Shtëpia që ndërtoi civilizim

Kultura

Shtëpia që ndërtoi civilizim

Neki Lulaj Nga Neki Lulaj Më 17 maj 2026 Në ora: 22:49
Foto nga vendi i ngjarjes

Ditën e shtunë, në Galerinë e Shtëpisë së Kulturës në Ulqin, me mbështetjen e Fondit për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave, u mbajt një sesion kulturo-shkencor me temën: “Shtëpia që ndërtoi civilizim”, projekt i autorit z. Arben Berjashi. Ky aktivitet na mblodhi për të kujtuar, reflektuar dhe, mbi të gjitha, për të ruajtur trashëgiminë shpirtërore e materiale që na ka formësuar si popull.

Galeria e arteve dhe kulturës ishte e mbushur plot me vendas, krajanë, mysafirë të ardhur nga Kosova, Shqipëria, mërgata, si dhe nga Podgoricë.

Sesioni kulturo-shkencor u moderuar me mjeshtëri nga znj. Ardita Rama, e cila, pasi përshëndeti mysafirët dhe autorin z. Arben Berjashi, ndër të tjera tha:

“Për mua personalisht, ky aktivitet ka një domethënie të veçantë emocionale. Rrënjët e familjes sime janë në Krajë; babai im ka lindur në atë trevë, në fshatin Kështenjë, mes atyre shtëpive prej guri dhe asaj kulture të pasur shqiptare, ku mikpritja, nderi dhe tradita kanë qenë mënyrë jetese. Prandaj, sot nuk flas vetëm si moderatore e këtij aktiviteti, por edhe si bijë e asaj treve, që e ndien Krajën si pjesë të identitetit, kujtesës dhe trashëgimisë së saj familjare.

Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të parë objekte të së kaluarës apo për të dëgjuar kumtesa shkencore. Jemi këtu për të rikthyer në kujtesë një botë të tërë vlerash, zakonesh, mjeshtërish dhe simbolesh që kanë jetuar ndër breza në trojet etnike të Krajës, kësaj treve të bukur shqiptare pranë brigjeve të Liqenit të Shkodrës, ku historia, tradita dhe identiteti kanë bashkëjetuar për shekuj me radhë.

Siç thuhet edhe në parathënien e broshurës së këtij projekti, shtëpia tradicionale në Krajë ishte shumë më tepër sesa një banesë. Ajo ishte qendra e jetës familjare, ekonomike dhe shoqërore; vendi ku ndërtohej karakteri, ku ruheshin zakonet dhe ku trashëgohej kujtesa kolektive. Gurët e mureve, votra, çardaku, ahuri, tezgjahu – veku apo arka e nuses nuk janë thjesht elemente të një arkitekture të vjetër; ato janë dëshmi të gjalla të një qytetërimi të lashtë shqiptar.

Dikur, jo shumë kohë më parë, kur unë isha fëmijë, Kraja gumëzhinte nga gjallëria dhe jeta. Katundet ishin plot familje, oborret mbusheshin me njerëz, ndërsa shkollat jehonin nga zërat e fëmijëve si cicërimat e zogjve. Në çdo shtëpi kishte lëvizje, punë, mysafirë dhe gëzime familjare. Ishte një kohë kur Kraja jetonte me ritmin e saj të plotë dhe kur trashëgimia përcillej me besë e krenari nga një brez te tjetri.”

Ali Gjegjbritaj, pishtar shumëvjeçar i arsimit, shkrimtar dhe aktivist i dalluar, u paraqit me kumtesën: “Tezgjahu apo Veku”.

Ai tha se tezgjahu është një vegël apo pajisje për thurje të ndryshme, me të cilën punohet me dorë dhe me këmbë. Është një vegël e madhe druri, me krehra dhe pajisje të tjera për endjen e pëlhurave, qilimave dhe sexhadeve. Tezgjahu – veku është një vegël artizanale prej druri, të cilën dikur në Krajë e kishin shumë familje për thurjen e pëlhurave, strugave, mësallave, havlive dhe qilimave. Sidomos vajzat, para fejesës, përgatisnin pajën e nusërisë në vek. Sot, tezgjahu mbetet një kujtesë historike.

Autori i mbrëmjes, z. Arben Berjashi, ndër të tjera tha:

“Në këtë ekspozitë kam paraqitur disa pjesë të shkruara dhe të ilustruara me fotografi, përmes të cilave shijojmë katër elemente të kulturës sonë, ndiejmë emocionet e së kaluarës dhe, mbi të gjitha, mësojmë se si duket trashëgimia, tradita dhe vlerat kulturore që kemi trashëguar nga të parët tanë.

Shtëpia tradicionale në Krajë është dëshmi e një qytetërimi të lashtë, ku banesa ishte qendër e jetës shoqërore dhe ekonomike. Objektet me artefaktet e veta na shfaqen me tipare të përgjithshme shqiptare, të trajtuara si hapësira arkaike sipas njësive etno-gjeografike.”

Me kumtesën e vet u paraqit edhe z. Fiqiret Mujeziqi me temën: “Roli dhe funksioni i votrës në shtëpitë e vjetra të Krajës”.

Ai theksoi se votra ishte qendra e shtëpisë, ku mblidhej familja, ngrohej, gatuhej dhe priteshin mysafirët. Votra përbëhej nga një hapësirë guri me një gropë për hirin dhe prushin, zakonisht pranë murit të dhomës kryesore. Aty ndodhej edhe oxhaku, që nxirrte tymin jashtë. Veglat e votrës ishin vargoni ose zingjiri për varjen e kazanit apo tenxheres mbi zjarr, saçhaku për mbajtjen e enëve mbi flakë ose prush, si dhe masha për përzierjen e zjarrit dhe nxjerrjen e gacave.

Në vazhdim të sesionit, në foltore u paraqit z. Gazmend Çitaku me temën: “Arka – trashëgimi kulturore e luajtshme”.

Ai tha se arka e nuses, apo siç njihet në popull “arka e pajës”, nuk ishte thjesht një orendi funksionale, por tregues i statusit social dhe bartëse e besimeve popullore. Në të nusja ruante qëndisje, veshje tradicionale, çarçafë dhe punime të ndryshme të përgatitura me vite të tëra. Arka, që nga momenti kur blihej apo punohej, shënonte procesin e shkëputjes së vajzës nga familja e origjinës. Analiza e simboleve, si rozeta diellore dhe “Pema e Jetës”, zbulon funksionin mbrojtës dhe urues të këtij objekti në jetën e nuses shqiptare.

Më pas, autori z. Arben Berjashi prezantoi një film të shkurtër dokumentar për shtëpitë, muret dhe objektet e trashëgimisë krajane. Filmi ishte sa i bukur, aq edhe nostalgjik, pasi paraqiste një trashëgimi shekullore të mbetur e braktisur, gjysmë të harruar apo krejtësisht të harruar.

Në fund pati edhe diskutime dhe replika nga pjesëmarrësit.

Dr. Zylfie Gjoni, duke falënderuar autorin për këtë akademi përkujtimore, tha:

“Sonte jam kthyer më shumë se gjysmë shekulli pas. U rinova kur pashë këto gjëra, të cilat pothuajse më përlotën duke kujtuar kohën e ndritshme të së kaluarës krajane.”

Neki Lulaj bëri një krahasim të ruajtjes së traditës së tezgjahut – vekut mes nesh dhe arbëreshëve të Itali. Ai theksoi se në Frasnitë të Kalabrisë edhe sot pëlhurat dhe veshjet tradicionale punohen me vek kursextek ne ka mbrtur vetëm si një relikt i kujtesës.

Ndërsa zt.Sokol Dana mysafir nga Shkodrs,u shpreh se këto vlera që u panë dhe u dëgjuan gjatë mbrëmjes duhet të konservohen, të ruhen dhe të regjistrohen në UNESCO.

Në fund, znj. Luljeta Dana, e cila regjistroi xhubletën në UNESCO, tha me seriozitet dhe bindje:

“Me këmbëngulje dhe besim në vetvete mund të arrihet çdo gjë, ashtu siç arrita unë ta regjistroj xhubletën si trashëgimi shqiptare në UNESCO.”

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat