Një natë, duke fjetur,
në ëndërr mu shfaq
Shkolla Normale
“Dimitrie Tucoviq” në Prizren,
aty ku mësonim për mësues,
për ta shuar analfabetizmin në Kosovë,
të cilin e kishin mbjellë sunduesit e huaj,
në një popull ndër më të vjetrit
në rajon dhe Evropë.
Ëndrra vazhdonte rrjedhën e saj
në pasqyrimin e një të kaluare
me plot emocione,
vërshimin e nxënësve dhe mësuesve të ardhshëm
të Kosovës në klasat e kësaj vatre
të arsimit dhe dijes.
Sapo fillonte mësimi,
në klasë mbretëronte heshtja,
dëgjohej vetëm zëri i profesorëve,
që ne, mësuesit e ardhshëm të Kosovës,
të mbillnim dijen e arsimit dhe edukimit,
që në të ardhmen do ta përhapnim
anë e mbanë Kosovës.
Ëndrra nuk shuhej,
ishte pjellë e një gjumi të rëndë,
thuajse kishte vendosur
të shfletonte njërën ndër
periudhat më të rëndësishme të jetës sime,
në këtë vatër të arsimit dhe dijes,
në të cilën drejtor ishte Rize Alaj,
një profesor i shquar dhe patriot i zjarrtë,
nga Drenasi i Deçanit.
Më vonë këtë pozitë e mori Avdullah Shukriu, prof. dr. i shkencave biologjike,
një pedagog i shkëlqyer, i cili në ligjërata të detyronte patjetër t’ia dëgjoje shpjegimin.
Madje edhe Reshit Rexhebeqaj, prof. i matematikës,
Izet Musaj, mr. i shkencave pedagogjike,
dhe Bashkim Qerreti, prof. i gjuhës dhe letërsisë shqipe,
së bashku me shumë të tjerë,
kontributin e të cilëve historia e arsimit në Kosovë
nuk do t’i harrojë kurrë.