Kënga e Qyqes

Kultura

Kënga e Qyqes

Nga: Gjon Marku Më: 23 maj 2026 Në ora: 14:26
Gjon Marku

Ishte fillim vere dhe ajri ende nuk kishte marrë peshën e nxehtësisë, por për të koha kishte mbetur pezull. Ai e kujtonte çdo detaj me një qartësi të dhimbshme - ditën kur jeta e tij u nda përgjysmë, kur pa për herë të fundit fytyrën e saj të zbehtë. Nuk ishte një çast i vetëm që e shkatërroi, por një rrëshqitje e ngadaltë e jetës së saj, ku çdo orë e bënte kthimin më të pamundur.

Pas atij aksidenti, ai bëri gjithçka që mundej për ta mbajtur gjallë. Gjaku që jepte i dukej si shpresë, por njëkohësisht edhe si dhimbje që nuk arrinte ta ndalte. I dukej sikur nuk rridhte në trupin e saj, por shndërrohej në lot. Nga sytë e saj buronte një trishtim i heshtur që as lutjet, as përpjekjet e tij nuk mund ta ndalonin. Dhe koha, pa mëshirë, vazhdonte përpara me egërsinë e vet të heshtur.

Pastaj erdhi dita e varrimit.

Një kortezh i heshtur e shoqëroi deri në varreza, ndërsa zëri i mprehtë i një vajtimoreje çante ajrin. Kur ajo pushoi, mbi një fojlë të vjetër në zemër të varrezave, nisi të dëgjohej qyqja që vajtonte me një zë të errët e të përsëritur.

Njerëzit qanin secili në mënyrën e vet, ndërsa ai qëndronte i heshtur. Qëndroi gjatë pranë varrit edhe pasi të tjerët u larguan. Nuk ndiente nevojë të fliste - brenda tij fliste diçka më e thellë se fjalët. T’i largohej asaj i dukej si tradhti. Dhe kështu mbeti, mes heshtjes dhe dheut të freskët që mbulonte gjithçka.

Varri i dukej si një heshtje e mbyllur përgjithmonë. Nuk donte ta linte aty, sikur largimi ta bënte humbjen më përfundimtare. Mbi dheun e freskët qëndronin lulet që kishte sjellë. Nuk ishin thjesht lule - ishin përpjekja e fundit për të mbajtur gjallë një lidhje që fati e kishte këputur në mes.

Ditët që pasuan u bënë njësoj. Varrezat u kthyen në vendin ku ai rikthehej çdo ditë. Çonte lule të freskëta, rrinte gjatë pranë varrit dhe lotonte në heshtje. Qyqja vazhdonte të dëgjohej mbi degën e tharë dhe ai nuk e dinte më nëse ajo vajtonte të vdekurit apo të gjallët. Ndoshta të dy.

Në mbrëmje kthehej vonë në shtëpi. Netët i dukeshin të pafundme. Malli për të i rëndonte mbi kraharor si një gur i ftohtë. Gjumi nuk ishte më pushim, por një tjetër formë e mungesës - ku ajo i shfaqej e zbehtë, e largët, duke e thirrur pa zë. Ai zgjohej shpesh në errësirë, me zemrën që i rrihte fort.

Buzëmbrëmjeve qyqja dëgjohej përsëri diku mes pemëve. Herë dukej sikur këndonte, herë sikur vajtonte. Sapo i mbylleshin sytë, ajo i shfaqej në ëndërr: e zbehtë, e largët, me duart e shtrira drejt tij, sikur kërkonte të mos mbetej vetëm. Ai zgjohej menjëherë, i djersitur dhe i tronditur, me zemrën që i rrihte fort në errësirë.

Pastaj vinte heshtja.

Dhe në atë heshtje çdo tingull i natës fitonte një peshë të pazakontë. Një zog nate pingëronte larg, si një lajmëtar i errët vdekjeje dhe trishtimi. Gjithçka jashtë përzihej me gjendjen e tij të brendshme, derisa nuk dinte më ku mbaronte nata dhe ku fillonte dhimbja e tij.

Por me kalimin e kohës, diçka nisi të ndryshonte. Ai kuptoi se dhimbja nuk ishte një urë drejt saj, por mënyra si dashuria vazhdonte të jetonte brenda tij. Humbja ishte e pakthyeshme, por po aq reale sa dashuria që kishte ndier.

Dalëngadalë mësoi të jetonte me mungesën, jo duke e fshirë, por duke i dhënë një vend tjetër brenda vetes - një vend ku nuk e shkatërronte më çdo natë.

Ajo nuk ishte më pranë tij në trup, por ishte në mënyrën si ai zgjohej çdo mëngjes, në boshllëkun që nuk mbushej dot, në kujtimet që nuk zbeheshin. Nuk ishte bota ajo që kishte ndryshuar - ishte ai.

Dhe më në fund e kuptoi: jeta nuk kishte ndalur kurrë, edhe kur atij i ishte dukur se gjithçka kishte marrë fund.

Një mbrëmje u ul pranë dritares. Jashtë, jeta vazhdonte pa e pyetur askënd. Fëshfërima e gjetheve, cicërimat e largëta dhe ajri i qetë i verës krijonin një ritëm të zakonshëm bote.

Hapi dritaren. Ajri i ngrohtë i natës i preku fytyrën. Për një çast ndjeu boshllëk - sikur po linte pas diçka që e kishte mbajtur gjatë.

Pastaj doli jashtë dhe u ndal pranë shelgut lotues, ku kishin qëndruar aq shumë herë bashkë. Degët lëkundeshin lehtë. Ai ndaloi dhe ngriti sytë drejt qiellit.

Nuk kishte asgjë të jashtëzakonshme.

Por për herë të parë, nuk i dukej bosh.

Mbrëmjet u kthyen sërish pranë dritares. E njëjta pamje, i njëjti vend - por ai nuk ishte më i njëjti njeri.

Jashtë, nata vazhdonte me tingujt e saj të qetë, si një botë që nuk kishte pushuar kurrë së jetuari.

Nga pallati përballë u dëgjua një flaut. Një melodi e lehtë, që lëvizte me erën. Nuk ishte më zëri i qyqes që e mbante peng, por diçka tjetër - më e butë, më e hapur, më njerëzore.

Ai e dëgjoi pa u përpjekur ta shpjegojë. Dhe për herë të parë, nuk kërkoi kuptim, sepse kuptimi nuk ishte jashtë, por brenda tij.

Në mënyrën si ai ende kujdesej, në mënyrën si ai ende mbante brenda vetes atë që nuk kthehej më, por nuk zhdukej.

Çdo natë dëgjonte tingujt e atij flauti dhe nuk përpiqej më t’u jepte domethënie të fshehta, siç kishte bërë dikur me këngën e qyqes. Melodia fliste vetë. Brenda saj kishte mall, por kishte edhe jetë.

Dhe atë natë e kuptoi se edhe një zemër e thyer nuk pushon së rrahuri - thjesht mëson të rrahë ndryshe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat