Stinët pse nuk vijnë
në Krushën e Madhe?
Aty ka vetëm një stinë —
stinën e shiut.
Lulet e majit
pse nuk çelin aty?
Dhe pranverat
pa pranverë vijnë.
Qershitë nuk pjeken,
vera pa verë
vjen gjithnjë.
Mollët në rremë,
në fund vjeshte,
mbeten të mbërdhira.
Zogjtë shtegtarë
nuk ikin në prag dimri,
se në pranverë aty
kurrë nuk erdhën.
Nga qielli i saj,
pa pra,
shiu nuk ndalet,
e toka nuk ngihet.
Një varr mbi gurë
është i hapur aty.
Është loti i nënave,
qiell Kosove me shi,
që shpoi atë varr
në atë gur të zi.
Ukshin Hoti,
vetëm lotë
të falen ty.
Pa të falë
dy metra dhe,
stinët nuk do të vijnë.
Loti nuk do të ndalet,
dhe stina e shiut
mbetet pa diell.