Një qiri digjej butë, si zemër që s’do të shuhet në vetmi,
Në dhomë, heshtja rëndë rëndonte, si pluhur mbi çdo gjë,
Jashtë dimër, terr e acar, por atij i kishte hije flakërimi,
E vështroja i heshtur, mendoja si digjej ngadalë, pa zë.
Terri kishte hapur kraharorin dhe turrej të mbyste dritën,
Mendimet vinin pa trokitur, si era në një shtëpi të braktisur,
Dritë e zbehtë luante me hijen në mur, unë mbaja zgjuar natën,
Ndërsa një vetëtimë terrin e natës së braktisur e kishte grisur.
Flisja me veten time, si të mos e kisha parë e njohur kurrë,
“Zoti më ka harruar,” - pëshpërita si fëmijë i lodhur nga pritja,
“Ai s’të harron në ditën më të vështirë,” dukej se foli hija në mur,
Mes flakës së qiririt që luftonte errësirën e shpirtit, gjendej drita.
Dikur luaja me tim vëlla e numëroja yjet derisa më zinte gjumi,
Tani numëroj çaste të thyer e vështroj dritën që dridhet në mur,
Më grafullojnë mendimet, të tërbuara vrapojnë si valët e lumit,
Jashtë errësirë e thellë, shiu bie, furtuna përplaset nëpër gurë.
Pyes një çast: mos është vetmia që flet, e fshehtë në errësirë?
Apo jam unë që i flas vetes në një gjuhë që s’e kuptoj më dot?
Vdekja e heshtur që s’guxon të më prekë, por rri si nata e nxirë?
Mes territ, qiriri nuk dorëzohet, dhe kur digjet nuk shkon kot.
Sepse në fund të gjithçkaje, mes errësirës që s’ka më kufi,
Dhe unë e shoh atë qiri si një shpirt që ende s’është dorëzuar,
Qëndron një flakë e vogël që s’pranon të shuhet, si një stoli,
Duke luftuar në heshtje me natën, që sonte ka mbaruar.