Sonte flas me ty, nënë

Kultura

Sonte flas me ty, nënë

Nga: Gjon Marku Më: 6 maj 2026 Në ora: 09:09
Gjon Marku

Sonte jam vetëm. Jo vetëm si trup, por si frymë që endet pa zë mes errësirës dhe dritës së hënës. Yjet vezullojnë larg, si sy të vegjël që më vështrojnë në heshtje, ndërsa qielli shtrihet mbi mua i thellë, si një kujtim që nuk shteron kurrë. Hëna rri pezull, e qetë, sikur më sodit pa më gjykuar, dhe yjet duken si fjalë të pathëna, të humbura në pafundësi. Heshtja e natës bëhet shoqëruesja ime më e afërt, ndërsa mendja ime endet në kujtime që nuk zbehen.

Në atë qetësi, më duket sikur mund të flas me nënën time. Edhe pse nuk është më fizikisht pranë meje, prania e saj mbetet e gjallë në çdo ndjenjë, në çdo kujtim, në çdo hap të jetës sime.

Tash… unë flas me ty, nënë.

Nuk të shoh, por të ndiej. Si një frymë e lehtë që më prek në sup, kur jam në prag të dorëzimit. Si një zë i heshtur që më thërret të vazhdoj, edhe kur rruga zgjatet dhe zemra më rëndohet nga vetmia.

Në këto çaste, unë të rrëfehem. Të tregoj për dhimbjet e mia, për trishtimin, për ditët kur ndihem e humbur. Është një bisedë pa zë, por e thellë, ku fjalët nuk shqiptohen, por jetojnë brenda meje si një lidhje e pashkëputshme mes nënës dhe bijës, mes kujtimit dhe zemrës.

Ti ishe gjithçka për mua. Pas largimit të babait, ishe ti ajo që më mbajte në jetë, që më mësove të mos rrëzohem, edhe kur bota më dukej e padrejtë. Dhe kur ti u largove, mendova se do të mbetesha bosh përgjithmonë. Por jo… ti nuk u zhduke.

Ti u bëre dritë.

Tani, kur nata bie dhe gjithçka hesht, unë të kërkoj në qiell. Më duket sikur je aty, mes yjeve, duke më parë me të njëjtën butësi si dikur. Dhe unë të rrëfehem — pa frikë, pa turp, pa zë.

Të tregoj për ditët kur lodhem, për netët kur trishtimi më rëndon mbi gjoks si një gur, për çastet kur buzëqeshja ime është veç një maskë që fsheh boshllëkun. Dhe ti… nuk më përgjigjesh, por unë e di që më dëgjon.

Sepse dashuria jote nuk ka vdekur. Ajo nuk njeh varr, as kohë, as largësi. Ajo jeton brenda meje, si një dritë e qetë që nuk shuhet.

Dhe kur hëna ndriçon më fort, e kuptoj: nuk jam vetëm.

Ti je aty -në çdo frymëmarrje timen, në çdo hap që hedh, në çdo ëndërr që nuk guxoj ta them me zë.

Sonte, si çdo natë, flas me ty, nënë… dhe qielli më përgjigjet me një heshtje që më ngushëllon.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat