Kam një shqetësim të rëndë familjar (shqetësim shëndetësor), sa tërë natën gjumin e bëj me copa. Vendosa që t'u vë kryq shkrimeve modeste të mia dhe gati bëj vetëgjyqësi. Bëj takime imagjinare me njerëz të njohur, po se po, por edhe me të panjohur. Shumica e atyre që vijnë për "vizitë" janë poetë, miq të mi që, mjerisht, janë ndarë nga jeta. Këto momente disi "halucinante" më bëhen të pranishme dhe sikur më nxjerrin të "pirë", pa vënë pikë pije në gojë. Por gjithmonë ndodh që, duke qarë hallin me të tjerët, sikur lehtësohesh, freskohesh dhe harron qoftë edhe për një çast.
Pas një gjumi "hiç", marr vendim: "Nuk do të shkruaj qoftë edhe një rresht, se askush nuk e ka hallin tim". Pikërisht natën shfaqen "vizitorët". I pari shfaqet poeti amerikan, Dean Fante.
"Dëgjo", më tha, sa këshillues aq edhe pak kërcënues, "po heshte, bën një akt terrorist!".
Sa më tronditi, aq edhe sikur më mbushi me kurajo dhe m'u shfaq Profesori i Madh, Muzafer Xhaxhiu:
"Gjithmonë nga një vijë, gjithmonë nga një rresht dhe, pak nga pak, u sos një vjershë."
Papi! Jam këtu te libraria e dajë Sulë Kuranit, ta ka ruajtur romanin "I Pabesi"!
Mend dola nga krevati, se këtë ma shkruante i miri Genc Leka, të cilit diktatura ia mori jetën e bukur vetëm pse ishte poet.
Elbasani... Eh, sa herë më shfaqet në gjumë! Me kujtime për Elbasanin, me bashkëshokët e mi dhe, veçanërisht, profesorët e mi, sa herë jap provim.
Ndal! Ç'a trimëri ke bërë sot?
Eh, mor Musa Vyshka, o poeti më i bukur i brezit tonë! Pse duhej të ndaheshe kaq shpejt nga jeta?
Në kafen e fundit që piva me të, më tha:
Përparim, në këtë moshën tonë, është mirë që çdo familje ta ketë një nga fëmijët doktor. Unë, - tha, - e kam djalin doktor.
Edhe unë, - i thashë, - kam jo vetëm çupën, por edhe dhëndrin.
Por, në fund të fundit, çfarë do të bëjë doktori, kur fundi varet vetëm nga Zoti?
Dhe me Musanë, që kishte një shpirt prej pëllumbi, sikur e zgjata edhe ca.
Tanimë trokita te Neurologjia dhe pyeta për djalin e mikut tim, profesor-doktor Vyshka.
Po ne nuk e kemi vetëm koleg, por e kemi shkencëtarin me të cilin konsultohemi për diagnoza të veçanta, - më tha doktor Redon Uruçi, një nga specialistët më të mirë të këtij spitali.
Mor Musa Vyshka! Prehu i qetë, o mik i mirë, se pema ka rënë nën pemë.
Profesor! E di që po shkruan akoma. Të thashë dikur që, po të kem lekë, unë vetëm do të shkruaj poezi dhe do të bëj piktura. Nuk bëra as njërën e as tjetrën: ika nga kjo botë me kokë prapa.
Spiro! - thirra sa munda. - Po ti je nxënësi im. Do të shkruash e do të pikturosh.
Dhe tak, u kthjella: Spiro Pali Sota, ish-nxënësi im, sado me profesion agronom, qe një poet lirik i ëmbël.
Spiro Sota më ngriti nga Tirana, ku jetoj, dhe më çoi në Fierin tim. Tani "loja ime" në teatrin absurd vazhdon.
Oho! - bërtiti poeti Zoi Dashi. - Paske ardhur! Sado që qeshë në Greqi dhe bëra "jetë qeni", ja tani mora rrugën pa kthim.
Dhe sakaq, poeti Nuredin Boriçi.
Papi, të kujtohet kur mblidhja donacione për Sejfulla Malëshovën? Ia bëra nderin, sado që erdha nga ferri i diktaturës. Tani po iki nga kjo botë ashtu siç erdha. Këtë fat kanë poetët në regjimet diktatoriale, por edhe kur erdhi demokracia, prapë mbeta me gisht në gojë.
Dhe, me të vërtetë, si mund të flesh gjumë rehat?
Papi, - më shkruante me duar të dridhura Dritëroi, - nuk e di a do të pëlqehen poezitë e mia.
Kështu më shkroi kur më dhuroi librin e fundit, "Prit edhe pak".
Vetëm ky poshtëshënim i Dritëroit më mbushi me kurajo; sikur më hoqi një pjesë të sikletit dhe shkrova këtë ese.
Tiranë, 29 maj 2026