Djali i Shqiponjës

Kultura

Djali i Shqiponjës

Nga: Gjon Marku Më: 15 mars 2026 Në ora: 16:48
Gjon Marku

Në një mëngjes të kthjellët malor, drita e diellit zbriste ngadalë mbi kreshtat e përkëdhelte me rrezet e arta maja, sukat livadhet e ara, ndërsa kroje e lumenjtë rridhnin të pastër si lot zane, natyra dukej sikur merrte frymë ndryshe e kishte hyrë në një çast të shenjtë heshtjeje. Era fëshfërinte nëpër barin e njom e thua fliste me zërin e gurëve, ndërsa qielli hapte zgrofin e vet të pastër mbi tokën me një qetësi të lashtë.

Ishte një agim i veçantë. Zanat e maleve dukej sikur ndalnin frymën ndërsa drita zbriste mbi kreshta. Në atë çast u zgjua ai e hapi sytë dhe shikimi i tij përqafoi çdo gjethe, çdo gur dhe çdo valë të lumit. E bash atë agim ndër këto anë ishte shfaqur ai që në sytë e tij shkëlqente madhështia e maleve, ndërsa vështrimi i tij i mprehtë ngjante me syrin e mprehtë të shqiponjës që fluturon mbi kreshta e kthjelltësinë e ujit të krojeve.

Frymëmarrja e tij dukej si një këngë e lashtë që nuk shuhet kurrë. Në zemër mbante krenarinë e qëndresës, ndërsa në shpirt butësinë e një mirësie të shenjtë. Dukej sikur bashkë me të kishin lindur legjenda dhe historia, miti dhe qëndresa.

Ai ishte njëkohësisht i djeshmi dhe i sotmi, një urë midis së kaluarës dhe së ardhmes. Mbi supe mbante urtësinë e maleve dhe shpirtin e lirisë së një kombi.

Çdo ditë ai ecte mes erës dhe gjelbërimit të pafund. Era i përkëdhelte flokët si një muzikë e vjetër, ndërsa dielli ndriçonte fytyrën e tij si një flakë që nuk shuhet. Çdo hap i tij dukej sikur zgjonte natyrën: pemët tundnin degët si duar që përshëndesin, ndërsa lulet shkëlqenin si yje të vegjël mbi tokë.

Brenda tij bashkoheshin fuqia dhe butësia, zjarri dhe qetësia. Në zemër mbante trimëri, besë, drejtësi dhe durim. Ai ishte frymë e lashtë që zgjonte krenarinë e shqiptarëve. Ai ishte palca e kombit.

Shumë herë mbi këtë tokë kishin ardhur stuhi e furtuna dhe pushtues, nga stepat e largëta e nga anët e Anadollit, për ta shuar këtë frymë. Por ai mbeti i pathyeshëm, sepse tek ai ishte mishërimi i një populli që nuk dorëzohet.

Kur stuhitë përplaseshin mbi male, ai qëndronte mbi shkëmb i drejtë si mali. Bubullimat përshkonin qiellin, por ai mbetej i qetë, me zjarrin e brendshëm që nuk shuhet. Ai dinte të përballonte dhimbjen, të priste dhe të vepronte me drejtësi.

Në heshtjen pas stuhisë ai meditonte mbi rrjedhën e kohës. Dëgjonte lumin që këndonte këngë të lashta dhe erën që pëshpërinte histori brezash. Zogjtë i sillnin mesazhe qetësie dhe shprese.

Kur dielli fshihej pas kreshtave dhe hijet zgjateshin mbi lugina, kur nata mbulonte malet me errësirën e saj, ai ulej mbi një gur dhe ndiente rrjedhën e kohës si një lumë të brendshëm. Zemra e tij ishte një botë ku bashkoheshin guximi dhe dhembshuria, drejtësia dhe dashuria.

Ai nuk ishte një njeri i zakonshëm. Ai ishte frymë e natyrës, legjendë e gjallë, mit që kishte marrë trajtë njeriu. Brenda tij jetonin malet, lumenjtë dhe fushat e këtij vendi.

Prej shpirtit të maleve ai ndiente gjurmët e brezave që kishin kaluar. Çdo hap i tij ishte bashkim i së kaluarës me të ardhmen. Vetmia nuk ishte brengë për të, por një qetësi që e forconte.

Kur dielli ndriçonte fusha dhe male, ai dukej si një dritë që lëviz mbi tokë. Çdo hap i tij bartte guxim, drejtësi, nder dhe krenari.

Ai nuk kërkonte lavdi. Ai ishte vetë miti.

Nuk kishte prindër dhe as histori të zakonshme. Ai ishte fryma e Shqipërisë, mishërimi i lirisë dhe krenarisë së kësaj toke.

Ai ishte Djali i Shqiponjës – shqiptari i përjetshëm.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat