“Mos na ban fort kajde,
hajde, mori rrenë, hajde…”
Krijim popullor për gënjeshtrën
dhe gënjeshtarët,
që gjithmonë i kanë pasur
e do t’i kenë këmbët e shkurtra,
e hundën dhe veshët e gjatë.)
Pse, mori gënjeshtër,
gënjen të tjerët e edhe veten tënde?
Kur këmbët shpesh i ke aq të shkurtra,
je çalamane, besa-besë,
je belbane e mjerane.
Haj e vaj halli për ty —
njerëzve çka u bane?!…
I zhveshe krejt prej vetvetes së tyre,
i ç’njerëzove deri në palcë;
ua hoqe maskat prej fytyrës së vërtetë,
sepse ua rrëmbeve njerëzinë,
dinjitetin dhe moralin,
e i le pa asgjë e pa gjë
në këtë jetë!…
Ndonëse gjithmonë i le
“si të gjymtë” e të mjerë,
krejtësisht e plotësisht,
me vetëdije e me behane,
prapë je e njëjta —
si në dimër, ashtu edhe në verë.
Të gjitha këto i bëre
për të zezën e kokës tënde.
Mori, qofsh fatzezë,
e mbetsh gjithmonë virane;
heu, mos të pafsha kurrë,
as zërin mos ta ndiejsha më!…