Nënë, emri yt është lutje në zemrën time. Ti nuk ishe thjesht gruaja që më solli në jetë - ishe vetë jeta, forca e parë që më mbajti gjallë kur ende nuk dija ç’ishte bota. Ti ishe rrënja që më nguli fort në tokë, krahët që më mësuan të fluturoj, drita që më udhëhoqi pa bërë zhurmë. Në çdo hap që kam hedhur, më ke paraprirë me heshtjen tënde të urtë dhe sakrificën tënde të madhe, që kurrë nuk e mburre, por gjithmonë e jetove.
Nga ty mësova se dashuria nuk është zë i lartë, por dorë që nuk lëshon kurrë. Se dhembja nuk tregohet, por përballohet. Se forca e vërtetë është ajo që vjen pa fjalë, por me përkushtim të përditshëm. Ti ishe mësuesja ime e parë, filozofia ime, besimi im i pashkëputur.
Unë, fëmija yt i dhjetë, erdha në jetën tënde kur ajo duhej të ishte pushuar nga lodhja. Por ti më prite jo me lodhje, por me dritë. Nuk pate më shumë, por më dhe gjithçka. Dashuria jote nuk u nda në pjesë; ajo ishte e plotë për secilin prej nesh. Në ty nuk kishte moshë. Në ty kishte përjetësi.
Kur babai u nda nga kjo botë, e më la i vogël dhe i zbrazët, ti u bëre edhe nënë, edhe baba, edhe strehë. Nuk u ankoje, nuk u fshihje. Ishte dora jote që më ngriti, ishte përqafimi yt që më mbronte nga bota. Kishte net që nuk flije, vetëm që të siguroheshe se unë isha mirë. Kishte ditë që nuk haje, vetëm që unë të kisha bukë në tryezë. Sakrifica jote nuk ishte e dukshme për të gjithë, por ishte themeli mbi të cilin ndërtova jetën time.
Çdo diplomë që kam marrë, çdo libër që kam shkruar, çdo hap që kam hedhur drejt dritës -e kam bërë me ty në shpirt. Ti ishe muzika e padukshme që më frymëzonte, urata e heshtur që më ndriçonte rrugën. Ti ishe zemra ime që rrihte edhe kur mendova se s'kisha më fuqi.
Dhe tani që ti s’je më në këtë botë, unë sërish të ndjej. Të ndjej në aromën e bukës së sapopjekur, në erën e mëngjesit kur zgjohem i heshtur, në ndjesinë e ngrohtë kur ndonjë fjalë e jotja më rikthehet në kujtesë.
Të shoh në ëndërr, por nuk më vjen për të më bërë të qaj. Vjen për të më treguar se nuk më le asnjëherë. Se dashuria e nënës është më e fortë se vdekja. Është pranësi që nuk shuhet.
Nënë, ti je brenda çdo fryme timen. Je në sytë e mi kur shoh fëmijët e mi. Je në heshtjen time, në lutjen time, në çdo mirënjohje që i bëj jetës. Më mungon çdo ditë, por mungesa jote më mëson t’i çmoj edhe më shumë gjurmët e tua që s’zhduken kurrë.
Të jam borxhli për gjithçka, nënë. Për durimin, për gjakun, për buzëqeshjen e lodhur që nuk e le të thyhej.
Prehu në paqe, e dashura ime. Unë do të të mbaj përherë gjallë - në fjalë, në vepra, në dashurinë që u përpoqe të më mësoje të mos e harroj kurrë.
Sepse ti ishe dhe mbetesh mrekullia më e madhe e jetës sime.