Siç e shihni, titulli i kësaj eseje, është si një thirrje, sa miqësore, dhe po aq e qëllimshme. Erdhi si rezultat i leximit të librit "EFEKTI MYZEQE" të porsabotuar nga NAUN KULE. Populli thotë: "Njeriu plaket duke nxënë" dhe, brenda kësaj thënieje e gjej veten unë. Fillimisht, i propozova: shtoi "LIBOFSHA", pastaj "ARDENICA", po rri rehat ai: brof ia mban dhe përfshin krejt MYZEQENË. Tani, me pak shpoti, si nën efektin e "drogës" që më serviri ai: "me inat më foli, me inat iu përgjigja". Ai shkruan nën "EFEKTIN MYZEQE" dhe unë e ndjek, dhe rrok përmes shkrimeve, mallin që ka ai përmes gjithë shkrimeve në këtë libër. Libri është goxha i madh (gati si libër tavoline) dhe nëpër faqet e tij derdhet ky mall me "doza" të rënda: herë të NAUNIT si gazetar; herë si polemist që debutuesin rival e gozhdon me shpatulla në mur, mbështetur në fakte e dëshmi historike. Polemisti NAUN KULE nuk fyen me fjalë të rënda, po nga ajo natyra myzeqare që ka në gen, shpërthen deri në sarkazëm, sa të kujtohet ajo thënia paksa profetike: -Ruhu nga zemërimi i njeriut të duruar! Tek ndeshet me Patriarkun JANULLATOS, vetëm me batutën: -ZOTI ka folur dhe flet edhe shqip, -ia vë kufirin tek thana dhe as nuk pyet nga shantazhet a presionet. Nuk sosen polemikat e tij. Me një devizë të përgjithshme, në doni të mos bëni "luftë" me NAUN KULEN, mos shtrembëroni historinë; mos shtrembëroni faktet dhe, tek përgjigjet, flakë për flakë, rreshton dëshmi; rreshton autorë dhe nuk lëshon pe për asnjë lloj kompromisi, ku cënohen të vërteta historike ose cënohen, pa të drejtë, ngjarje të cilat ai i njeh më së miri.
Mos kujtoni se këto ligjërata të tij, për figura me rëndësi historike, që nga SKËNDERBEU, ISMAIL QEMALI, ISA BOLETINI, te NAUN GRIGOR PRIFTI, janë me apriori. Jo. Përkundrazi: mbështetet mbi dëshmi autentike, të përftuara prej tij prej studimit shkencor e cilësor. Tek i has këto "polemika" kaq të nxehta, NAUN KULE më duket se ka dy atribute: së pari është i guximshëm dhe, kur thotë CLARE BOOTHE LUCE: "Guximi është shkalla në të cilën ngrihen gjithë virtytet e tjera", dhe, së dyti, ai ka atributin tjetër: mbron të drejtën. Se, kur thotë WILLIAM PENN: "E drejta është e drejtë edhe nëse të gjithë të tjerët janë kundër; dhe e gabuara është e gabuar edhe nëse të tjerët janë pro." E dini pse ndodh kështu me këtë polemist kaq të veçantë? Kjo ndodh se NAUN KULE ka një forcë të madhe karakteri. Italiani SILVIO PELLICO thotë: "Pa forcën e karakterit, nuk zotërohet asnjë virtyt".
*
NAUN KULEN e njoh prej një periudhe mjaft të gjatë. Jemi të dy nga MYZEQEJA, kolegë të vjetër dhe në fushën e shkrimeve. NAUNI ka gati 60 vjet që shkruan. Nuk pushon si një gur mulliri dhe në këto 60 vjet ka shkruar tregime, novela, romane dhe ese. Shpeshherë në veprat e tij artistike, lexuesi gjen relaksim shpirtëror. Në ato libra me karakter historik, ai, si të thuash, heq çergën nga mjegulla e kohës. Ai e di mirë se prova në je shkrimtar a jo, qëndron te vepra. Në libra të tilla, NAUN KULE ka bërë një detyrë të lartë qytetare. Duke i njohur këto vlera të tij, mund të them me plot gojën atë që ka thënë DOKTORESHA e SHKENCAVE FILOLOGJIKE nga ESTONIA, ZARA MIRIC (1927-1990), që ka thënë: "Ja cila është njëra nga detyrat themelore të çdo njeriu të kulturuar: të mos lejojë të zhduket një pjesë e historisë, dëshmitar i së cilës është dhe ai". Dhe nëse ka një "avokat" që lufton me penë e me vepra për të ruajtur këto vlera për gjithë MYZEQENË, ky është NAUN KULE.
Se sa vlera ka NAUN KULE si krijues në "fushën e letrave" të letërsisë SHQIPE, futu në libër dhe qëndro nën okleion: "Letërkëmbim me miqtë". Lista jo vetëm është e gjatë, por ka dhe një "peshë specifike të rëndë". Emra të tillë që nderojnë KOMBIN, si: KRSTAQ DHAMO; ARTIST I POPULLIT dhe NDERI I MYZEQESË dhe NDERI I KOMBIT; Akademik MOIKOM ZEQO; PROFESOR NASHO JORGAQI; POETI AGIM SHEHU; POETI MUSA VYSHKA; Mësuesi i Popullit KRISTAQ SHTËMBARI dhe mos vazhdoj me listë të gjatë krijuesish.
Shëndetësisht, nuk jam mirë dhe tek po i bie fare shkurt kësaj eseje, në vetvete bëj një pyetje: -Po unë pse e dua NAUN KULEN? Kësaj pyetjeje që nuk është fare hipotetike, i përgjigjem: -E dua se, nëse KAFKA e la me shkrim që "... nuk ia fal vetes që nuk vura një maskë mbi fytyrë", ky, NAUN KULE, jo vetëm nuk vuri maskë, po punoi, luftoi dhe shkruan dhe ka vetëm një fytyrë; atë të MYZEQARIT krenar që është një dru që nuk e ha mola. Nuk fsheh asgjë nga e kaluara, pohon me plot gojën dhe me ndërgjegje të pastër, sa të të shohë drejtpërdrejt në sy. Kjo ia rrit vlerat më shumë. Duke e ditur që "guri i mullirit" të tij ende bluan, i uroj vetëm suksese. Çdo vepër e tij është si copë nga shpirti dhe meriton ta mbyll këtë ese me fjalët e VIRGJILIT: "Të ngresh lart emrin tënd me vepra, është arritja e virtytit". Suksese!