Ecje në shtigjet e jetës

Kultura

Ecje në shtigjet e jetës

Nga: Vjollca Aliu Më: 13 prill 2026 Në ora: 11:36
Vjollca Aliu

Etja e viteve të endjes po bën të veten, është koha të çelen dritaret e vjetra!  Megjithëse furtunat e jetës nuk po ndalen, shpirti nuk dorëzohet në mes gjithë trazimeve, shqetësimeve e shkulmeve.

Një shpirt, sinonim i kalasë, rri si gurë kalaje i cili ruan një ngjarje të pangjyrosur jete. Dhe, kjo kala, ky shpirt i pangjyrosur me ngjyrat e djallëzisë, qëndron i pamposhtur përballë hijenave që kanë ndez zjarrin e ligësisë në vatrën pa dritë.

Aq e ligë është ajo vatër hijenash, sa që as drita e hënës rreth saj nuk sillet vërdallë!

Sa të pathëna fsheh hëna, aq sa fsheh nëntoka pasuri!

Ato copëza dhimbjesh e krenarie të shpirtit plot dritë, ruajnë si relikte të jetës dhimbjet, gëzimet, lotët, buzëqeshjet, mu si gurët që nuk flasin, përkundër se çdo goditje shkakton sëmbim.

Atje tej në horizont ku vështrimi arrin, shpirti merr fuqi të pikturojë jetën me rrezet ngjyrarta për ditët shpresëtare dhe mugullon si syth pranvere duke ngrohur shpirtin me rrezet shpuese, shpirtin që ruan gjallëri jete e thur shpresën dritëplotë! 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat