Në Ditën Botërore të Librit
u shua një artist me kulturë,
- një mendje që rron përjetë
për të mos vdekur kurrë!
Ai tha: “Nuk dua kamera!”
- ata sollën aso me dronë,
se dhimbja pa “live” thonë
duket si varri pa beton.
Ai kërkoi heshtje të plotë
- një filozofi shumë e rrallë,
ata sollën disa altoparlantë,
me zëra që ngjallin mall...
Ai deshi thjeshtësi me qetësi
- mbi varr një gur, një kujtim,
ata sollën lulet plastike,
ta nderonin me ngushëllim.
E amaneti i shkruar në letër
u bë testamenti për dekor,
këtu i gjalli është barrë,
kurse i vdekuri - sponsor.
Ku njeriu i gjallë n’këto anë
paraqet rrezikun për rehati,
ndërsa i vdekuri është paqe -
një statujë pa gojë e pa sy.
Dhe ja, përsëri shfaqen zërat:
Duke u ndarë kundër dhe pro;
Ai s’flet më - kjo i bën të lirë,
ta duan, ta shajnë, apo jo?
Shoqëria qan me kamera
e qesh në heshtje tinzare,
që vret mendimin kur flet
dhe e ngjall kur s’është fare.
A ia vlen të vdesësh sot
për të qenë nesër i mirë?
Apo më mirë të jetosh
i padurueshëm, por i lirë?
Se këtu, në këtë baladë
Pa fund e pa varg të drejtë,
heroi nuk është ai që jeton,
- por artisti - ai që s’flet.
Dhe amaneti mbet i mekur:
Jo si një kujtim për mikun,
por si turp për të gjallin
e nderim për Akademikun!