librat në raft nuk janë më thjesht libra. Ata bëhen magji: çelësa, ura, zogj që fluturojnë mbi heshtje, duke ndriçuar çdo cep të dhomës.

Ardiani merr një libër, pastaj një tjetër. I radhit mbi prehër si gurë magjikë që ndërtojnë një urë drejt botës së tij të fshehur.

- Do t’i marrësh gjithë librat me vete? - pyet Iliri me një buzëqeshje të butë.

Ardiani nuk flet, por shtyn librin e parë drejt tij, duke thënë pa zë:
- Lexo zemrën time.

Valbona hap librin dhe lexon një fjali:

- “Fjala jeton edhe kur goja hesht.”

Sytë e saj mbushen me lot të argjendtë që rrjedhin si një lumë i vogël magjik mbi faqet e librave.

-         Ardian… ti po flet tani.

Ai buzëqesh dhe dhoma shndërrohet në një hapësirë ku drita, librat dhe hijet vallëzojnë së bashku si një orkestër e heshtjes.

Zot, nëse do të më çlirosh një ditë… mos m’i hiq librat.

Se ata janë ura ime dhe drita që më mban gjallë.

Babai pëshpërit:

-Një ditë, bir, do të të dëgjojë gjithë bota.

Ardiani mbyll librin ngadalë.

Në heshtjen magjike të dhomës së tij, mes librave dhe dritës së llambës, ai flet më fort se kurrë.

Jo me zë.

Por me udhëtimin e tij, me dritën e fjalëve dhe me fuqinë magjike të librave që shndërrojnë heshtjen në muzikë.

Dhe ndoshta një ditë bota do ta kuptojë se heshtja nuk është gjithmonë mungesë fjale. Nganjëherë ajo është një qiell i mbushur me yje të padukshëm. Në atë qiell, Ardiani vazhdon udhëtimin e tij mes librave, duke ndërtuar ura drite nga një faqe në tjetrën. Sepse ka shpirtra që nuk flasin me zë, por me dritën e mendimit, dhe kur kjo dritë ndizet, ajo mund të ndriçojë më larg se çdo fjalë e thënë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat