Vetmia

Kultura

Vetmia

Nga: Gjon Marku Më: 18 mars 2026 Në ora: 19:49
Gjon Marku

Sonte, vetmia ka ardhur mbi mua si një magji e pashpjegueshme, një prani e padukshme që nuk e kupton dot kush e solli dhe pse zgjodhi pikërisht këtë natë për të më gjetur por ajo u vendos mbi mua me një siguri të ftohtë, si të më njihte prej kohësh. Nuk trokiti. Nuk kërkoi leje. Thjesht hyri dhe zuri vend. Tentakulat e saj shtrihen ngadalë në çdo qelizë të qenies sime si një rrjet i padukshëm, duke pushtuar mendimet një nga një dhe duke i mbushur ato me një boshllëk të thellë, të ftohtë, që gërryen në heshtje, derisa bëhet pjesë e frymëmarrjes. Është një ndjesi që nuk bërtet, por pëshpërit vazhdimisht, derisa bëhet zëri i vetëm që dëgjoj.

Në mur, hija ime lëviz me mua e unw nis tw luaj me tw. E ndjek, e ndal, e shoh, një shoqërues që nuk më braktis kurrë. Ka çaste kur duket më reale se vetja ime. Në atë lojë të zbehtë drite dhe errësire, filloj të flas - jo me zë, por me brendinë time. Flas për mungesat që nuk kanë formë, por kanë peshë: për nënën që më mungon si një plagë e qetë, për motrën e madhe që mbetet një kujtim i gjallë, dhe për një vëlla që nuk e kam njohur kurrë, por që ndjej sikur më ka munguar gjithmonë. Tingëllon e çuditshme, ndoshta edhe e pakuptimtë për të tjerët, por ndonjëherë biseda me mungesën bëhet më reale se çdo bisedë me njerëz të gjallë.

Telefoni bie pa pushim, si një kujtesë e padëshiruar se bota vazhdon edhe pa mua. Ish-e dashura kërkon të rikthehet, si të donte të rindërtonte një histori që tashmë është shkatërruar nga vetë pesha e saj. Ish-gruaja përdor fjalët si helm, duke i veshur ato me mashtrime të holla që djegin më thellë se çdo plagë fizike. Një mik më kërkon një libër të vjetër, të çmuar për të, si një copëz e së kaluarës që ai nuk është gati ta lërë pas. Ndërkohë, të tjerë mbledhin kokat dhe gëzohen në heshtje për çdo disfatë të huaj, si një tufë kacadrejsh të errët që këndojnë mbi fatin tim, duke më kujtuar se jeta nuk është gjithmonë e drejtë dhe shpesh ushqehet me dhimbjen e të tjerëve.

Më duket sikur gjithçka rrotullohet rreth meje, si një vorbull që më tërheq pa më lënë të kapem pas asgjëje të qëndrueshme. Unë jam në qendër dhe njëkohësisht jashtë saj. Ndjej një ftohtësi të brendshme që nuk shërohet me kohë, as me fjalë, as me praninë e askujt. Në këtë heshtje që më rrethon, lindin pyetje që nuk kërkojnë përgjigje të lehta: a ekziston Zoti në këtë boshllëk? A është kjo heshtje një provë, apo një mungesë? A ndodh që edhe Ai, ndonjëherë, të heshtë dhe të shikojë nga larg, duke më lënë të përballem vetëm me hijet e mia?

Çdo kujtim që ngrihet brenda meje është si një valë që përplas anijen time të brishtë në brigje të panjohura. Kujtimet e fëmijërisë vijnë të gjalla: e qeshura e motrës, zëri i nënës që më thoshte me një butësi të pakrahasueshme: “Mos u frikëso, gjithçka do të shkojë mirë.” Sot, ato tinguj duken si jehonë nga një botë tjetër, një botë që nuk ekziston më, por që vazhdon të jetojë brenda meje si një dritë e zbehtë. Ëndrrat e humbura për një familje të plotë, për ndarje sekretesh dhe buzëqeshjesh të sinqerta, mbeten një dhimbje e ëmbël që nuk di si të shuhet.

Megjithatë, edhe në këtë magji të hidhur, ka një qetësi të çuditshme që më mban gjallë. Vetmia më mëson të dëgjoj veten, jo sipërfaqësisht, por thellë, aty ku fjalët nuk arrijnë lehtë. Më mëson se nuk jam vetëm një boshllëk që kërkon të mbushet, por një qenie që ndjen, që mendon, që mbart histori të papërfunduara dhe ëndrra të copëtuara. Në heshtjen e saj, çdo ndjesi bëhet më e mprehtë, çdo mendim merr peshë, çdo e vërtetë bëhet e pamohueshme. Edhe vetmia fillon të ndryshojë formë. Nuk është më thjesht mungesë; shndërrohet në hapësirë.

Filloj të kuptoj se e vërteta nuk ka ku të fshihet e duhet tw pwrballem me tw me mungesën, me dhimbjen, me mashtrimet dhe me të vërtetat e mia, nëse dua të ndërtoj diçka e rruga kalon përmes saj.

Sonte, vetmia nuk është thjesht mungesë njerëzish. Ajo është një pasqyrë e kthjellët që më detyron të shoh gjithçka që më përket: frikën, dëshirat, gabimet, shpresat. Ajo më kujton se jam i lirë të zgjedh, të dua pa frikë, të gaboj dhe të mësoj. Në këtë heshtje ku çdo tingull duket i largët dhe çdo telefon që bie humbet kuptimin e tij, kuptoj se vetmia nuk më shkatërron. Përkundrazi, ajo më forcon.

Ndërsa nata përparon dhe hijet zgjasin mbi muret e dhomës, e ndiej këtë magji të vetmisë si një mësues të heshtur. Marr telefonin; i bie një miku, por ai nuk përgjigjet. Në vend të zhgënjimit, marr një fletore të vogël dhe filloj të shkruaj. I shkruaj për librin që kërkonte, për faktin se e kam gjetur, por mbi të gjitha për t’i treguar se e kam dëgjuar. Ndoshta kjo është mënyra ime për të rindërtuar një urë të vogël në një botë që shpesh shemb ura më të mëdha.

Ajo më mëson se brenda çdo boshllëku fshihet një mundësi: për të parë më qartë, për të kuptuar më thellë dhe për të ndërtuar një forcë që nuk varet nga askush tjetër. Dhe ndoshta, pas kësaj nate të gjatë e të heshtur, do të jem në gjendje të shoh atë dritë që gjithmonë ka qenë aty - jo si një shpëtim, por si një prani e durueshme që pret të zbulohet.

Vetmia mbetet pranë meje, por nuk më mposht më. Ajo është shndërruar në një udhërrëfyes të heshtur, që më mëson si të ndërtoj lidhje të vërteta, edhe kur frika dhe boshllëku më shoqërojnë. Dhe ndoshta, pikërisht në këtë praninë e saj të qetë, fillon një mënyrë e re e të jetuarit - më e vetëdijshme, më e sinqertë, më njerëzore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat