Pushka dhe Krushka

Kultura

Pushka dhe Krushka

Nga: Gjon Marku Më: 13 maj 2026 Në ora: 07:26
Gjon Marku

Pjetër Marku priste me padurim ditën kur do të martonte djalin e tij të vetëm. Dasma ishte caktuar prej kohësh, miqtë ishin thirrur dhe oda priste zërat e gëzimit. Veçse, nën gjithë atë hare, fshihej një hall që nuk e linte të qetë.

Me mikun nuk i kishte punët mirë. Kishin pasur fërkime qysh kur ishte folur për pajën e nuses. Ishte zakoni që vajzës t’i bëheshin edhe dy a tri palë rroba të tjera para se të nisej për në derën e dhëndrit, por ato nuk qenë bërë. Fjalët kishin ardhur deri te hidhërimi dhe marrëveshja kishte mbetur përgjysmë.

Megjithatë, dita e dasmës erdhi.

Sipas zakonit të vjetër, duheshin caktuar krushqit. Ata priteshin si miq, por përcilleshin si grabitës, sepse merrnin një njeri nga ajo shtëpi. Krushqit niseshin me armë në krah dhe me nder mbi supe. Nusja shoqërohej nga krushka pra e ëma deri në shtëpinë e dhëndrit.

Pjetër Marku e dinte mirë se miku do t’ua ngacmonte krushqit. Kjo ishte punë zakoni, por kur miku e kishte zemrën të ngrirë, ngacmimi mund të kthehej në turp. U mendua gjatë se kë duhej të dërgonte krushk të parë. Burrat e urtë druheshin se mos u punonte ndonjë rrengull e mbeteshin pa gojë.

Mblodhi vëllezërit e kushërinjtë në odë dhe ua hapi hallin.

- Nuk po di kë të çoj krushk tw parw, - tha. -Ky mik ka me na e lujtë ndonjë rreng.

Pak heshtje ra në odë, derisa njëri prej vëllezërve qeshi nën mustak.

- Po dërgojmë Preng Gjinin, - tha. - Ai për dreq ka le. Kurrë s’ka qenë krushk i parë, por mendja veç për poshtërsi i punon. Po ia doli kush atij, i del kujtdo.

Të gjithë tundën kryet. Ashtu mbeti.

Preng Gjini u vu në krye të krushqve dhe, pasi kaluan katër katunde, mbërritën te shtëpia e mikut. Sipas zakonit, Prenga dorëzoi pushkën te dera dhe hyri brenda.

Rakia nisi të qarkullonte. Burrat pinin ngadalë e matnin fjalët. Mirëpo Preng Gjini nuk duroi gjatë. E këputi një tallje të rëndë, aq sa oda heshti për një çast.

Miku e pa drejt në sy.

-         Për atë fjalë, krushk i parë, të vuna gjobë.

Prenga e kuptoi menjëherë se e kishte tepruar. U kollit lehtë dhe u përpoq ta zbuste.

- Ma vër veç një gjobë të vogël, or mik.

- Besa, fort të vogël, - ia priti tjetri, por buzët nuk i qeshën.

Ora kalonte dhe krushqit po bëheshin gati të merrnin nusen.

Atëherë Preng Gjini u kthye nga i zoti i shtëpisë.

- A po ma tregon tash çfarë gjobe më ke vu?

Tjetri ngriti gotën ngadalë.

- Për gjobë, ti po e len këtu pushkën.

Fjala ra si gur në odë.

Krushqit ulën kryet. Të linte krushku i parë pushkën në derë të mikut ishte marre e rëndë. Burrat rrinin të ngrirë, sikur u kishte rënë mortja mbi supe.

Por Preng Gjini nuk e humbi veten.

- Mirë atëherë, - tha qetë. - Kështu e quajmë të larë talljen që bana.

I zoti i shtëpisë mbeti një çast pa folur. Nuk e kishte pritur aq lehtë dorëzimin.

Pastaj tha:

-         Nusja a do të vij me krushkën.

-         Gruaja ime ka me e përcjellë- foli tjetri.

Prenga ngriti gotën.

- Mirë, or mik. Ta pimë këtë për miqësinë e paçim të pandarë. Unë po zbatoj rregullin tand e po ta lë pushkën…

Pastaj ndali pak, drodhi majën e mustakut dhe e nguli shikimin mbi të zotin e shtëpisë.

- …po në shtëpinë time zbatoj rregullat e mia.

- Si domethënë? - pyeti miku.

- Ti po ma ndal pushkën. Unë po ta ndal krushkën.

Oda mbeti pa frymë.

I zoti i shtëpisë u nxi në fytyrë. U përpoq të gjente fjalë, por e kuptoi se ishte zënë në grackën e vet. Po të mbante pushkën, gruaja nuk duhej tw nisej me nusen; po të nisej gruaja, duhej të hiqte dorë nga gjoba.

Turfulloi paksa, pastaj tundi dorën me inat.

- Ec… këtë herë po ta fal gjobën.

Dhe oda shpërtheu në të qeshura.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat