Ky katund ka pasur gjithmonë pleq të mençur dhe patriotë të guximshëm.
Edhe në luftën e fundit ka dëshmorë të lirisë dhe luftëtarë të denjë që luftuan me trimëri dhe guxim kundër pushtuesit serb.
Edhe në periudhën e Serbisë së vjetër ky fshat është shquar për trimëri kundër okupatorit serb, siç ishin Familja e Sadriabazve, që i prinë Lëvizjes kaçake kundër pushtimit serb të Kosovës.
Për të mos e lënë për ta mbuluar pluhuri i harresës, ky katund ka pasur gjithashtu, edhe tani ka rapsodë të talentuar, siç ishin Dervesh Sadria, Destan Fazlia, Ilaz Misini, Zenel Seferi, Ramadan Hajdari një lahutar i njohur, Zenun Alushi, Brahim Isufi, Gjelir Islami, dhe rapsodët e sotit si Shaip dhe Halil Bytyçi dhe shumë të tjerë.
Historia e lavdisë së këtij katundi është shumë e begatë me mençuri dhe trimëri në shërbim të kombit dhe atdheut.
Për të mos i lënë harresës vend për asnjë çast, edhe sot nuk ka familje katundi që nuk e ka një doktor, jurist, inxhinier, profesor, madje ky vendbanim njihet si vendbanimi i parë në ish-komunën dikur të Suharekës, për kuadrot e para të shkolluara pas Luftës së Dytë Botërore, si Mr. Imer Bytyçi, ish gazetar në gazetën e dikurshme "Rilindja" dhe të tjerë.
Tradita e mençurisë, patriotizmit dhe dashurisë për arsimin vazhdon edhe sot të kultivohet si gjithmonë me të njëjtin pasion dhe përkushtim në këtë katund malor, banorët e të cilit historikisht e kanë pasur në shpirt dashurinë ndaj kombit dhe atdheut.